/Voskopoja, Thesar i Orthodhoksisë – Përgatiti: Pandeli (Arbër) Zeneli

Voskopoja, Thesar i Orthodhoksisë – Përgatiti: Pandeli (Arbër) Zeneli

Pozita gjeografike
Në Veriperëndim të Korçës, në një largësi prej rreth 24 kilometrash prej saj dhe në një lartësi prej 1200 metrash mbi nivelin e detit gjendet Voskopoja. Sot, Voskopoja është një fshat turistik, i frekuentuar prej shumë vizitorëve, që tërhiqen prej bukurive dhe vlerave të saj, sa kulturore aq edhe fetare. Por, dikur Voskopoja, sidomos në shekullin XVIII, ishte një ndër qytetet më të rëndësishme të Perandorisë Osmane dhe Ballkanit.
Themelimi
Një pjesë e mirë nga rrethi i studiuesve, që janë dhënë pas hulumtimeve rreth Voskopojës, bie dakort për kohën e themelimit të saj. Ish Mitropoliti i Korçës, Evlogjio Kurila, në Disertacionin e tij të Doktoraturës, “Akademia e Re e Moskopojës”, në vitin 1935, si datë të themelimit të Voskopojës vendos fillimin e shekullit XIV. Një tjetër burim me vlerë për kohën e themelimit përbën edhe “Kodiku i Manastirit të Prodhromit”, i cili u botua prej Mitropolitit të Ksanthit, Joakimit. Në këtë dokument kur bëhet fjalë për ndërtimin e manastirit (“250 apo 300 vitepara vitit 1630 nga Krishti Shpëtimtar, pasi u themelua Moskopoja…”), tërthorazi ne kuptojmë se si datë themelimi të Voskopojës, autori i Kodikut konsideron vitin 1330 ose vitin 1380. Ndërsa konsulli i Austrisë në Janinë, Harbon, i cili në vitin 1843 vizitoi Voskopojën, shkruan: “Moskopoja, sipas Kodikut të saj të shpëtuar të vitit 1765, është ndërtuar në vitin 1338 prej hegjemonit të madh të shtëpisë së Muzakajve, pasardhësve të Joan Mustakut. Prej këtij Joani, lindi Andrea Muskatu, i quajtur Sebastokrator (1312-1337). Prej këtij lindi Theodhori, i quajtur Gersetis dhe prej tij lindi Andrea II(1337-1378), nga bijtë e të cilit Gjini mori vendet e Tomorit Ilirik, ku ndërtoi qytetin Gjinomadh, Theodhori mori Beratin, ndërsa Petroja Voskopojën. Mesa duket këtu bazohet edhe konsulli tjetër austriak Georg von Hahn në veprën e tij “Studime Shqiptare”, kur thotë se: “Moskopoja filloi që të banohet në vitin 1330 dhe se është një krijim i prijësit shqiptar Petro Muzakit”.
Mendime të tjera rreth themelimit të Voskopojës janë hedhur prej studiuesve grek Vutiras dhe Lambros, të cilët pajtohen për shekullin XVI, si kohë të themelimit të saj. Të njëjtën pikëpamje mbështet edhe Sakelaridhi, mësuesi i këtij qyteti, i cili në një përshkrim të vitit 1859 shkruan: “Thuhet se rreth fillimeve të shekullit XVI, një grup i përbërë nga maqedonë, epirotë dhe thesalë, që merreshin me blegtori dhe që dalloheshin me emrin vllehë, u ngulit këtu si koloni dhe ndërtoi qytetin, të cilin e emërtuan në sajë të profesionit të tyre, Voskopoli”. Megjithatë, sipas studiuesit Pirro Thomo, kisha më e vjetër e qytetit, Shën e Premtja, e cila konsiderohet si e njëkohëshme me themelimin e qytetit, përmbante afreske, që mendohet se i përkisnin shekullit XIV. Si rrjedhojë e këtij fakti vlen të thuhet se sipas shumë gjasave gjeneza e Voskopojës i ka rrënjët që në shekullin XIV.
Emri i qytetit
Për sa i përket emërtimit, më lartë përmendëm se emri Voskopojë rridhte prej profesionit të banorëve të saj. Nëpër burime të ndryshme të shkruara ndeshemi edhe me emrin Moskopol, i cili filloi që të përdorej pas vitit 1720 në librat e shtypur në shtypshkronjën e këtij qyteti. Por si u transformua emri i qytetit nga Voskopojë (qytet i barinjve) në Moskopojë (qytet i aromave)?
Voskopojarët kishin një marrëdhënie të ngushtë me Vëllazërinë e Varrit të Shenjtë të Krishtit në Jerusalem, të cilën e ndihmonin ekonomikisht. Për të shpërblyer bujarinë e tyre, mendohet se Patriarku i Jerusalemit ndërhyri tek Myftiu i qytetit për të siguruar një dekret, sipas të cilit Voskopoja do të quhej Moskopojë. U quajt kështu, jo vetëm në mënyrë simbolike për aromën e artit dhe kulturës që rrezatonte ky qytet, por edhe në kuptim të drejtpërdrejtë për ajrin e mbushur me aromën e pishave dhe bimëve të tjera aromantike, që gjendeshin në atë zonë. Bashkë me dekretin për ndërrimin e emrit, Patriarkana e Jerusalemit dërgoi në Voskopojë edhe një copë prej drurit të Kryqit të Krishtit. Ky thesar i paçmuar u fut në një këllëf ari të zbukuruar me gurë të çmuar dhe gjendej në Voskopojë deri në shkatërrimin e parë të saj, më pas u ruajt prej një familje voskopojare në Korçë deri kur nga mesi i shekullit XIX humbi përfundimisht.
