Kisha “Fjetja e Shën Marisë”, Bishqethëm
Nga Ilirjan Gjika
Bishqethmi është një nga fshatrat e Bashkisë Lushnje i cili ndodhet rreth 10 km në jugperëndim të këtij qyteti. Si pjesë e njësisë administrative Kolonjë, ai, shtrihet përgjatë fushës së Myzeqesë së Madhe, duke u kufizuar me fshatrat: Shakuj, Lumth, Krutje e Poshtme, Pirrë dhe Kamçisht (1). Interesant është edhe emri Bishtqethëm, që do të thotë ‘’Bisht i qethëm’’ (Bisht i qethur), ashtu si dhe vendbanimet e tjera aty pranë që bartin emra të shpjegueshëm dhe me kuptime në gjuhën shqipe. Të tilla janë Krutje-Krua, Lumth-Lumë, Toshkëz-Toskë, Bubullimë-Bubullin, Rrapëz-Rrap, Ferras-Ferrë, Pirrë-një lloj bime barishtore që rritet këtu, etj. Pavarësisht origjinës së emrit për të cilin tregohen disa legjenda rreth një ngjarje të kohërave të shkuara, Bishtqethmi, dëshmohet si vendbanim i vjetër që prej shek. XIII, ku gjenden edhe rrënojat e një kishe të dikurshme (2). Po kështu, këtu kalonte dikur edhe shtrati i lumit Devoll përpara bashkimit të tij me Osumin, fakt që vërtetohet sot edhe nga emërtimi i fshatit Lumth aty pranë. Lidhur me të, si dhe për një zhvendosje të popullsisë nga fusha e Savrës drejt bregut të lumit, në Bishtqethëm, ekziston edhe një tjetër gojëdhanë e vjetër (3). Ndërkohë që monumenti më përfaqësues i tij është kisha ‘’Fjetja e Shën Mërisë’’ e cila gëzon edhe statusin Monument Kulture. E ndërtuar në vitin 1798, faltorja, përfaqëson tipin e bazilikave të Myzeqesë e rrethuar nga tre anët prej hajateve (4). Prej kohësh studjuesit kanë aluduar se kjo kishë është ndërtuar mbi themelet e një kishe më të vjetër të shek. XIII (5). E përbërë nga elementët kryesorë si naosi trenefësh, altari, absida gjysëmrrethore dhe këmbanorja e drunjtë në pjesën perëndimore të saj, ajo mbulohet nga një çati dyujëse.
Në librin e tij ‘’Mbishkrime të kishave në Shqipëri’’, studjuesi Theofan Popa shkruan se përmasat e naosit të saj janë 17.50 x 8.60 m. Ndërsa studjuesi Niko Ferro, në librin ‘’Kishat e Lushnjes dhe të Divjakës’’, na jep përmasa të tjera prej 16,75 x 8.50 m (6). Ndërkohë që naosi përbëhet nga tri nefe të ndara nga dy radhë kolonash, ku nefi qëndror është më i lartë dhe më i gjerë se dy nefet anësorë (7). Ashtu si edhe në kishat e tjera të kësaj zone, kolonat, janë prej druri të veshur me rripa dërrase dhe sipër tyre mbështeten harkadat gjatësore. Prej druri të zbukuruar dhe të ngjyrosur me motive të ndryshme ornamentale, përbëhen edhe tavanet e secilit nef, si dhe mafili, amvoni, ikonostasi, etj.
Kisha ndriçohet nga dritare të vogla në pjesën veriore dhe jugore, ndërsa si hyrje shërbejnë dy porta në pjesën perëndimore dhe jugore të saj. Objekti rrethohet nga të tre anët me hajate që mbështeten në kolona druri, ku ai perëndimor është më i madh dhe më i gjerë se dy hajatet anësorë. Ndërkohë në pjesën lindore të naosit ndodhet altari që përbëhet nga protezisi, bema dhe diakonikoni. Jashtë tij bie në sy absida gjysëmrrethore e ndërtuar nga breza të kombinuar gurësh të latuar dhe tullash, ku në pjesën e sipërme kufizohet nga një kornizë tullash të vendosur në formën e dhëmbëve të sharrës (.
