/Vithkuqi, toka e kishave, manastireve dhe shenjtorëve – nga Ilirjan Gjika

Vithkuqi, toka e kishave, manastireve dhe shenjtorëve – nga Ilirjan Gjika

Vithkuqi është një zonë malore me lartësi mesatare 1300 m e cila shtrihet në jugperëndim të
qytetit të Korçës, në një distancë rreth 20 km prej tij (1) . Pejsazhi impresionues dhe piktoresk të
shoqëron kudo, ku vendi është i rrethuar nga male të larta dhe të veshura me pyje halorë dhe
gjethegjërë, midis të cilëve spikasin drurët e bredhit, ahut dhe dushkut. Pikërisht këtu, ngrihen
një sërë fshatrash të njohur si: Lubonja, Gjançi, Leshnja, Shtylla, Roshanji, Çemerica, Rehova,
Trebicka, Grabocka, Treska, Stratobërdha dhe Panariti, të cilat përbëjnë sot Njësinë Territoriale-
Administrative Vithkuq, pjesë e Bashkisë së Korçës (2).
Nga masivi malor i Vithkuqit buron edhe lumi Osum, i cili së bashku me Devollin krijojnë
Semanin, lumin e dytë për nga gjatësia të Shqipërisë, prej 281 km. Ndërsa Osumi është 161 km i
gjatë dhe piknisja e tij është në fshatin Leshnjë, ku bashkohen përrenjtë e kësaj zone me ata që
rrjedhin prej shpatit perëndimor të malit të Gramozit. Pikërisht këtu pranë ngrihet edhe maja
më e lartë që dominon këtë zonë, mali i Rrungajës me një lartësi prej 1945 m (3) .
Por Vithkuqi konsiderohet edhe si vendi i krojeve dhe burimeve të shumta. Nuk janë pak por
100 të tillë, ku ndër më më të njohurit mund të përmendim kroin Mbret, kroin i Kurtiqit, kroin e
Kuq, kroin e Vashës, kroin e Palit, kroin e Ndrios, kroin e Borishtit, kroin e Dukasit, atë të
Melasit, Kondasit, etj (4) .
Si një zonë malore e ndërmjetme midis Korçës dhe Skraparit, por edhe shumë pranë Kolonjës,
Vithkuqi, dallohet për dialektin e veçantë dhe tiparet etnografike, ku bien në sy ndërtimet
mjeshtërore prej guri, punimet e drurit, ato të leshit, kostumet popullore, këngët, vallet dhe
gatimet karakteristike, etj.
Nga pikpamja historike kjo zonë është banuar qysh herët në të cilën, arkeologët, kanë gjetur
gjurmë të vjetra që nisin nga periudha antike. Të tilla mund të përmendim një sërë varresh të
shekujve IV-III pk apo kalatë e Bellovodës, Leshnjës, dhe Boshanjit (5) . Më pas, Vithkuqin e
ndeshim si vendbanim mesjetar dhe pjesë të principatën së Muzakajve, familja e të cilëve e
kishte origjinën nga Opari fqinj (6) . Me pushtimin osman, fshati shfaqet në dokumenta si mylk i
Iljaz Bej Mirahorit, personit që do të shndërronte Korçën në qytet. Por përpara se të bëhej
komandant i stallave të sulltan Bajazitit II, ky njeri quhej Ilia dhe ishte i biri i priftit të fshatit
Panarit (7) . Ndërsa në vitin 1505, Iljaz Bej Mirahori, do ta kthente në vakëf Vithkuqin me
Leshnjën, së bashku me fshatrat e tjera që kishte në pronësi (😎 .