Apogjeu i Voskopojës dhe popullsia
Shekulli XVIII do të shënonte apogjeun e Voskopojës. Qyteti u shndërrua në një qendër të lulëzuar të Ballkanit, që rrezatonte civilizim në një periudhë të vështirë jo vetëm për popujt ortodoks të Perandorisë Osmane, por edhe për vete Perandorinë. Sigurisht, duhet theksuar se i gjithë ky lulëzim erdhi si rrjedhojë e veprimtarisë së frytshme tregtare të banorëve të Voskopojës me qytetet e Europës, veçantërisht me qytetet e Austrisë dhe Hungarisë. Tregtimi i produkteve zejtare bëri që emri i Voskopojës të njihej jo vetëm në Ballkan, por edhe në Europë.
Rrjedhojë e lulëzimit ekonomik, ishte edhe zgjerimi i qytetit dhe rritja e numrit të banorëve të tij. Në lidhje me këtë pikë të shumta janë pretendimet. Disa historianë mendojnë se numri i popullsisë në kohën e apogjeut të qytetit arriti në 65,000 banorë dhe 12,000 shtëpi. Megjithatë ky numër duket pak i zmadhuar, pasi studiues të tjerë mendojnë hapësira e qytetit nuk mund ta lejonte ndërtimin e 12,000 shtëpive. Për këtë arsye, ende nuk është i sigurt numri i saktë i banorëve të Voskopojës, megjithatë sipas Mitropolitit Evlogjio Kurila, Voskopoja arriti të bëhej qyteti i dytë më i madh i Perandorisë Osmane në Europë pas Selanikut. Ajo ishte më e madhe dhe më e lulëzuar edhe se vetë qytete si Athina dhe Janina.
Statusi dhe administrimi
Në kuadrin e Perandorisë Osmane, Voskopoja gëzonte disa privilegje. Ajo kishte njëfarë të drejte vetëqeverimi në administrimin e qytetit, si edhe cilësohej si pronë mbretërore nën mbrojtjen e nënës sulltaneshë (Valide sulltanës), për këtë arsye ajo administrohej drejtpërdrejtë nga oborri i sulltanit. Privilegjet preknin edhe pjesën e taksimit, ku nga një mori taksash, që Perandoria kërkonte nga nënshtetasit e saj, voskopojarët paguan vetëm tre lloje taksash, taksën e nënshtrimit, taksën e xhelepit dhe xhizjen. Shumat e të hollave që, voskopojarët i paguanin Perandorisë, bënë që ata të fitonin privilegjin për t’u mos prekur prej proçesit të islamizimit dhe që asnjë mysliman të mos vendosej në qytetin e tyre. Në aspektin e brendshëm qyteti administrohej prej një organi të përbërë nga funksionarë (proestotë) të ngarkuar për kishat, shkollat, tregjet, sigurimin publik, vjeljen e taksave, etj. Ky organ udhëhiqej prej Arkondit të Madh, i cili zgjidhej çdo vit prej drejtuesve të lagjeve.
Besimi dhe Kishat
Duhet theksuar se epiqendra e të gjitha veprimtarive të voskopojarëve, si veprimtaritë tregtare e deri tek ato kulturore, ishte kisha. Kisha ishte qendra e jetës së tyre të përditëshme. Voskopojarët ishin ortodoks të denjë dhe krenarë për përkatësinë e tyre fetare, në një kohë dhe hapësirë ku ortodoksët konsideroheshin qytetarë të dorës së dytë. Ata e ruajtën me fanatizëm homogjenitetin fetar të qytetit të tyre, duke e kthyer kështu Voskopojën, një qendër që rrezatonte gjithandej vlerat e ortodoksisë. Shprehje e besimit të tyre tek Perëndia nuk ishte vetëm sasia e kishave, që voskopojarët ndërtuan për nder të Tij, por edhe stolisja e tyre me përkushtimin dhe devotshmërinë më të madhe për të falenderuar Perëndinë, që ju solli kaq shumë mirqënie, jo vetëm ekonomike, por edhe intelektuale dhe kulturore.
24 kishat e Voskpojës dëshmojnë jo vetëm për madhësinë dhe fuqinë e madhe ekonomike të qytetit, por edhe për fetarinë dhe devotshmërinë e madhe të voskopojarëve. Më poshtë do të përmendim disa prej kishave të Voskopojës, por në pamundësi për t’u zgjatur tek secila prej tyre, do të fokusohemi vetëm tek ato kisha, të cilat qëndrojnë edhe sot krenare dhe na flasin për madhështinë e dikurshme të Voskopojës. Ndër kishat e Voskopojës mund të përmendim:
1 ) Fjetja e Hyjlindëses.
2 ) Shën e Premtja.
3 ) Shën Dhionisi.
4 ) Shën Athanasi.
5 ) Shën Triadha.
6 ) Shën Joan Theologu.
7 ) Dymbëdhjetë Apostujt.
8 ) Kreyëngjëjt Mihail dhe Gabriel.
9 ) Shën Harallambi.
10 ) Shën Gjergji.
11 ) Shën Kostandini dhe Elena.
12 ) Shën Nikolla.
13 ) Shën Dhimitri.
14 ) Shën Varvara.
15 ) Shën Pjetri.
16 ) Shën Ana.
17 ) Profeti Ilia.
18 ) Shën Sotiri (Metamorfoza e Shpëtimtarit).
19 ) Manastiri i Shën Joan Pararendësit.