Ashtu si pjesa më e madhe e kishave të Myzeqesë të ndërtuara në shek. XVIII edhe kisha e ‘’Fjetjes së Shën Mërisë’’ në Bishtqethëm, është e dekoruar nga afreske të punuara mjeshtërisht nga piktorët ikografë të familjes Çetiri. Në këtë zonë të Myzeqesë së Madhe, Çetirët nga Grabova kanë pikturuar kishat e Shën Thanasit në Karavasta, Shën Kollit në Toshkëz, Shën Kollit në Krutjen e Sipërme, Shën kollit në Vanaj, Shën Mërisë në Kolkondas, Shën Todrit në Kadipashaj, Apostujve Pjetër dhe Pal në Zhymë, pa përmendur me dhjetra ikona në shumë kisha të tjera (9).
Karakteristikë e kësaj faltoreje është se afresket e saj janë pikturuar në te faza tyë ndryshme kohore. Këtë na e dëshmojnë mbishkrimet e tyre. Kështu pikturat e para të saj janë pikturuar nga mjeshtri Joan Çetiri. Një gjë të tillë e dëshmon edhe mbishkrimi që gjendet mbi portën jugore brenda kishës, në të cilin lexohet se: “U pikturua ky tempull në vitin shpëtimtar 1798 dhe u përfundua në muajin tetor 20, me dorën e Jan Çetirit nga qyteti Grabovë, në kohën e gjithhirshmit Mitropolitit të Beratit, zotit Joasaf dhe të priftërinjve prezent, Simonit, Petrit, Kostandinit dhe të subashëve Apostoli Mile Sagjinit, Mile Bita Suti Selekut, Simon Kolias, Kostandin Gjonit, Gjergj Elos, Kosta Nushit, Birdufit, Dimo dhe Niko Niçarit, Simoni Subashit dhe Sotir Kolës dhe në vazhdim, të këtyre i kujtoftë zoti ynë Jezu Krisht në mbretëri të qiejve” (10).
Ndërkohë ikonat e ikonostasit janë pikturuar në vitin 1829 nga Naun Çetiri. Një fakt të tillë na e dëshmon mbishkrimi në ikonën e madhe të Krishtit, ku shkruhet se: ‘’U pikturua kjo ikonë me shpenzimet e Spiro Bushit, Josif Shtëmbarit dhe vëllait të tij Petushit. I përjetshëm kujtimi i tyre. Me dorën e Naum Çetirit 1829, prill 1’’ (11). Ndërsa nga mbishkrimi që gjendet i gdhëndur nën kryqin e këtij pareti druri është shënuar viti 1828, që është edhe data e punimit të tij (12)
Disa prej ikonave të tjera të këtij ikonostasi, për vlerat e tyre artistike ruhen në fondet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë (13). Ndërkohë që afresket e dyta në këtë kishë janë pikturuar në vitin 1849 nga piktorët e tjerë të kësaj familjeje: Gjergji dhe Ndini. Një gjë e tillë shihet te mbishkrimi i kolonës së amvonit, që ndodhet në faqen veriore të naosit qëndror, në të cilin shkruhet: “U pikturua ky tempull në vitin shpëtimtar 1849 dhe u përfundua në muajin prill 25, me dorën e Gjergj Nikollë Çetirit dhe nipit të tij Ndinit, nga qyteti Grabovë, në kohën e të shumëhirshmit mitropolitit të Beratit, zotit Joasaf dhe të priftërinjve prezent, at Vasilit dhe at Athanasit dhe at Janit dhe kujdestarit të saj Mark Rombos, subashëve pleqve Koli Athanasit, Stas Ndrezkas, Avram Milos,Josif Dodo Gjinit, Stas Kuqit, Sirofe Çorrit, Naum Zikut, Ndine Dakës, Postol Veliojas, Nas Pinas, ristan Dreçkës, Kostandin Kondos, Mihal Davidit, Trifon Tolit, Sotir Dreçkës, Gidhon Halilit, Mihal Kondakçiut, Pali Gugës, Stefan…” (14).