Por shkëlqimin e tij, Vithkuqi e arriti në shekujt XVII-XVIII, kur u shndërrua në një qytet të
zhvilluar me tregje, dyqane, hane, tregti dhe zejtari të përmendur. Sipas Kodikut të Korçës dhe
Selasforit, në vitin 1792, ai, përbëhej nga një sërë lagjesh të shumta, si: Borishë, Tatac, Lias,
Qyrsash, Syrbash, Grekas, Palas, Kolagjerkas, Kovaças, Saraq, Rusas dhe Dukas (9) . Në të ishin
zhvilluar një sërë mjeshtërish punimi, ku zhvillohej edhe një aktivitet i gjerë tregtar që
përshinte edhe vendet e rajonit përreth. Po kështu, Vithkuqi ishte edhe një qendër e njohur
arsimore, në shkollën e të cilit jepte mësim edhe murgu Sava, i shkolluar në Akademinë e
Voskopojës (10) .
Por njëlloj si Voskopoja, një qendër tjerër e rëndëishme e kësaj zone, ai, do të kishte fatin e keq
që do të rrënohej nga një sërë luftërash feudale të kohës. Të tilla ishin një sërë ngjarjesh që
nisën në vitin 1781, dhe vijuan në vitet, 1819, 1823 dhe 1830 (11) .
Janë një sërë dokumentash dhe burimesh historike që dëshmojnë rreth këtyre ngjarjeve, të cilat
gjenden të shkruara në kishat e Vithkuqit. Në mbishkrimin e parë që e gjejmë në faqet e ungjillit
të kishës së Shën Mëhillit, (transferuar më pas në kishën e Shën Mërisë), shkruhet se: ‘’Në vitin
1823 tetor 25 Vithkuq. Sipas ungjillit (providencës) vjen zemërimi i perëndisë nga të pabesët.
Në këtë vit u prish ky vend i famshëm, që quhet Vithkuq dhe u bë çdo gjë shkretëtirë’’.
Ndërsa në mbishkrimin e dytë, të datës 28 korrik 1828, që ndodhej dikur në hajatin jugor të
kishës së Shën Mëhillit, u shkrua nga Dhaskal Kostaq Cepi një tjetër dëshminë, ku midis të
tjerave thuhet: ‘’ Unë, dhaskal Kostaq Cepi erdha nga Berati dhe e gjeta fshatin të rrënuar, të
shkretë, shtëpitë të prishura dhe unë i pamerituari i pashë të gjitha shtëpitë pa njerëz, por unë
dhe ju të mjerë e të shkretë pësuam mjerimin, dhe cilido që u ndal dhe e prishi fshatin, të kenë
mallkimin që i bënë kishat dhe manastiret e shkretë…’’ (12) .
Kështu pas shkatërrimit të këtyre viteve, Vithkuqi, e humbi rëndësinë e tij dhe u kthye në një
vendbanim rural, i cili në mesin e shekullit XIX numëronte 150 shtëpi dhe tre lagje, si: Grekas,
Dukas dhe Saraq. Gjatë kësaj periudhe nisi edhe largimi i banorëve të tij që emigruan jo vetëm
drejt vendeve fqinje të Rumanisë, Bullgarisë dhe Greqisë, por edhe deri në SHBA. Po kështu të
njohura janë edhe fshatrat e themeluara nga ky komunitet, si Mandrica në Bullgari apo Lehova
në Greqi. Por edhe larg tokës mëmë, vithkuqarët, do të mbanin lidhje të forta me vendlindjen
duke bërë edhe një jetë aktive patriotike dhe kulturore. Është i njohur shembulli që vjen nga
Amerika e largët kur në vitin 1910, emigrantët vithkuqarë do të krijonin shoqatën ‘’Bashkimi i
Vëllazërisë’’ (13) .
Ndërkohë patriotizmi i komunitetit të kësaj zone u shpreh fuqishëm edhe gjatë viteve të Luftës
Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kështu në 29 korrik 1943 në Vithkuq do të krijohej batalioni
partizan "Qamil Panariti", në të cilin do të rreshtoheshin dhjetra bij dhe bija të kësaj zone.
Ndërsa në 15 gusht po të këtij viti, në pyllin e Makrezës, do të krijohej Brigada I-Sulmuese, si
formacioni më i madh i asaj kohe i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ndërkohë që në Panarit fqinj do
të strehohej dhe do të punonte gjatë muajve të parë të vitit 1944 edhe Shtabi i Përgjithshëm i
saj (14) .
