/Llënga dhe manastiri i Shën Marenës Nga Ilirjan Gjika

Llënga dhe manastiri i Shën Marenës Nga Ilirjan Gjika

Llënga është një prej fshatrave të krahinës së Mokrës e cila ndodhet në perëndim të Pogradecit. Është e përmendur për kanionin e njohur me të njëjtin emër përgjatë rrjedhës së sipërme të lumit Shkumbin, si dhe për disa objekte të njohura kishtare. I tillë është edhe manastiri i Shën Marenës që ngrihet në pjesën veriore të fshatit mbi livadhet e Mujazës, një vend i njohur për besimin dhe mrekullitë që lidhen me të(1). I përbërë nga kisha, konakët, burimi i ujit shërues të ‘’Najazmës’’ dhe shpella e Shën Marenës, manastiri i dedikohet shenjtores së njohur, e cila nderohet këtu si një kult lokal.
E lindur në qytetin e Antiokisë në Azinë e Vogël, Shën Marina është një prej shenjtoreve më të njohura të krishtërimit. Ajo jetoi gjatë shek. III dhe ju kushtua qysh në vogëli besimin të krishterë, që do ti sillte mohimin nga familja dhe persekutimin prej autoriteteve romake prej të cilave u martirizua. Reliket e Shën Marinës ruhen në Athinë dhe në Malin e Shenjtë në Greqi. Ndërkohë në krahinën e Mokrës ruhet një legjendë vendase për shenjtoren e njohur, të cilën e ndeshim me emrin Shën Marena. Për të ushtruar besimin dhe shpëtuar përndjekjes, ajo u vendos në fshatin e Llëngës, ku u strehua në shpellën që sot mban emrin e saj. E përkushtuar ndaj besimt dhe shërbimit Shën Marena dilte çdo mëngjes dhe lahej në ujin e burimit. Kohë më pas, duke u nderuar si shenjtore mrekullibërëse dhe shëruese, banorët vendas ndërtuan për të, kishën dhe manastirin në fjalë(2).
Kisha e Shën Marenës është një bazilikë njënefëshe me përmasa 11.85 x 6.75 m(3). Mendohet se është ndërtuar në mesin e shek. XVII ndërsa mbishkrimi më i vjetër është ai i pikturimit, që ndodhet në pjesën e brendshme të portës perëndimore të naosit.
“U pikturua ky tempull hyjnor dhe i gjithnderuar i dëshmores së madhe të Krishtit, shën Marinës, me ndihmën e të gjithë të krishterëve, të esnafëve, të mjeshtërve, të rrobaqepësve, të kasapëve dhe të karvaneve të vegjël e të mëdhenj, që gjenden në qytetin Llëngë, me përpjekjet dhe shpenzimet e të shumëdevotshmit prift Gerasimit dhe mbikqyrsit të këtij manastir të shenjtë, me kujdesin dhe kontributin e të shumëndershmit, kryetarit Gjergj Nikollë Manit, së bashku me pleqtë që e pasonin atë, emrat e të cilëve së bashku dhe të peshkopit dhe të priftërinjve gjenden në tempullin hyjnor të shën Gjergjit, në mes të qytetit, si të ekspozuara për ata që do ti lexojnë. U përfundua në vitin prej Krishtit 1754, muaji tetor 2”, shkruhet në të(4).
Por ky mbishkrim është dhe një dokument me rëndësi për historinë e Llëngës. Ai na dëshmon se, në vitin 1754 ky vendbanim funksiononte si qytet ku ushtronin veprimtarinë dhe funksionin e tyre disa esnafe dhe karvane tregtare. Po kështu, aty ndeshim edhe peshkopin dhe kishën e Shën Gjergjit, e cila sipas gjasave mund të ketë qenë kisha peshkopale. Tek ky aludim të çojnë të dhëna të tjera që na vijnë nga një tjetër kishë e Llëngës, ajo e Shën Thanasit.
E ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XVII, në këtë bazilikë njënefëshe me përmasa 12 x 8.25 m gjendet i shkruar në mbishkrimin e portës perëndimore edhe emri i peshkopit Arsen Vako. Gjatë viteve 1685-1699 ai ndeshet në aktet e Kryepeshkopatës së Ohrit si peshkop i Gorës dhe i Mokrës(5).
Përsa i përket arkitekturës kisha e Shën Marenës përbëhet nga naosi, altari, narteksi të cilat janë ndërtuar përpara pikturimit në vitin 1754. Ndërsa portiku jugor i kësaj faltoreje është shtuar më vonë. ‘’E ndërtoi at Sotiri (Ropra) … 1832’’, shkruhet në mbishkrimin ndërtimor të tij(6).
Naosi ndahet nga altari prej një ikonostasi druri, ikonat e të cilit janë vepër e piktorit Kostandin Shpataraku. Ndërkohë që edhe i gjithë interieri i kishës është i pikturuar me afreske të pikturuara në vitin 1754 po nga ky mjeshtër(7).
Afresket dekorojnë gjithë interierin e kishës të ndarë në pesë breza pikturash. Në brezin e katërt mjeshtri Shpataraku ka trajtuar edhe skenën e martirizimit të Shën Marenës.
Nga mbishkrimet e afreskeve dhe ikonave përfitohen të dhëna të rëndësishme dokumentare me karakter jo vetëm historik por edhe etnografik për Llëngën dhe më gjerë për Mokrën. Në to gjejmë jo vetëm emrin e piktorit, hierodhiakon Kostandinit, por edhe ato të klerikëve dhe laikëve, banorë të Llëngës si: At Gerasimit, At Sotirit, Gjergj Nikoll Manit, Kosta dhe Mark Nirrës(9).
Kulti i shenjtores kremtohet në këtë manastir në 17 korrik, ku dikur zhvillohej edhe panairi tradicional. Ndërsa sot përveç pelegrinazhit të çdo viti, kisha është e hapur në çdo kohë për besimtarët dhe vizitorët e shumtë. Ata vijnë për të mrekullitë shëruese të shpellës së Shën Marenës dhe burimit të Najazmës, për besimin dhe shlodhjen shpirtërore.
Përveç të qënit një vend i rëndësishëm kulti, Llënga ka xjerrë nga gjiri i komuntetit të saj edhe personalitete të shquara klerikale, që kanë shërbyer këtu por edhe në vende dhe funksione të tjera. Midis tyre mund të përmendim edhe Kryepiskopin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë Imzot Damian Kokoneshin gjatë viteve 1966-1967, i cili do ta kryente këtë detyrë në kohën më të vështirë për funksionimin e klerit gjatë viteve të komunizmit(10).
….………….
1-Gjergji Tasi Gusho, Mbi përhapjen e krishtërimit dhe të kishave në rrethin e Pogradecit, D. I. J. A. – Poradeci, Pogradec 2000, f. 110-119
2-Po aty, f. 110-119
3-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Akademia e Shkencave, Tiranë 1998, f. 62-64, 68
4-Po aty, f. 62-63
5-Po aty, f. 58-59
6-Po aty, f. 63-64, 68
7-Po aty, f. 62, 64
8-Gjergji Tasi Gusho, Mbi përhapjen e krishtërimit dhe të kishave në rrethin e Pogradecit, D. I. J. A. – Poradeci, Pogradec 2000, f. 111
9-Po aty, f. 62-64, 68
10-Andrea Llukani, Kryepeshkop Damjan Kokoneshi, Tiranë 2020, f. 3-4