20 ) Paraklisi i Anargjendëve të Shenjtë.
21 ) Paraklisi i Shën Marinës.
22 ) Paraklisi i Shën Evthimit.
Siç përmendëm edhe më sipër, nga kishat e mësipërme, ne do të fokusohemi vetëm në kishat kryesore, të cilat sot përbëjnë një thesar material dhe shpirtëror të trashëgimisë ortodokse në veçanti dhe trashëgimisë fetare dhe kulturore të Shqipërisë në përgjithësi. Përshkrimin tonë do ta nisim nga Kisha, e cila sot gjendet në qendër të Voskopojës, nga Kisha e Shën Nikollës. Një mbishkrim në murin e krahut perëndimor të kishës dëshmon për kohën e ndërtimit të saj nga qershori 1721 deri në shtator të vitit 1722, ndërsa plotësimi i kishës me afreske, të ikonizuara prej David Selenicës, përfundoi në vitin 1726. Në muret e jashtme të pjesës jugore të kishës ruhen në një gjendje të mirë afresket e martirëve të besimit, të ikonizuar në vitin 1750 prej vllezërve ikonografë nga Korça Kostandinit dhe Athanasit, në kohën kur Mitropolit i Korçës ishte Niqifori. Ndërsa ktikori, ose financuesi i ndërtimit të kishës ishte Haxhi Jorgji, portreti i të cilit gjendet në një prej afreskeve të kishës. Kisha është e tipit Bazilikë dhe ndahet në tre nefe. Në kohët e mëparshme Kisha e Shën Nikollës, bashkë me konakët dhe paraklisin e Shën Evthimit përbënin një kompleks, prej të cilit sot na ka mbetur vetëm Kisha e Shën Nikollës dhe këmbanorja e saj e madhe, e lartë 11 metër, e cila është rindërtuar në vitin 1936.
Në vazhdim përshkrimi ynë do të vijojë me Kishën e Fjetjes së Hyjlindëses. Kjo kishë ishte edhe katedralja e qytetit ose kisha metropolitane. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një kishë të llojit bazikilë me tre nefe, vitit i ndërtimit të së cilës është i diskutuar. Në një mbishkrim të kishës ndeshemi me vitin 1712, por ende nuk është e qartë nëse ky vit është viti i përfundimit të ndërtimit të kishës apo viti i përfundimit të pikturimit të saj. Kjo dilemë vjen si rrjedhojë e dyshimeve rreth ndërtimit të kishës, pasi mendohet se ajo i përket fundit të shekullit XVII. Në portën perëndimore të kishës, gjendet i shkruar mbishkrimi: “U ndërtua dhe u pikturua ky tempull hyjnor dhe i gjithënderuar i Fjetjes së mbishenjtës, zonjës sonë Hyjlindëse dhe gjithmonë virgjëreshës Mari, me kontributin e priftit Kostandin dhe ikonomit prift Llazarit, me shpenzimet e arkondëve të shumënderuar dhe të të gjithë të krishterëve: Adam Papadhimitër Prendit, Adam Dhimitrit, Gjergj Llazarit, Kostandin Zibus, Dhimitër Vretos, Gjergjit, Gjergj Ambarit, Gjergj Papadhanilit, Kristo Nikollë Fllënxës, në kohën e peshkopatit e të gjithhirëshmit dhe të gjithditurit, Mitropolitit të Korçës, zotit Daniel të ndjerit, u përfundua me dorën tonë, të shërbëtorëve më të vegjël Theodhorit, Anagnostit, Sterianit nga Agrafa, në vitin prej Krishtit 1712, në muajin shkurt 25”.Ndërsa në portën jugore jashtë kishës, gjendet mbishkrimi: “Në qoftë se je mik hyr duke u gëzuar, nëse je armik dhe i urryer plot me dinakëri, larg, larg, ik nga kjo portë 1715”. Ky mbishkrim nuk është më, pasi humbi kur çatia e narteksit dhe hajatit të kishës u dogj nga gjermanët në tetor të vitit 1944, megjithatë studiues si Kostandin Skënderi dhe Evlogjio Kurila e kanë botuar atë, duke e konsideruar vitin 1715 si datë të ndërtimit të kishës.
Pjesa kryesore e kishës gjendet një metër nën nivelin e tokës. Afresket e jashtme të pjesës jugore janë të ikonizuara, siç u përmend më sipër prej Theodhorit, Anagnostit dhe Sterianit nga Agrafa, por dhe prej David Selenicës. Ndërsa ikonat e pjesës së brendshme, janë realizuar prej Kostandin Hieromonakut, rreth vitit 1703. Ngjitur me katedralen në drejtimin verior, më vonë është ndërtuar edhe paraklisi e Shën Marinës, ndërsa sipas dëshmive të banorëve vendas, brenda mureve të katedrales ka qënë ndërtuar edhe paraklisi i Anargjendëve të Shenjtë, Kozma dhe Damian. Kisha e Fjetjes së Hyjlindëses është ndër kishat, që në rrjedhën e historisë ka pësuar plaçkitje të ndryshme dhe të shumtamegjithatë ajo ende vijon që të ruajë madhështinë e saj.