Por gjatë këtyre viteve për shkak të përkrahjes që Vithkuqi i dha luftës partizane, në të do të
kthehej përsëri historia dhimbshme e djegieve dhe shkatërrimeve. Një fakt të tillë na e
përshkruan edhe një dokument autentik, kodiku i kishave të Vithkuqit, i cili ruhet sot në
Muzeun Historik Kombëtar. Në fletët e para të tij jepet edhe ky përshkrim i qartë: ‘’Këtu poshtë
po shënojmë se qysh më datë 28. 08. 1943 u sulmua katundi ynë prej ushtrisë italiane që dogji
gjithë fshatin, ashtu dhe edhe katër kishat: Shën Kollin, Shën Thanasin, Shën Joanin dhe Shën e
Premten. Në këtë kishë ndodheshin gjithë sendet që shënohen në këtë inventar dhe pothuajse
u dogjën të gjitha, përveçse disa sendeve më të vlefshme. Një petrahil që është regjistruar me
numrin 32, kryqi i madh që është regjistruar me numrin 31, dy ungjij që janë regjistruar me
numrin 1, të cilat u ndodhën të mbuluara në një vend të posaçëm dhe mundën të shpëtonin.
Këto sende kanë një vlerë të madhe, ndërsa gjithë të tjerat u dogjën’’ (15) . Kjo ishte djegia e pestë
dhe e fundit që regjistrohej në analet e këtij vendbanimi të njohur.
Por pavarësisht shkatërrimeve përgjatë kohërave të ndryshme, Vithuqi, ka ditur jo vetëm të
mbijetojë por edhe të na befasojë me vitalitetin e tij. Një gjë të tillë e ndeshim edhe në aspektin
ekonomik, ku një ekonomitradicionale të kombinuar me risitë.
Pikërisht këtu, në vitin 1936 u ngrit edhe hidrocentrali i parë në Shqipëri, i cili kishte një
kapacitet prodhues prej 500 kilovatësh, si dhe ujësjellësi që furnizonte me ujë qytetin e Korçës.
Ndërsa në Rehovë, gjatë viteve të periudhës së komunizmit do të funksiononte edhe edhe
miniera e nxjerrjes së bakrit dhe fabrika e pasurimit të tij. Ndërkohë që në vitet 1970-1975 u
ndërtua edhe liqeni artificial i Gjançit, me qëllim ujitjen e tokave bujqësore të pjesës
jugperëndimore të Fushës së Korçës. Me një kapacitet ujëmbledhës prej 18 milion m 3 ujë, ky
liqen artificial zë një sipërfaqe të konsiderushme duke i dhënë një tjetër pamje pejsazhit
gjeografik të zones (16) .
Krahas tyre, Vithkuqit, nuk i kanë munguar edhe njerëzit e shquar, ku prej komunitetit të tij
kanë dalë me dhjetra personalitete në fusha të ndryshme, laikë dhe klerikë. Një prej tyre ishte
edhe murgu Eustrat Vithkuqari, dijetar dhe mësues që ushtroi aktivitetin e tij në Akademinë e
Voskopojës, shkrues librash dhe kodikësh. Ai jetoi gjatë gjysmës së dytë të shekullit XVIII deri në
vitin 1822, ndërsa emri i tij i vërtetë është Jani Strati.
Eustrat Vithkuqari është autor i një gramatike në gjuhët greqisht-shqip-anglisht dhe një fjalori
të vogël. Të dyja këto vepra do të botoheshin në vitin 1814 në Londër, si pjesë e librit ‘’Studime
në Greqi’’ të diplomatit anglez pranë Ali Pashë Tepelenës: Uilliam Martin Lik (17) .
