Kisha “Shën Marinës” në Ndërnënas – Libofshë Jemi drejtuar në Plazhin Ndërnënas, 30 minuta ose 19 Km me veturë nga qendra e fshatit Libofsh. Objektivi kësaj here është Kisha e Shën Marinës,një Kishë me vlera historike por dhe një kishë çudibërëse. Ishte një nga kishat që i ka shërbyer dikur banorëve orthodhoksë të qytezës mesjetare të Devollit ose siç u quajt më vonë: Pirgut (1308-1417). I vendosur pranë fshatit Ndërnënas të Bashkisë Fier, rrënojat e Pirgut (Devollit) ndodhen disa kikometra nga deti Adriatik përgjatë fushës së Myzeqesë. Dikur në vendin ku ngrihet sot paraklisi i rindërtuar i Shën Marinës ndodhej një objekt i vjetër kulti me të njëjtin emër. Por sot, vetëm vitet e fundit mbi rrënojat e kishës u ndërtua një paraklis i vogël, me investime personale i një banori të kësaj zone. Sot, kishëza, ngrihet pranë rrugës rurale që të çon nga Ndërnënasi drejt bregdetit të Adriatikut. Arkitektura e saj është e thjeshtë në formën një kryqi të jashtëshkruar, ku krahu perëndimor i saj është më gjatë se krahët e tjerë. E rrethuar nga një sërë selvish dhe qiparisash, kisha e Shën Marinës, bën një kontrast të dukshëm me ngjyrën e bardhë të mureve të saj. E hapur në çdo kohë për besimtarë dhe pelegrinët ajo ngrihet në mes të fushës si një dëshmitare e së kaluarës historike të trevës së Myzeqesë Kisha Orthodhokse e kremton ditën e Shën Marinës në datën 17 korrik ku ajo njihet si shëruese dhe mbrojtëse e fëmijëve. Ndoshta këtë mision ka patur edhe ky objekt kulti në këtë pjesë të Shqipërisë, ku ekzistenca e kënetave dhe ligatinave bregdetare sillnin në të kaluarën një vdekshmëri të lartë, kryesisht foshnjore. Ky duhet të ketë qënë shkaku që, edhe pse larg qëndrës së fundit të banuar të kësaj zone, Ndërnënasit, kleri dhe popullsia vendase organizonin aty ceremoni fetare të përvitshme. Si duket ndikimi i kishës dhe kultit të Shën Marinës që vinte nga mesjeta ishte akoma i fortë te besimtarët e kësaj zone. Për të mësuar më shumë rreth kësaj Kishe, kemi të ftuar Historianin Ilirjan Gjika dhe Arsimtarin në pension dhe banor i kësaj zone, z. Pandeli Zaka.
Na ndiqni. Radio Ngjallja Libofshë, Prill 2024