Në një largësi jo shumë të madhe, rreth 2 km në veri të Voskopojës, gjendet Manastiri i Hirshëm i Pararenëdsit Joan, ose i Prodhromit, siç ndeshet shpesh nëpër burime të ndryshme. Përpara ndërtimit të manastirit, burimet na rrëfejnë historinë e papa Janit, të cilit, rreth vitit 1630, banorët e Voskopojës i ngritën buzë shkëmbinjve një godinë, ku të mund të qetësonte shpirtin e trazuar. Prej këtu nis edhe zanafilla e manastirit, i cili sipas Kodikut të tij, “Themelohet më 14 korrik 1634, ditë e premte me ktitor të parë igumenin, zotin Andon Hieromonakun”. Ndërsa mbi portën perëndimore brenda naosit të kishës së Manastirit, gjendet i mbishkrimi: “U rindërtua ky tempull hyjnor dhe i gjthnderuar me kontributin dhe shpenzimet e të shumënderuarit dhe shumë fisnikut arkondit zotit, zotit Gjergji Guço, në vitin 7140 (=1632). U pikturua ky tempull hyjnor dhe i gjithnderuar i shenjtit të lavdëruar dhe Pararendësit dhe Pagëzorit Joan, me igumen zotin Andon Hieromonak, dhe me shpenzimet e të shumënderuarit dhe shumëfisnikut arkon, zotit Mihail, biri i të ndjerit Kosta për shpirtin e tij dhe të bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, në kohën e peshkopatit të shumëlartit kryepeshkop të shumëshenjtës Justinianës së Parë, të Ohrit, zoti, zoti Ignat, në vitin 1659”.Pra, më konkretisht me anën e këtij mbishkrimi ne njihemi me vitin e themelimit të manastirit (1632) dhe me vitin e përfundimit të pikturimit të tij (1659). Por njëkohësisht ngritja e Manastirit dhe më vonë ndërtimi i kishës metropolitane të Fjetjes së Hyjlindëses na dëshmojnë për një lulëzim që Voskopojës qysh në shekullin XVII.
Nga kompleksi, që manastiri ka patur dikur, kanë mbetur pak ndërtime të vjetra, pasi ndërtimet ekzistuese janë të mëvonshme, megjithatë me anën e fotove të vjetra mundet të parafytyrohet gjendje e tij fillestare. Manastiri përbëhet prej konakëve, të cilët rrethonin kishën, që ishte qendra e tij. Ndërsa hyrja për në manastir bëhet nëpërmjet një porte të madhe sipër të cilës ngrihet edhe kulla e këmbanores. Një ndër trashëgimitë më të çmuara që ky manastir ka lënë në duart tona, është padyshim Kodiku i tij, i cili përbën një burim historik të çmuar, i cili hedh dritë mbi shumë aspekte të historisë dhe jetës së Voskopojës. Ky Kodik, pra Kodiku i Shën Prodhromit, u botua më vonë prej Mitropolitit të Ksanthit, Joakim Martinianit.
Në vitet e lulëzimit të tij Manastiri ishte shumë i pasur. Kishte në pronësi shumë dele, qe, kuaj dhe vreshta. I madh ishte edhe ofrimi i tij social. Ai ishte një vend që mikpriste udhëtarët, të cilëve ju ofronte ushqim, strehë, madje edhe kujdes shëndetësor. Aty mblidheshin njerëz të shquar prej vendeve të ndryshme të Epirit dhe Maqedonisë, madje në vitin 1779 aty u thirr edhe një sinod lokal kryepriftërinjsh, për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis Mitropolitëve të Durrësit dhe Beratit.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, konkretisht në qershor 1943, manastiri u bombardua me artileri dhe më pas u dogj prej italianëve. Konakët, që ne shohim sot janë ndërtuar në vitet e pas luftës.Shkatërrimeve të luftës nuk i shpëtuan as edhe një sërë botimesh, dorëshkrimesh dhe objektesh të tjerë me vlerë, që gjendeshin aty. Megjithë djegiet dhe shkatërrimet e herëpashershme, manastiri ka mbijetur deri në ditët e sotme. Ndoshta jo aq madhështor si dikur, kur shkëlqente si far i orthodhoksisë, por me të njëjtin Hir, që Perëndia e ka bekuar që prej themelimit të tij.
Duke lënë manastirin e hirshëm të Pagëzorit të Zotit në qetësinë e tij, vijmë në Kishën e Kryeëngjëjve të Shenjtë. Kjo kishë gjendet në pjesën jugperëndimore të qytetit, në lagjen e Shën Mëhillit. Edhe në rastin e kishës së Kryeëngjëjve, sikurse në rastin e kishës së Shën Nikollës, kemi të bëjmë me një kompleks ndërtesash, ku bashkë me kishën kryesore, bëjnë pjesë edhe parakliset e Shën Varvarës dhe Shën Spiridhonit. Një mbishkrim mbi portën perëndimore të kishës na informon për kohën ndërtimit të saj, në vitin 1722, në kohën e kryepeshkopit të Ohrit Joasafit.
Dy vite më vonë, në vitin 1724, Voskopoja u zbukurua me një tempull tjetër, për nder të Shën Athanasit dhe për lavdi të Perëndisë. Kisha, e pikturuar prej vëllezërve korçarë Kostandinit dhe Athanasit, gjendet në pjesën verilindore të qytetit, aty ku dikur gjendej lagja e Skamnelit. Në oborrin e kishës ngrihej edhe paraklisi i Shën Triadhës. Veç mbishkrimit, që hedh dritë rreth datimit dhe ndërtuesve të kishës, interesant është edhe një mbishkrim tjetër, që hedh dritë edhe mbi qëllimin e ndërtimit të saj: “Ejani tek unë të gjithë sa jeni, të lodhur e të ngarkuar dhe unë do t’ju mbroj juve. Mësoni prej meje, sepse jam i butë dhe i përvuajtur në zemër edhe keni për të gjetur prehje në shpirtrat tuaj, sepse atë që vjen tek unë nuk do ta nxjerr jashtë, sepse nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët për pendim”. Janë pikërisht këto fjalë, të zgjedhura me kujdes, që rrëfejnë se Kisha nuk është një ndërtesë e thjeshtë, e zbukuruar me disa ikona shenjtorësh, por Kisha është vendi ku njeriu gjen qetësi dhe prehje duke komunikuar me Perëndinë dhe duke kunguar Trupin dhe Gjakun e Tij.