Nga Vithkuqi ishte edhe Shën Nikodhimi një nga martirët e rinj të besimit të krishterë në
Shqipëri, i cili përpara se të vishte petkun e murgut quhej Nikolla Dede. Ai ishte vendosur dhe
jetonte me familjen në qytetin e Beratit ku ushtronte edhe profesionin e rrobaqepësit. Këtu nga
martesa me një grua besimit myskyman ai do të konfertohej në këtë fe. Por jeta e tij do të
ndryshonte kur për të takuar të birin do të udhëtonte drejt Malit të Shenjtë. Pikërisht këtu, në
vendin e manastireve do të rikthehej në besimin e të parëve, biles në skitin e Shën Anës, ai, do
të shdërrohej në murg duke ju kushtuar shërbesave, lutjeve dhe agjërimit. Me brengën e
pendimit, Shën Nikodhimi, u rikthye në Berat për tu treguar njerëzve mrekullitë e besimit të
krishterë. Për këtë gjë do të kallëzohej tek kadiu i cili pasi nuk e bindi të hiqte dorë nga besimi
urdhëroi ta hidhnin nga maja shkëmbore e kalasë. Por Shën Nikodhimi shpëtoi mrekullisht dhe
ju paraqit përsëri atij. Këtë radhë kadiu dha urdhër që ta ekzekutonin me prerjen e kokës,
martirizim i cilit u krye në 10 korrik 1709. Pas shpalljes shenjtor do të botoheshin një sërë
librash shërbese dhe kodikësh rreth jetës së Shën Nikodhimit, ndërsa porteti tij do të paraqitej
në afreske dhe ikona. Në Vithkuq afresket e tij janë pikturuar në kishën e Shën Kozmait dhe
Damianoit si dhe në manastirin e Shën Pjetrit dhe Pavlit (18) .
Nga ky fshat ishte edhe Naum Veqilharxhi, ideologu i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe
pionieri i arsimit kombëtar. I lindur në vitin 1767 në Vithkuq ai do të kalonte vitet e fëmijërisë,
ku më pas do të emigronte me familjen fillimisht në Moldavi dhe më pas në Rumani. Pikërisht
këtu, në vendin e njohur ballkanik, ai nisi punën për formulimin e një alfabeti të gjuhës shqipe
me të cilin botoi në vitin 1844 ‘’Evetarin’’, të parën abetare të gjuhës shqipe. Ndërsa dy vjet më
vonë, në vitin 1846 hartoi ‘’Enciklikën, e cila ishte një qarkore drejtuar bashkëatdhetarëve
ortodoksë në Shqipëri, e cila së bashku me parathënien e Evetarit dhe letrën polemizuese
dërguar të nipit, konsiderohen si dokumentet e para me të cilat nis lëvizja e Rilindjes
Kombëtare (19) . Sot nga shtëpia e Naum Veqilharxhit në Vithkuq ka mbetur vetëm pusi i saj, i cili
shërben si vend identifikimi dhe përkujtimi për figurën e këtij iluministi.
Ndërkohë që në tjetër emër i njohur për kontributet e tij në Rilindjen Kombëtare është edhe
Spiro Dine. I lindur në Vithkuq në vitin 1444, ai, pati meritën e organizimit patriotik të
shqiptarëve të Egjiptit, vend në të cilin u vendos në vitin 1866. Po kështu, Spiro Dine, shkroi
vjersha dhe mblodhi materiale të shumta me karakter folklorik, të cilat u botuan nga Thimi
Mitko në vëllimin ‘’Bleta Shqiptare’’. Një pjesë të këtij volumi të përbëra prej këngësh trimërie,
vajtimi apo dashurie, doke, zakone, rite dasme, lojëra popullore, gjëegjëza dhe përralla, u
përmblodhën në veprën ‘’Valët e detit’’, botuar në Sofje në vitin 1908 (20) .
