Fjeti më Perëndinë Mitropoliti i Kampalës dhe Gjithë Ugandës, Jonai
Më 5 shtator 2021 fjeti më Zotin Hirësia e Tij Jonai. Pasi mësoi për fjetjen e tij, Kryepiskopi Anastas dha këtë mesazh ngushëllimi:
Me pikëllim të thellë mësuam për fjetjen më Zotin të Mitropolitit të Kampalës dhe Ugandës, Jona. Ai ishte studenti ynë në Universitetin e Athinës dhe bashkëpunëtor i ngushtë gjatë misionit në Afrikën Lindore. Ne e dorëzuam atë dhjakon (1981) dhe prift (1982). Nip i atë Abadias, njërit nga themeluesit dhe shtyllat e orthodhoksisë në Ugandë dhe Kenia, e jetonte me devotshmëri që fëmijë besimin e tij orthodhoks dhe punonte në kishë me zell apostolik, kujdes dhe tolerancë. Gjatë 40 viteve si klerik, ai dha dashuri dhe u përpoq që ta paraqiste veten si shërbëtor të Perëndisë “me shumë durim… në Shpirtin e Shenjtë… me fuqinë e Perëndisë (II Kor. 6:4-8), duke mbështetur kishën e tij me shpirt krijues.
Duke i shprehur ngushëllimet më të thella të Bekuarit nga Perëndia, Patriarkut të Aleksandrisë dhe Gjithë Afrikës, Theodhorit dhe orthodhoksëve shumë të dashur të Ugandës, bëmë një përshpirtje në kishëzën e Kryepiskopatës së Tiranës.
Perëndia i paqes dhe lutjeve prehtë shpirtin e vëllait tonë të zgjedhur Jona, drejtues orthodhoks i denjë!
——–
Hirësia e Tij, Mitropoliti Jona, lindi në vitin 1945 në Ddegeyya. Arsimin e përgjithshëm e mori në Ugandë (1952-1964). Studioi në Akademinë kishtare të Kretës (1965-1968). U diplomua edhe në Fakultetin e Theologjisë dhe Filozofisë në Universitetin e Athinës (1968-1978). Shërbeu si sekretar në Ugandë (1978-1981), dhe fill pas kësaj, si zëvendësdrejtor i seminarit “Kryepiskopi Makarios III” në Kenia (1981-1991). Në vitin 1981 u hirotonis dhjakon dhe një vit më pas, presviter. Më 27 korrik 1992 u hirotonis episkop i Bukombas në Tanzani. Më 12 Maj 1997 u zgjodh mitropolit i Kampalas dhe Gjithë Ugandës. Vepra e tij baritore është mjaft e pasur dhe e gjerë.
Mitropoliti Jona (duke folur në foto) ka vizituar disa herë Shqipërinë dhe ka qenë pjesë e vizitës zyrtare në vendin tonë të Patriarkut të Aleksandrisë dhe të Gjithë Afrikës, Theodhorit.