Kurse në vitin 1853, Gjergji dhe Ndini, do të jenë përsëri mjeshtrat ikonografë që do të kompletojnë me afreske edhe pjesën jugore të kishës. ‘’Është pikturuar ky tempull i hyjshëm me kontributin e të krishterëve dhe të kujdestarit të tij Josif Gjinit dhe birit të tij Trifonit, me dorën e Gjergj Çetirit dhe nipit të tij Ndinit. (Paçin) ndihmën e Perëndisë’’, shkruhet në mbishkrimin përkatës (15). Ndërsa në perëndimore të kishës, sipër portës së hajatit, ngrihet një këmbanore prej druri, në të cilën ndodhet një këmbanë që mban mbishkrimin: ‘’1859. Me dorën e Gjergjit dhe Vasilit Caraplanitëve nga Janina’’. Ndërkohë që mbishkrimi i fundit i përket vitit 1863 dhe gjendet në një nga kolonat që ndajnë tre nefet e naosit dhe tregon pikturimin e kolonave me elementë ornamentalë (16).
Kështu, fakte të tilla dëshmojnë investimin e konsiderueshëm që kishte bërë dikur komuniteti vendor në Bishqethëm, për ngritjen, dekorimin dhe pajisjen e kësaj faltoreje me të gjithë elementët përbërës të kohës.
Ndërsa dëshmitë e para rreth kësaj kishe na vijnë nga libri i Mitropolitit të Beratit Anthim Aleksudhit në vitin 1868: ‘’Përshkrim i shkurtër historik i mitropolisë së shenjtë të Beratit’’. Sipas tij, Enoria e Bishqethmit, Rrapëzës dhe Lumthit, përbëhej nga fshatrat Bishtqethëm. Lumth, Pirrë, Kamçisht, Esken, Stan Pirrë, Rrapëz, Gorre, Ferras dhe Godolesh. Në to banonin 134 familje të krishterësh orthodhoksë që ritet i zhvillonin në kishën enorike të Bishtqethmit, kushtuar ‘’Fjetjes së Shën Mërisë’’ (17).
Për rëndësinë që kishte në jetën shpirtërore dhe kulturore të Bishqethmit, në ambientet e kësaj kishe u hap në vitin 1916 edhe shkolla e parë shqipe. Nga tradita e krijuar, prej bankave të saj do të dilnin një sërë figurash të spikatura në fusha të ndryshme të jetës në Lushnje, Myzeqe dhe më gjerë (18).
Për vlerat historike, arkitektonike dhe artistike, kisha ‘’Fjetja e Shën Mërisë’’, është restauruar disa here, së fundmi nën kujdestarinë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndërkohë që ashtu si një pjesë e kishave monumente kulture të kësaj zone edhe për këtë kishë ka ardhur koha për një restaurim dhe konservim të vlerave që ajo bart.
……………………
1-Andrea Liko-Dr. Niko Ferro, Lushnja toka dhe njerëzit, Toena, Tiranë 2022, f. 290-292
2-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 101
3-Andrea Liko-Dr. Niko Ferro, Lushnja toka dhe njerëzit, Toena, Tiranë 2022, f. 290-292
4-Wikipedia
5-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 101
6-Th. Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, f. 114; Niko Ferro, Kishat e Lushnjes dhe të Divjakës, Shpresa print, Tiranë 2023, f. 43
7-Niko Ferro, Kishat e Lushnjes dhe të Divjakës, Shpresa print, Tiranë 2023, f. 43-47
8-Po aty, f. 43-47
9-A. Llukani, Mitropolia e Beratit, Tiranë 2020, f. 157; Katalog, F. G. K. Vatra e Tiranës, Tiranë-Fier 2012, 3
10-Th. Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, f. 114
11-Po aty, f. 126
12-Po aty, f. 125
13-A. Llukani, Mitropolia e Beratit, Tiranë 2020, f. 84
14-Th. Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, f. 129-130
15-Po aty, f. 132
16-Po aty, f. 134, 135-136
17-Anthimos D. Alexoudes, Sintomos historike perigraphe tes hieras metropoleos Belegradion, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 52-54
18-A. Liko-Dr. N. Ferro, Lushnja toka dhe njerëzit, Toena, Tiranë 2022, f. 290-292
All reactions:
You, Andon Selenica, Alban Petro and 137 others