/Kisha e Shën Kollit në Vanaj – nga Ilirjan Gjika

Kisha e Shën Kollit në Vanaj – nga Ilirjan Gjika

Në veri të Shën Gjergjit të Libofshës, aty ku shpatet fundore të kodrave të Ardenicës bashkohen me fushën e Myzeqesë, ndodhet një tjetër kishë bazilikale. Eshtë kisha e shën Kollit në Vanaj e cila e rrethuar nga qiparisat shekullorë të ofron nga larg një pamje mbresëlënëse. Të dhënat e para për këtë objekt na i jep Aleksudhi, i cili midis të tjerave thekson se enoria e Vanajt dhe Daullasit, përbëhej nga fshatrat Vanaj, Gogolan, Rungaj, Bitaj dhe Daullas, me 54 familje ortodokse, që ritet i kryenin në kishat e Shën Nikollës në Vanaj dhe të Shën Parashqevisë në Bitaj(1).
Ndërsa për të bërë një ‘’gjeografi’’ të shkurtër rreth kësaj zone, duhet të theksojmë se fshati Vanaj bënte pjesë në zonën e Libofshës, kufijtë e dikurshëm të së cilës përfshinin Petovën dhe Çipllakën në jug, Kolonjën dhe Bitajn në lindje dhe Karavastanë, Remasin, Muçiasin, Babunjën e Re, Babunjën e Vjetër apo Fier Semanin në veri(2).
Kisha e Shën Kollit përbëhet nga naosi, altari dhe hajatet dhe këmbanorja. Me përmasa 11.90 m gjatësi dhe 5.90 m gjerësi, naosi njënefësh mbulohet nga tavani i rrafshët dhe çatia dyujëse me tjegulla që ngrihet mbi volumin e hajateve(3). Faltorja është e pajisur me dy hyrje nga anët e jugut dhe perëndimit. Mbi portën hyrëse perëndimore që shërben edhe si narteks ngrihet një këmbanore prej druri. Më pas kalohet në naos, dyshemeja e të cilit është e shtruar me pllaka guri në formë drejtkëndëshe. Në tri anët e naosit ndodhen hajatet që mbështeten mbi kolona druri ndërtuar me gurë shtufi të papërpunuar dhe të lidhur midis tyre më llaç. Edhe naosi është ndërtuar me të njëjtën teknikë, ndërsa për absidën poligonale janë përdorur gurë të latuar dhe zbukuruar me nike të harkuara(4). Nuk mungojnë edhe materialet të skulpturës arkitektonike që janë murosur në këtë pjesë të saj, ku mbi dritaren e vogël të absidës ndodhet edhe një kapitel me origjinë nga Apolonia. Ndërsa në një nga portat e kishës, pikërisht mbi atë jugore kemi edhe mbishkrimin që tregon për ndërtim e kësaj faltoreje. ‘’U ndërtua prej themeli ky tempull i Shën Kollit më 1777, pastaj u pikturua më 1795, dhjetor 16, në kohën e të gjithhirshmit Mitropolitit, shenjtit të Beratit, zotit, Joasaf, prej fshatit Bubullimë, në kohën kur ishte famulltar Papa Dhimitri i Ristanit, Nasi, Petro, mbikqyrësi Naum Juka, me shpenzimet e vendasve. Mundimi dhe piktura është e Gjergjit dhe Janit, vëllezërve nga fshati Grabovë”, shkruhet në të(5).
Kisha e Shën Kollit është piktuaruar të gjithë hapësirën e saj me afreske të mjeshtrave të familjes Çetiri. Këtë e tregon edhe mbishkrimi tjetër që ndodhet mbi suvanë e portës perëndimore të
kishës, në të cilin është shkruar: “U pikturua ky tempull me dorën e Gjergjit dhe të Janit, vëllezërve nga qyteti i Grabovës. 1795 dhjetor 15’’(6). Studjuesit theksojnë se pavarësisht se Çetirët e mësuan artin e pikturimit nga Zografët stili i tyre i pikturimit paraqet ndryshime. Rreth kësaj teme, Theofan Popa, thekson se: ‘’Kisha e katundit Vanaj është punuar nga piktorët Gjergj e Joan Cetiri. Një legjendë e këtij fshati dëshmon se piktorët e kësaj kishe kanë qenë nxënës të piktorëve, që patën punuar kishën e manastirit të Ardenicës dhe atë të Libofshit, d.m.th. se kanë qenë nxënës të Zografëve’’(7). Po për pikturën e Çetirëve, studjuesi Jorgos Jakumis, thekson se krahas karakterit pasbizantin të traditës kishtare ata ofruan një ikonografi më të lexueshme dhe të interpretueshme, në të cilën futën elementë realistë nga tradita dhe zakonet vendase, jeta sociale, veshjet, peisazhi dhe ideologjia laike.