Por këto rrënjë të forta dhe kjo traditë e spikatur e krishtërimit shihen jo vetëm te kishat dhe
manastiret e shumta por folklori popullor. Një shembull me karakter tregues në këtë drejtim
është edhe legjenda që lidhet me varrin e pagëzimit, e cila e ka marrë emrin nga një histori
jetësore e ndodhur në vitin 1751. Është ngjarja e dhimbshme e një familje që vdiq nga të ftohtit
e acartë të dimrit, duke u endur nga njëri skaj në tjetrin në kërkim të një kishe për të pagëzuar
foshnjen e sapolindur. Varri që dëshmon këtë gojëdhanë ndodhet në varrezat e fshatit dhe
shquan nga të tjerët nga një kryq monumental prej guri gëlqeror (21) .
Ndërsa një dëshmi tjetër që provon traditën e fortë të besimit është i mbishkrimi i vitit 1696, i
cilin gjendet në fasadën e kishës së Ungjillizimit, dedikuar skenëssë ‘’Gjyqit të fundit’’ nga
murgesha Joana.
‘’Lutja e shërbëtores së perëndisë, murgeshës Joana’’, shkruhet në të duke treguar se në
manastiret e Vithkuqit nuk kishte vetëm murgj por edhe murgesha të përkushtuara ndaj këtij
shërbimi (22) . Kurse komunitetin e murgjve ndër vite e ndeshim në mbishkrimet e manastirit të
Shën Pjetrit dhe Palit. Kështu në vitin 1736 ndeshim emrat e igumenit Metod dhe murgut
Anthim, ndërsa në vitin 1762 ndeshim emrin e Tarasit, i cili ishte igumen dhe jeronomak në këtë
manastir (23) .
Ndërkohë Vithkuqi ka qënë i njohur edhe për mëse 14 kisha të spikatura për arkitekturën dhe
afresket e tyre, prej të cilave deri në prag të Luftës II Botërore ruheshin 11 prej tyre. Ndërsa sot
kanë mbetur në këmbë bazilikat e Shën Mëhillit dhe Shën Mërisë, kishat e Shën Kozmait dhe
Damianoit, Shën Minait, të Ungjillizimit, Shën Gjergjit, apo manastirin e Shën Pjetrit dhe
Pavlit (24) . Disa prej tyre funksionojnë jo vetëm si faltore, por gëzojnë edhe statusin si
monumente kulture. Të tilla janë kishat e Shën Mërisë, Shën Gjergjit, Shën Mëhillit, manastiri i
Shën Pjetrit dhe Palit, si dhe zonat e mbrojtura rreth tyre (25) . Por le ti shohim ato me radhë nga
pikpamja artkitektonike, ndërtimore dhe artistike këto faltore monumentale.
Kisha e Shën Mëhillit është njëhkohësisht kisha më e madhe dhe më e vjetër e Vithkuqit. Sipas
mbishkrimit që gjendet mbi portën jugore brenda kishës ajo i kushtohet kryeëngjëjve Mikail
dhe Gabriel, ndërtua nga themeli në vitin 1682 dhe pikturuar në vitin 1728 (26) . Faltorja është një
bazilikë trenefëshe me përmasa 15,5 x 9.5 m e përbërë nga naosi, altari, narteksi dhe hajati.
Naosi ndahet nga dy radhë kolonash ku nefi qëndror është më i lartë dhe më I gjerë se dy nefet
anësorë. Kolonat lidhn midis tyre me me një system harqesh duke krijuar një bërthamë
kupolash që fshihen nën çatinë dyujëse të bazilikës. Në anën lindore ndodhet absida
pesëfaqëshe, ndërsa narteksi është shtuar më vonë në anën perëndimore. Ai përbëhet nga një
radhë kolonash dhe mbulohet nga çati druri pa tavan. Në pjesën jugore bazilika është e pajisur
me një hajat përpara të cilit ndodhet një shesh i gjerë. Pranë kishës në pjesën veriore ndodhen
varrezat e fshatit (27) .