Lulëzimi arsimor, kulturor dhe intelektual
Voskopoja nuk njihet vetëm për kishat e saj të mrekullueshme. Fama e saj është përhapur edhe si rrjedhojë e lulëzimit arsimor dhe kulturor, që ajo pati në vitet e kulmit të saj, kur arkondët dhe banorët e saj ndjenë nevojën e një shkolle dinjitoze për përmasat e qytetit. Bashkë me shkollën, Voskopoja u bë vatër edhe e një biblioteke të pasur dhe e një shtypshkronje, gjë që ishte e rrallë atëherë në Ballkan, edhe pse në Europë kishte rreth 2 shekuj që ishte shpikur.
Në gjysmën e parë të shekullit XVIII në Voskopojë funksiononin disa shkolla, të cilat edhe pse e kryenin më së miri detyrën e tyre, nuk mund t’i përgjigjeshin ritmit të zhvillimit të qytetit. Për këtë arsye shkolla kryesore e Voskopojës, në vitin 1744 u ngrit në nivelin e një shkolle të mesme, e cila më pas do të quhej “Akademia e Re”. Drejtues të kësaj shkolle kanë qenë njerëz të shquar, si Krisanth Hieromonaku, Sebast Leontiadhi, Grigor Kostandinidhi, i cili më vonë u bë Mitropolit i Durrësit, Theodhor Kavalioti, Grigor Argjirokastriti dhe Kostandin Hieromonaku Moskopoliti.
Godina e Akademisë, e ngritur në vendin e quajtur “Luadhi i Skolive”, ishte një godinë 3 katshe, me rreth 40 salla mësimi. Ndërtimi i kësaj godine zgjati rreth 10 vjet dhe u përfundua dhe inaugurua në vitin 1750, ngjarje që përmendet edhe në Kodikun e qytetit: “Në vitin 1750, me ndihmën e Mitropolitit të Voskopojës, Korçës dhe Selasforit, z. Niqifor dhe me ndihmën e arkondëve të ndershëm e fisnik të qytetit, z. Theodhor Vreto, Naum Theodhori e Kostandin Vreto, me ndihmën e këshillave mësimore të të shkëlqyerit mësues z. Theodhor Kavalioti u ndërtua nga themelet shkolla e famshme greqisht, kulmi i stolisjes së qytetit, bartëse e zakoneve, drita e kishës, me përpjekjet e tyre të vazhdueshme u forcua përgjithmonë”. Programi i shkollës mendohet të ketë qenë i barabartë me atë të shkollave të përparuara të Europës, madje disa prej lëndëve i afroheshin edhe nivelit të shkollave të larta. Emërimi në krye Akademisë i Theodhor Kavaliotit solli edhe modernizimin e programit mësimor, i cili përveç lëndëve klasike si Theologjia, Filozofia dhe Greqishtja e Vjetër, u me lëndë të tjera, për të cilat vetë Kavalioti kishte përgatitur tekste të veçanta.
Veç Akademisë, Voskopoja u stolis edhe me një Shtypshkronjë, e cila siç u përmend më sipër përbënte një fenomen të rrallë në Perandorinë Osmane dhe në Ballkan. Shtypshkronja e Voskopojës, ishte shtypshkronja e dytë në Ballkan, pas shtypshkronjës së vendosur në Kostandinopojë prej Patriarkut Shën Kiril Lukari në vitin 1627. Ky fakt ja shton edhe më tepër vlerën kësaj shtypshkronje.
Mendohet se shtypshkronja ka ardhur nga Venediku, në vitin 1730 dhe themelues i saj ishte Hieromonaku Grigor Kostandinidhi. Vendi ku ajo u vendos ishte në një ndërtesë të nëndheshme që bashkohej me kishën e Shën Joan Theologu, (sot e rrënuar) në vendin që quhet Luadhi i Skolive. Në këtë shtypshkronjë u shtypën shkrime të ndryshme, që nga shkrimet shkencore e deri në shërbesat e shenjtorëve dhe kryesisht jetët e shenjtorëve neomartirë të zonës së Ohrit, ndërsalënda më e madhe që botohej, përgatitej prej mësuesve të Akademisë së Re.
Bashkë me Akademinë dhe Shtyshkronjën, në Luadhin e Skolive u ngrit edhe një bibliotekë, në të cilën gjendeshin jo vetëm dorëshkrime të çmuara të teksteve kishtare, por edhe botime të teksteve më të njohur në Europë. Aty ruheshin edhe një sasi e madhe pergamenësh dhe kodikësh me vlerë, të cilat dëshmonin për lidhjet e jashtme të Voskopojës me qendra si Vjena, Venediku, Trieste, etj. Gjatë shkatërrimit të parë të Voskopojës, në vitin 1769, të gjithë librat dhe dorëshkrimet që u shpëtuan, u mblodhën në kishën e Fjetjes së Hyjlindëses. Disa të tjera janë gjetur në bibliotekën e gjimnazit grek të Korçës. Mbetejet e fundit të bibliotekës llogariten në rreth 1700 vëllime, të cilat nuk i shpëtuan barabarive, që sollën shkatërrimin e qytetit në vitin 1916.
