Patriarkana Rumune shpreh solidaritet me vendin tonë të prekur rëndë nga tërmeti
Zyra e Shtypit e Patriarkanës së Rumanisë publikoi dje një deklaratë, ku i nxit të gjithë të solidarizohen me popullin shqiptar dhe të mbledhin ndihma për të vuajturit, të cilët kanë mbetur tashmë të pastrehë.
Teksti i plotë i deklaratës është si më poshtë:
Në shenjë keqardhjeje të thellë për të gjithë të prekurit nga tërmeti që ndodhi sot, më 26 Nëntor 2019 në Shqipëri, Patriarkana e Rumanisë, i gjithë kleri dhe besimtarët rumunë solidarizohen me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë si dhe të gjithë popullin shqiptar.
Përballë një tragjedie të tillë të shkaktuar nga lëkundjet e forta të tokës, që u morën jetën shumë njerëzve dhe lanë të dëmtuar qindra të tjerë, pa llogaritur dëmet materiale, ne i lutemi thellësisht Perëndisë për prehjen e shpirtrave të të fjeturve dhe për shërimin e të dëmtuarve.
Gjithashtu, u bëjmë thirrje të gjithëve të ndihmojnë sa të munden ata që kanë mbetur pa strehë (duke bashkangjitur më poshtë numrat e llogarisë bankare të Patriarkanës Rumune).