Një kishë tjetër e ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XVII është edhe ajo e Shën Mërisë, e
cila përbëhet nga naosi, altari, narteksi dhe hajati. Pjesa më e vjetër e saj i përket naosit një
nefësh me përmasa 7.90 x 4.80 m, i mbuluar me kupolë. Më pas kishës i është shtuar edhe
narteksi dhe më pas edhe hajati në pjesën jugore mbështetur mbii shtylla druri. Të dy këto
ambiente janë të mbuluara me çati dhe pa tavan. Ndërsa muratura është ndërtuar me gurë
shmërrçi ku përjashtim bën absida shtatë faqëshe ndërtuar me gurë të skuadruar dhe e
zbukuruar me nike (28) .
Ndërsa tre kishat e tjera si ato të Shën Minait, Ungjillizimit dhe Shën Gjergjit nuk ruajnë datat e
ndërtimit, por mbishkrime të tjera si ato të ikonostaseve dhe ikonave 29 . Duke u bazuar në to
dhe analizën e tipareve arkitektonike rezulton se këto faltore janë ndërtuar në gjysmën e dytë
të shekullin e XVIII (30) .
Por padyshim kompleksi më i madh i kultit që ekziston në Vithkuq është padyshim manastiri i
Shën Pjetrit dhe Pavlit. I ngritur në në kodrën që ndodhet në verilindje të fshatit pranë lagjes së
dikurshme Borishë, ai përbëhet nga kisha e me të njëjtin emër, konakët e shkatërruar gjatë
Luftës II Botërore, kisha Shën Kozmait dhe Daminoit dhe varrezat (31) . Dikur në këtë vend që nga
banorët vendas njihet si kalaja mendohet se në antikitet ndodhej një tempull pagan. Ndërkohë
të dhënat që na vijnë nga kodiku i qytetit të Vithkuqit, të mbledhura fillimisht nga Ilo Mitkë
Qafëzezi dhe të botuara më vonë edhe nga autorë të tjerë, dëshmojnë se manastiri u ngrit mbi
një ndërtim më të vjetër në vitin 1710 (32) .
Më pas në vitin 1736 u ngrit kisha e anargjirëve Kozma dhe Damian, fakt që dëshmohet nga
mbishkrimi mbi portën brenda saj. E ngritur me muraturë guri në një terren të pjerrët dhe e
përbërë prej dy katesh, kisha është një bazilikë njënefëshe me përmasa 12.5 x 4.95 m. Ajo
përbëhet prej naosit, altarit dhe narteksit të cilët mbulohen me qemere cilindrike, ndërsa kati i
sipërm lidhen nëpërmjet shkallëve që dalin në narteks me katin nën dhe, që është përdorur si
qimiter i manastirit (33) . Ikonat dhe dyert e bukura të ikonostasit të kishës së Shën Kozmait dhe
Damianoit janë pikturuar prej Kostandin Shpatarakut. ‘’Dora e jerodiakon Kostandinit nga
Shpati, viti prej Krishtit 1748’’, shkruhet në mbishkrimin që gjendet në një prej ikonave të tij (34) .
Ndërsa kisha e Shën Pjetrit dhe Palit u rindërtua në vitin 1759. ‘’Ndaj vitit 1759…. Igumeni i
manastirit të shenjtë Tarasi, i biri i Gjikë Bukës, prej mëhallës Qyrso të Qyetetit Vithkuq e
përsëriti dhe e ndërtoi nga themelet kishës e apostujve të shenjtë… me gjithë narteksin dhe me
tërë kusurin e bukurisë, sikundër shihet sot’’ (35) .
Për ndërtimin e tij u saj u shpenzuan 500 aspra të cilat ishin mbledhur dhe dërguar nga
vithkuqarët kurbetlinj në Hungari 36 . Kisha e Shën Pjetrit dhe Pavlit është një bazilikë me tambur
dhe kupolë e përbërë prej naosit dhe altarit, me përmasa 14.70 x 8.0 m. Naosi përbëhet prej tre
nefesh, ku ai qëndror është më i lartë dhe më i gjerë se dy tjerët. Nefi qëndror ndërpritet nga
një nef tërthor mbi të cilët mbështetet tamburi me kupolën. Ndërsa në nefet anësorë, harqet
që dalin nga kolonat dhe lidhen me muret e jashtëme mbulohen me kupola sferike (37) .