Të tre këto qendra, Akademia, Shtypshkronja dhe Biblioteka dëshmojnë për nivelin e madh kulturor dhe intelektual, që Voskopoja kishte arritur në atë periudhë. Vlen për t’u përmendur fakti se ato janë ngritur prej kontributeve të vetë voskopojarëve dhe me mbështetjen e pakursyer dhe të çmuar të Kryepeshkopit të Ohrit, Joasaf Voskopojarit, i cili u tregua një hierark i denjë i kishës sonë, një ndër njerëzit më erudit të kohës së tij dhe një voskopojar i shquar.
Shkatërrimet
“O Voskopojë, Voskopojë, e bukur dhe e pasur, do të vijë koha kur njerëz të ngurtë në zemër do të hidhen kundër teje dhe do të sjellin shkatërrimin tënd përfundimtar. Shtëpitë e tua të larta dhe fisnike, të cilat sot ngjasojnë me pallate, do të bëhen të shkreta. Aty ku sot dëgjohen këngët argëtuese, një ditë do të dëgjohen vajtimet e grave dhe fëmijëve, sepse ky qytet do të shkatërrohet. Por le të jenë të bekuara malet përreth, të cilat do të shpëtojnë shumë shpirtra”. Këto fjalë, që dolën prej gojës profetike të Shën Kozmait të Etolisë, i cili kishte vizituar Voskopojën gjatë kohës së apogjeut të saj, do të plotësoheshin disa herë.
Brenda një periudhe 20 vjeçare Voskopoja u shkatërrua tre herë, konkretisht në vitin 1769, 1772 dhe në vitin 1789. Dy shkatërrimet e para mund të konsiderohen si një proces i vetëm në vazhdim. Studiuesit janë të ndarë për sa i përket arsyeve të kësaj fatkeqësie. Disa studiues i lidhën këto ngjarje me luftën Ruso Turke (1768-1774), ku voskopojarët ndihmonin kryengritësit himariotë kundër pushtetit osman. Ndërsa konsulli francez në Janinë Pukëvili shkruan se: “Bandat myslimane të Dangëllisë dhe Kolonjës dhanë të parat shenjat e fatkeqësisë, duke ia nisur plaçkitjeve dhe vrasjeve të karvaneve që shkonin në treg të Voskopojës. Nga ana e tyre bejlerët turq të Myzeqesë, për shkak se do t’u ndihmonin nënshtetasve të trazuar të sulltanit, vendosën garnizonin në qytet dhe pas dhjetë vjet shkatërrimesh, grabitjesh dhe luftërash Voskopoja u zhduk nga sipërfaqja e Shqipërisë. Dyqind kasolle të banuara nga barinjtë e shkretë, ja çka mbeti nga ky qytet”. Lulëzimi i qytetit kishte verbuar shpirtrat lakmitarë të bejlerëve të zonave përreth, të cilët me pretekste të ndryshme dhe të paqena kërkonin të nxirrnin haraçe prej voskopojarëve.
Pas dy shkatërrimeve të para,qyteti pati një farë përmirësimi të gjendjes ekonomike dhe një rimëkëmbje, e cila dëshmohet prej Kodikut të Kishës së Shën Harallambit, por kjo rimëkëmbje nuk do të zgjaste shumë. Lufta për pushtet midis ajanëve të kohës do të sillte edhe shkatërrimin e saj të tretë në vitin 1789, kur Ali Pashë Tepelena në konfliktin kundër Kurt Ahmet Pashës së Beratit, pushtoi mjaft krahina të Toskërisë, që ishin nën varësinë e këtij të fundit. Midis tyre gjendej edhe Voskopoja, e cila pas rrënimit të tretë u kthye në një fshat.
Kushtet e vështira që rrodhën pas shkatërrimeve bënë që një numër i madh voskopojarësh të braktisnin atëdheun e tyre. Kodiku i Manastirit të Shën Prodhromit na rrëfen për braktisjet e Voskopojës që në shkatërrimin e parë të saj, ku midis të larguarve ishte edhe igumeni Parthen, i cili u detyrua që të shkonte në Hungari dhe në Venedik. Shumë voskopojarë të tjerë gjetën strehë në Korçë, ndërsa grupe të tjerë u vendosën në Berat, Vlorë, Kavajë, Fier, Përmet, Elbasan, etj. Familje të tjera u vendosën nëpër qendra jashtë hapësirës shqiptare, si në Selanik, Kostandinopojë, Adrianopojë, Manastir, Serez, Kavallë, Ohër, por edhe nëpër qytete të ndryshme të Europës, ku voskopojarët kishin bashkësitë e tyre tregtare. Këtu vlen për t’u përmendur qyteti i Vjenës, ku komuniteti orthodhoks përbëhej kryesisht prej voskopojarëve, kishën e të cilëve e kishte ndërtuar voskopojari i shquar Baroni Sina.
Sikur të mos mjaftonin vuajtjet e shkaktuara prej rrënimeve të njëpasnjëshme, Voskopoja mori edhe një goditje tjetër në tetor të vitit 1916, kur në rrjedhën e Luftës së Parë Botërore, ajo u shkatërrua dhe plaçkit për herë të fundit. Banorët në panik e sipër u larguan për në Korçë, disa të tjerë u strehuan në Manastirin e Shën Prodhromit dhe të tjerë u mbyllën në shtëpitë e tyre. Shtëpi që digjen, Kisha të shkretuar dhe Kufoma të shpërndara nëpër rrugë,të pavarrosura plotësonin tablonë tragjike të Voskopojës së atyre ditëve.
