/Lajme nga Bota: Në Turqi është gjendur një kishë bizantine 1.500 vjeçare e nëndheshme

Lajme nga Bota: Në Turqi është gjendur një kishë bizantine 1.500 vjeçare e nëndheshme

Në Turqi është gjendur një kishë bizantine 1.500 vjeçare e nëndheshme

Në Kapadhoki, në rajonin e Turqisë qendrore, arkeologët kanë zbuluar një kishë të nëndheshme shumë të veçantë, të ndërtuar nëpërmjet gdhendjeve të shkëmbinjve e gurëve.

Muret e saj janë të mbuluara me afreske që paraqesin momente dhe vepra të Krishtit gjatë jetës së Tij tokësore, si Shumimi i pesë bukëve, Ngjitja e Tij në Qiej (Analipsi), si dhe Gjykimi i Fundit apo ikona të profetëve e shenjtorëve të ndryshëm.

Ky zbulim u arrit si pasojë e gërmimeve dhe punimeve në një qytet të nëndheshëm të nxjerrë në dritë së fundmi. Meqenëse vendndodhja e kishës është brenda një kështjelle të lashtë, që daton në shek. V ps.K, mendohet se edhe kisha i përket kësaj periudhe kohore.

Autoritetet mendojnë se ky zbulim do të shtojë numrin e pelegrinëve të krishterë orthodhoksë në rajonin e Kapadhoqisë.

Arkitekti që kryeson punimet, Semih İstanbulluoğlu, shpjegoi se muret e kishës kanë rënë si pasojë e shiut dhe borës, por do të nisë menjëherë restaurimi i tyre. Gjithashtu edhe pjesë të shkëputura apo të rëna të afreskeve do të mblidhen me kujdes e do të rregullohen përsëri.

Kur kisha u zbulua fillimisht, ishte e mbushur me dhé. Për shkak të lagështirës së madhe nevojitet që fillimisht të thahet dalëngadalë, përpara se të fillojnë punimet, pasi përkundrazi një ndërhyrje e menjëhershme do të rrezikonte dëmtimin e afreskeve. Ka akoma edhe të tjera ikona murale, të cilat do të dalin në dritë pas pastrimit, si Kryqëzimi i Krishtit, ikona të apostujve, shenjtorëve dhe profetëve si Moisiu dhe Ilia.

Ky zbulim vërteton se ky rajon mban ende të fshehura thesare të besimit të Krishterë.