Kisha është ndërtuar me gurë ngjyrë gri të punuar në forma të rregullta katërkëndore. Me gur
smërçi me ngjyrë bezhë janë punuar tri absidat poligonale, këmbanorja dhe disa dritare. Kurse
për mbulimin e çatisë dyujëse janë përdorur rrasa guri (38) .
Sipas mbishkrimit që ndodhet në pjesën e brendshme të portës veriore të kishës së Shën Pjetrit
dhe Palit, kjo faltorje u pikturua me afreske nga piktorët Kostandin dhe Athanas Zografi nga
Korça në vitin 1764. Ndërsa ikonostasi është pikturuar në vitin 1748 nga Kostandin
Shpataraku (39) . Manastiri kishte një oborr të brendshëm prej 200 m 2 , i cili rrethohej nga konakët
dykatësh në formë U me ambiente të bollshme banimi, shërbimi dhe një dhomë biblioteke. Të
shkatëruara prej Luftës II Botërore prej konakëve dhe narteksit të kishës sot kanë mbetur
vetëm gjurmët dhe shenjat e mureve të dikurshëm. Ky ent fetar kishte në zotërim prona të
shumta që gjendeshin në Vithkuq, Leshnjë, Korçë, dhe Vlorë (40) .
Në çdo 29 qershor, këtu, zhvillohet edhe një festë e traditës me pjesëmarrje të gjerë siç është
panairi i përvitshëm i manastirit të Shën Pjetrit dhe Palit.
Ndërkohë që një tjetër kremtim që zhvillohet në Vithkuq është edhe përkujtimi i figurës së Shën
Nikodhimit. Ai zhvillohet në datën 10 korrik të çdo viti në kishën e re që mban emrin e Shën
Nikodhimit, e cila ngrihet në qëndër të fshatit në lagjen Dukas. E ndërtuar nën kujdesin e
fortlumturisë së tij, kryepiskopit Anastas, guri i parë i kësaj faltoreje u vendos në 10 korrik të
vitit 1999, nga mitropoliti i Korçës Joani.
Ky ishte një përshkrim i shkurtër i Vithkuqit, i cili dallohet jo vetëm për historinë, natyrën dhe
monumentet kishtare, por edhe për një komunitet ortodoks të përbërë nga njerëz fisnikë dhe
punëtorë, të shquar për traditat dhe kulturën e trashëguar. Ata kanë ditur që përmes kohërave
dhe situatave të vështira të ruajnë të paprekur edhe besimin e krishterë ortodoks. E ndërsa
sot vijojnë të mbeten qëndrestarë dhe të punojë përballë vështirësive dhe sfidave të kohës,
duke u përpjekur të vijojnë transmetimin e traditës së shenjtë të Kishës ndër breza.
ndërtimit, Monumentet, 1, Tiranë 1983, f. 80-81
……………..