Shkatërrimi i katërt ishte katastrofik për Voskopojën. Rrezatimi, që ajo kishte u shua, duke e lënë kujtimin e saj nëpër analet e historisë, por edhe në kishat e saj madhështore, që kanë arritur deri në ditët tona, si për të na dëshmuar për Voskopojën e lavdishme, që me të drejtë është quajtur “Parisi i vogël i Lindjes” apo edhe “Lulja e Ballkanit”.
Njerëz të shquar të Voskopojës
Nuk mund ta mbyllin udhëtimin tonë në Voskopojën e ndritur pa përmendur disa personazheve më të shquar, që dolën prej asaj vatre. Ata ishin produkti më i mirë dhe dëshmia më e përsosur e zhvillimit intelektual, fetar dhe kulturor të Voskopojës. Njerëz revolucionar në zemër dhe mendime, njerëz, që donin zhvillimin dhe mbi të gjitha njerëz, që donin Krishtin dhe besimin orthodhoks.
1. Nektar Terpo
Së pari, do të ndalemi tek figura e Nektar Terpos, i cili tashmë konsiderohet si pararendës i veprës së Shën Kozmai të Kolkondasit. Me fjalën e tij të zjarrtë, të mbushur plot hir dhe dashuri për Krishtin dhe të afërmin, ai shpëtoi shumë shpirtra orthodhoksësh prej tundimit të apostazisë. Lindi në Voskopojë në vitin 1690 në një familje të pasur. Shkronjat e para i mësoi në shkollat e vendlindjes dhe i plotësoi studimet e tij në Akademinë e Re. Në vitin 1709 gjendet në Skitin e Shën Anës në Malin e Shenjtë, ku përmendet si Nektar Hieromonaku Voskopojari. Pasi largohet prej Malit të Shenjtë vendoset në Manastirin e Shën Naumit në Ohër dhe prej andej zhvendoset në Manastirin e Ardenicës në Myzeqe. Aty jetoi dhe veproi për një periudhë të madhe kohore si murg, atë shpirtëror dhe igumen. Si igumen Nektari u interesua për mbarëvajtjen e punëve të Manastirit. Gjatë periudhës ku ai ishte igumen, Manastiri i Ardenicës njohu një zhvillim të madh dhe u bë një qendër shpirtërore e zonës me një veprimtari të gjerë sociale, arsimore dhe filantropike.
Nga ky Manastir filloi edhe veprimtarinë e tij fetare midis viteve 1720-1730, kur një pjesë e mirë e shqiptarëve, veçantërisht ata të Shqipërisë së mesme, ishin islamizuar. Vështirësitë që Nektari hasi gjatë gjithë udhëtimeve të tij hierapostolike ishin të mëdha. Madje shumë herë rrezikoi edhe jetën e tij. Mund të përmendim këtu rastin e fshtatit Dragot në vitin 1724, kur Nektari kishte shkuar me rastin e Krishtlindjeve. Kur shkoi në kishë gjeti vetëm gra, pasi burrat ishin islamizuar. Ai foli ashpër. Akuzoi turqit për barbarinë e tyre, por edhe mohuesit e fesë, të cilët për më pak taksa mohuan besimin e etërve të tyre. Por pas këtij predikimi ai u kap prej dy femohuesve dhe u torturua ashpër.
Në vitin 1730, Nektari shkon në Venedik, ku dy vite më vonë boton librin e famshëm “Pistis” (Besimi). Siç vetë ai shkruan, këtë libër nuk e shkroi për njerëzit e ditur dhe të arsimuar, por për fshatarët dhe të paarsimuarit, pasi në ato vende të Turqisë gjendet të krishterë, të cilët mashtrohen dhe mohojnë Krishtin për t’u lehtësuar nga taksat dhe në këtë mënyrë jepen tek duart e djallit. Përveç veprës “Besimi”, Nektari shkroi edhe librin “Çështje të ndryshme theologjike me pyetje përgjigje, të mbledha prej shkrimeve të Athanasit të Madhe dhe prej etërve të tjerë”, të cilin e botoi po në Venedik në vitin 1732.
Pas botimit të këtyre dy veprave, nuk kemi shumë informacion për Nektar Terpon. Nuk e dimë nëse u kthye apo jo nga Venediku, ashtu siç nuk dimë as vendin dhe as kohën kur fjeti. Megjithatë vlen për t’u theksuar se vepra e tij e bëri atë të pavdekshëm. Ai luftoi me zell për besimin orthodhoks në një kohë kur ai rrezikonte të zhdukej prej zemrave dhe ndërgjegjes së orthodhoksëve shqiptarë. Përdori gjuhën e popullit, për ti shpjeguar atij mesazhet e theologjisë dhe për të mbajtur Krishtin në shpirtin e tij.
2. Joasaf Voskopojari, Kryepiskop i Ohrit
Joasafi lindi në vitin 1660 në Voskopojë. Me origjinë ishte prej familjes së pasusë së Godo Ikonomit. Mësimet e para i mori në vendlindjen e tij, dhe më pas studioi filologji, retorikë dhe theologji. Në moshë të re vendosi për të ndjekur jetën priftërore. Pas dorëzimit në dhjakon dhe prift, në vitin 1706 u zgjodh si episkop i Prespës dhe tre vite më vonë, më 1709 u zgjodh si mitropolit i Korçës. Më 18 qershor 1718 zgjidhet si Kryepiskop i Ohrit, duke pasuar në fron Filotheun nga Nausa. Fronëzimi i tij u krye në shkurt të vitit 1719 në kishën e Shën Sofisë në Ohër.
