Krishterimi në Arabinë Saudite
Kisha në foto i përket shek. IV dhe ndodhet në qytetin Jubail të Arabisë Saudite. Rrënojat e kësaj kishe u zbuluan në vitin 1986 dhe, që prej asaj dite, askush nuk lejohet ta vizitojë, qoftë i huaj apo vendas, si edhe nuk lejohen të bëhen kërkime arkeologjike në këtë zonë.
Tëkrishterët kanë pasur kishat e tyre në Arabi që para shek. IV. Disa vende të Arabisë kanë qenë tërësisht të krishtera, p.sh. qyteti Najran, i cili deri në shek. X ka qenë me popullsi dominuese të krishterë. Më pas, shumica e këtyre banorëve u detyruan të largoheshin nga vendi dhe ajo pjesë që mbeti, qëndroi si kriptokristiane. Por persekutimi nuk reshti – p.sh. më 15 qershor të vitit 1858, 21 banorët e mbetur të krishterë të qytetit Xhedah në Arabi, u masakruan të gjithë.
Arabia Saudite i lejon të krishterët të vizitojnë vendin e tyre si turistë apo për punë, por i ndalon të mbajnë me vete Bibla, ikona apo dhe kryqe. Mutaween (ose e njohur dhe si Policia Fetare) ndalon praktikimin e çdo religjioni tjetër në Arabi, përveç atij Islam. Kjo do të thotë që, nëse dikush është i krishterë, nuk ka të drejtë ta praktikojë besimin e tij. Gjithashtu, qeveria arabe nuk i lejon klerikët e krishterë të hyjnë në vend dhe të mbajnë një shërbesë ose të takojnë ata banorë që ende kanë mbetur të krishterë.
Sipas raportit të vitit 2015, janë mbi 60 mijë të krishterë që jetojnë në vend (pa përfshirë këtu emigrantët ekonomikë, kryesisht nga Azia), të cilët janë kriptokristianë. Në Arabinë Saudite nuk ka asnjë kishë, qoftë Orthodhokse, Katolike apo tjetër. Takimet e tëkrishterëve në Arabi bëhen në mënyrë të fshehtë, që të mos rrezikojnë jetën. Edhe praktikimi i riteve fetare bëhet në mënyrë të fshehtë, në shtëpitë e tyre.
(Referuar masakrës së qytetitXhedah, më 15 qershor 1858, The Church of England quarterly review, 1858 p. 218-219).
Përgatiti: Kostandin Luci