1-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, Kisha Orthodhokse , Tiranë 1998, f. 44
3-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 787, 952
4-Gjikë Kurtiqi, Vithkuqi i 100 krojeve dhe 24 kishave, shoqata “Naum Veqilharxhi“, Tiranë, 2008, f. 16
5-Petraq Damko, Gjetje rasti nga Vithkuqi, Iliria, 1-2, Tiranë 1991, f. 275-277; korcaregion.com
6-Pëllumb Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt, SH. B 55, Tiranë 2009, f. f. 284-286
7-Niko Kotherja, Mbi historinë e Korçës, Helga’s Secrets, 2013, f. 10-11
8-Niko Kotherja, Mbi historinë e Korçës, Helga’s Secrets, 2013, f. 10-11; Petraq Pepo, “Dy dokumente mesjetare
mbi Shqipërinë-berati i Bajazitit të II dhe Vakëfnameja e mirahor Iljaz Beut”, Buletini për Shkencat Shoqërore,
1956, f. 271-272
9-Materiale dokumentare për Shqipërinë e Jugut të shek. XVIII-fillimi i shek. XX (Kodiku i Korçës dhe i Selasforit), II,
ASH, Tiranë, 1981, f. 160
10-Materiale dokumentare për Shqipërinë e Jugut të shek. XVIII-fillimi i shek. XX (Kodiku i Korçës dhe i Selasforit), I,
ASH, Tiranë, 1981, f. 31
11-Materiale dokumentare për Shqipërinë e Jugut të shek. XVIII-fillimi i shek. XX (Kodiku i Korçës dhe i Selasforit),
II, ASH, Tiranë, 1981, f. 102; Th. Popa, Mbishkrime të Kishave të Shqipërisë, ASH, Tiranë 1998, f. 197-199
12-Theofan Popa, Mbishkrime të Kishave të Shqipërisë, ASH, Tiranë 1998, f. 197, 198-199
14-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 1169
15-Andrea Llukani, Kodiku i kishave të Vithkuqit, Tiranë 2018, f. 4
16-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 1128, 1169
17-Materiale dokumentare për Shqipërinë e Jugut të shek. XVIII-fillimi i shek. XX (Kodiku i Korçës dhe i Selasforit),
II, ASH, Tiranë, 1981, f. 164; William M. Leake, Researches en Greece, Londra 1814
18-Aurel Plasari, Një kodik i panjohur për Shën Nikodhimin e Beratit, Bibliothecae”, 5, Tiranë 2004, f. 13-19
19-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 1161
20-Po aty, f. 195
22-Theofan Popa, Mbishkrime të Kishave të Shqipërisë, ASH, Tiranë 1998, f. 163
23-Po aty, f. 177, 181
24-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 46-56
25-Databazë e Burimeve Turistike-Qarku Korçë, Turizmi.gov.al
26-Theofan Popa, Mbishkrime të Kishave të Shqipërisë, ASH, Tiranë 1998, f. 161
27-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, Kisha Orthodhokse, Tiranë 1998, f. 48
28-Po aty, f. 46-47
29-Theofan Popa, Mbishkrime të Kishave të Shqipërisë, ASH, Tiranë 1998, f. 161-162
30-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut,Kisha Orthodhokse , Tiranë 1998, f. 54-56
31-Po aty, f. 50-51
32-Aleks Papakozma, Manastiri Shën Pjetër dhe Pavli në Vithkuq. Datimi. Urbanistika. Arkitektura. Mjeshtrit e
ndërtimit, Monumentet, 1, Tiranë 1983, f. 78-79
33-Th. Popa, Mbishkrime të Kishave të Shqipërisë, ASH, Tiranë 1998, f. 176-177; P. Thomo, Kishat pasbizantine në
Shqipërinë e Jugut, Kisha Orthodhokse, Tiranë 1998, f. 51
34-Theofan Popa, Mbishkrime te Kishave të Shqipërisë, ASH, Tiranë 1998, f. 175
35-I. M. Qafëzezi, Kontribut në historinë e qytetit Vithkuq, manastiret e kishëzat, 1956, nr. 1, f. 7, cituar nga Aleks
Papakozma, Manastiri Shën Pjetër dhe Pavli në Vithkuq, Monumentet, 1, Tiranë 1983, f. 79
36-Po aty, f. 80
37-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, Kisha Orthodhokse , Tiranë 1998, f. 50-53
38-Aleks Papakozma, Manastiri Shën Pjetër dhe Pavli në Vithkuq. Datimi. Urbanistika. Arkitektura. Mjeshtrit e
ndërtimit, Monumentet, 1, Tiranë 1983, f. 82
39-Theofan Popa, Mbishkrime te Kishave të Shqipërisë, ASH, Tiranë 1998, f. 175, 181
40-Aleks Papakozma, Manastiri Shën Pjetër dhe Pavli në Vithkuq. Datimi. Urbanistika. Arkitektura. Mjeshtrit e
ndërtimit, Monumentet, 1, Tiranë 1983, f. 80-81