Gjendja e kryepiskopatës së Ohrit, në kohën e hypjes së tij në fron ishte shumë e vështirë. Ajo kishte probleme të mëdha financiare për shkak të borxheve të mëdha të klerikëve, për shkak të keqadministrimit të pasurisë së kryepiskopatës, por edhe për shkak të grindjeve mes hierakëve të saj. Vetëm gjatë 50 viteve 1650-1700 në fronin kryepiskopal të Ohrit ishin ngjitur 19 kryepriftërinj. Gjatë periudhës së tij si kryepiskop i Ohrit arritjet e tij ishin të shumta. Kështu ai ndaloi ndryshimet e shpeshta të kryepriftërinjve. U vendos që kryepiskopët e zgjedhur do të ishin autoktonë dhe njëkohësisht forcoi nderimin për shenjtorët lokalë, si Shën Naumi, Klementi, Vladimiri, etj. Ai ia doli të nxirrte firmane prej pushtetit osman, që lejonin ndërtimin e kishave në zonën e përgjegjësisë së kryepiskopatës, ndërsa kisha të tjera u restauruan. Me mbështetjen e tij u ndërtuan shkolla dhe biblioteka. Këtu mund të përmendim kontributin e tij të paçmuar për lulëzimin intelektual të Voskopojës, ku me bekimin e tij u ngritën Akademia e Re dhe Biblioteka shumë e çmuar e saj. Gjithashtu Joasafi arriti që të shlyejë borxhet e kryepiskopatës, ndërsa të rinjve u dha bursa për studime në qendra të rëndësishme arsimore të kohës.
Veprën e tij të shquar e ndali vetëm vdekja. Ai vdiq më 22 tetor 1745 dhe u varros në Ohër, duke lënë pas emrin e një hierarku të denjë të Kishës Orthodhokse. Gjithashtu, ai pas la edhe kujtimin e një patrioti të shquar, i cili aq shumë e deshi Voskopojën, qytetin e tij të lindjes. Por nga ana tjetër edhe Voskopoja u krenua me birin e saj shumë të dashur, i cili ishte tregues i shkëlqyer i lulëzimit dhe apogjeut të saj.
3. Grigor Voskopojari, Mitropolit i Durrësit
Grigori ishte themeluesi, botuesi dhe redaktori i shtypshkronjës së Voskopojës. Përveçse prift, ai u tregua edhe si një prej intelektualëve më të shquar të shekullit XVIII. Madje në botimet e shtypshkronjës së Voskopojës ai përmendet si “më i dituri dhe më i mençuri nga të gjithë murgjit hierodhaskenj (prift mësues) të Voskopojës. Në vitin 1768, Grigori zgjidhet mitropolit i Durrësit duke u bërë i famshëm më vonë me emrin Grigori i Durrësit. Paralelisht me veprën baritori në dobi të besimtarëve orthdodhks të enorisë së tij, ai u angazhua edhe me përkthimin e Shkrimit të Shenjtë në gjuhën shqipe. Në këtë mënyrë, ai mund të konsiderohet me shumë të drejtë si një prej nismëtarëve të kësaj veprimtarie. Gjithashtu ai ishte autor i mjaft shkrimeve me përmbajtje theologjike, që u shtypën në Voskopojë. Këtu mund të përmendim jetëshkrimin në greqisht të Shën Kirilit dhe Metodit, jetëshkrimin e Shën Nikodhimit nga Vithkuqi, etj. Vdiq në vitin 1772 në Manastirin e Shën Joan Vladimirit në Elbasan, ku mendohet të ketë lënë edhe disa dorëshkrime shqip, madje thuhet se edhe Anonimi i Elbasanit është vepër e tij, e shkruar në gjuhën shqipe duke përdorur një alfabet origjinal të shqipes.
4. Theodhor Kavalioti
Theodhor Kavalioti ishte personalitet i shquar në fushën e pedagogjisë dhe filozofisë së shekullit XVIII. Më së shumti u dallua si mësues në Akademinë e Re, ku jepte lëndët e gramatikës, filozofisë, teologjisë dhe shkencave të natyrës. Ai ishte autor i shumë teksteve shkencore mësimore, ndër të cilat kanë shpëtuar vetëm tre traktate mësimore në dorëshkrim, “Logjika”, “Fizika” dhe “Metafizika”. Gjithashtu prej tij ruhet edhe libri “Protopira”. Ky libër përmbante lutje dhe këngë kishtare, tregime nga historia biblike dhe kishtare, fjalë të urta si edhe një fjalor trigjuhësh, greqisht-arumanisht-shqip, i cili kishte rreth 1200 fjalë shqipe. Mendohet se Kavalioti ndërmori edhe përkthimin e Dhiatës së Re në shqip, por dorëshkrimi ka humbur. Bashkë me Kost Beratasin, si konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të vjetër të Shqipërisë jugore. Pas një karriere të shkëlqyer në lëmin e arsimit, në vitin 1784, bashkë me të birin Anastasin, fillon që të merret me tregti deri më 11 gusht 1789, kur edhe ndërron jetë.
Përveç personazheve të sipërpërmendur, Voskopoja krenohet edhe me shumë të tjerë burra të shquar, të cilët nderuan si vetë Voskopojën ashtu edhe besimin e tyre orthodhoks. Kështu personazhe si Mitropoliti i Kosturit Dhionis Maduka (1648-1741), Mitropoliti Joakim Martiniani (1875-1953), Daniel Voskopojari, hieromonaku Ambros Pamberi, Dhimitër Pamberi, Gjergj Sina, Simon Sina, etj. dalluan për veprimtarinë e tyre të shquar.