Naosi është pajisur në gjithë hapësirën e tij me tre breza afreskesh. Në brezin e parë të pikturës murale janë vendosur një sërë shenjtorësh me trajtat e tyre të plota, si Shën Kostandini, Shën Helena si dhe figura të tjera kryesore të panteonin kristian që nga Shën Zosima e deri te Shën Joan Vladimiri, apo Nikodhimi i Beratit. Më pas afresket vijojnë me portrete të shenjtorëve të tjerë vendosur brenda disa medalionëve të rrumbullakët. Ndërsa tematika e afreskeve të brezit të tretë paraqet skena të ndryshme nga Dhiata e Vjetër.
Ndërkohë edhe muret e jashtme të kishës janë dekoruar me kompozime të tematikave të ndryshme. Në portën me hark të naosit janë pikturuar nga të dy anët Shën Mëria dhe Krishti, kurse sipër tyre paraqitur pajtori i kishës Shën Nikolla, i ulur në fron me veshje ceremoniale kishtare. Pjesën tjetër të mureve e zënë afresket me skena nga ‘’Ardhja e dytë’’ apo “Gjyqi i fundit”, ku ndeshim mëkatarë, shpirtra të brengosur dhe tortura të përjetshme.
Ndërsa ikonat e ikonostasit janë pikturuar nga mjeshtri Kostandin Zografi. “Me dorën e Kostandinit, nga Korça në vitin 1781, gusht 19”, shkruhej në ikonën e madhe të ikonostas të kësaj kishe(9). Ky paret druri është gdhëndur disa vite më vonë sipas mbishkrimit të bërë nën kryqin e tij(10).
Edhe në kishën e Shën Kollit në Vanajt ndeshen besimtarë të përkushtuar ndaj fesë. Një dukuri e tillë shihet te mbishkrimet dhe dedikimet që ata i bëjnë ikonave të shenjta duke i porositur ato me shpenzimet e veta. Të tilla kanë qenë ikonat e Shën Mërisë apo të Gjon Pagëzorit, në të cilat kemi dedikime të shkruara nga klerikë dhe laikë.
“Lutje shërbëtorëve të perëndisë, prift Nikollës dhe e të vëllait Kostandinit”, shkruhet në dedikimin e njërës prej tyre, asaj të Shën Mërisë(11). Përveç ikonostasit dhe amvoni, froni episkopal, stolat ku ulen besimtarët dhe tavani janë punuar prej druri të gdhendur. Por vlera të veçanta artistike kanë dy portat e drunjta të naosit, në të cilat artisti popullor ka krijuar motive të ndryshme floreale të cilat bartin vlera të mirëfillta artistike. Pikërisht për këto vlera arkitektonike e atistike, Shën Kolli, është shpallur monument kulture në vitin 1963(12). Gjithsesi gjatë viteve të ateizmit ai u përshtat për repart ushtarak duke ndërruar tërësisht destinacionin e tij. Vetëm pas rivendosjes së besimit fetar në vitin 1990, kisha, ju rikthye funksionit të saj si objekt kulti dhe vendvarrimi për banorët ortodoksë të fshatit.
1-Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles 2-Pandeli Zaka, Tradita e peshkimit në Libofshë (Myzeqe), Etnografia Shqiptare, nr. 16, Tiranë 1988, f. 227
Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 59
3-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 215-218
4-Po aty, f. 215-218
5-Po aty, f. 106
6-Po aty. f. 112
7-Theofan Popa, Shkolla e Korçës dhe tradita e saj në pikturën kishtare’’, Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike, Tiranë 1969
8-Fondacioni Grek i Kulturës Vatra i Tiranës, Katalog, Tirana-Fieri 20ë, 4
9-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 1998, f. 108
10-Po aty, f. 119
11-Po aty, 107-108
12-Gazeta Zyrtare Nr. 1 – 1963