/Bylisi, qyteti i bazilikave – nga Ilirjan Gjika

Bylisi, qyteti i bazilikave – nga Ilirjan Gjika

E shtrirë në pjesën jugore të Rajonit Perendimor dhe e përbërë nga vargje të valëzuara kodrash, Mallakastra, është një nga krahinat e njohura të Shqipërisë. Me një sipërfaqe prej 500 km2 që shtrihet në territoret e bashkive Fier, Patos, Roskovec, Ballsh dhe Memaliaj, ajo është një trevë e cila mbart nga që antikiteti i vonë jo vetëm gjurmë të krishtërimit por edhe rrënojat e një sërë bazilikash paleokristiane. Ndërkohë që dokumentet nuk dëshmojnë për gjurmët e ndonjë komuniteti të vjetër kristian si në Apoloninë fqinje, por pas braktisjes së saj dhe kalimit të peshkopit në qytetin e Bylisit kemi të dhënat e para në këtë drejtim. Kështu, në vitin 431 peshkopi i Bylisit dhe i Apolonisë, Feliks, mori pjesë në koncilin ekumenik të Efesit. Ndërsa në vitin 458 në letrën drejtuar perandorit Leon përmendet një tjetër peshkop i tij, Filohari (1).
Periudha kur Bylisi shndërrohet në një qendër peshkopale lidhet edhe me legjislacionin bizantin të kohës, sepse sipas një ligji të perandorit Zenon (474-475) thuhet se: “…çdo qytet … të ketë me çdo kusht një peshkop të vetin…” (2). Në këtë mënyrë në shek. VI, Bylisi, përveçse ishte një qendër e rëndësishme peshkopale, sipas Guidës së Hieroklit (Itinerar udhëtimesh) konsiderohet edhe si një ndër tetë qytetet kryesore të provincës së Epirit të Ri (3).
‘’Peshkopata e Bylisit u zgjerua duke u shtrirë jo vetëm në qytet, por më vonë, gjatë gjysmës së parë të shek. VI, edhe në territoret ku dikur banonin bylinët..’’, thekson arkeologu Skëndër Muçaj në artikullin studimor: ‘’Gjurmët e krishtërimit në antikitetin e vonë’’ (4). Rëndësinë e kësaj qendre peshkopale e tregojnë edhe ndërtimet e mëdha të kultit, siç janë pesë bazilikat e ndërtuara Bylis gjatë shek. IV-VI. Rrënojat tyre, arkeologët i kanë ndeshur përgjatë gjithë kësaj krahine si, në: Ballsh, Panahor, Aranitas, Drenovë, Dukas, Romës, Cakran, Gorishovë, Kraps, Plyk, Kreshpan, Margëlliç, Luar, etj (5).
Duhet theksuar se në periudhën e antikitetit të vonë, faltoret kishtare ishin përgjithësisht ndërtime të tipit bazilikal. Ato kishin paraqitje monumentale dhe përbëheshin nga naosi (salla kryesore e cila ndahej në tre nefe), absida (pjesa lindore në formë harku e naosit), narteksi (parasalla) dhe ekzonarteksi (portiku i pajisur me kolona). Një element tjetër i tyre ishte edhe transepti ose krahu tranversial i vendosur midis naosit dhe altarit. Ndërsa si pjesë përbërëse e bazilikave ishin edhe diakonikoni (kthina majtas altarit ku ruheshin sendet e shërbesës fetare), proteizisi (vendi djathtas altarit ku ruheshin veshjet klerikale) dhe hieroni ose bema (pjesa ndërmjet tyre) (6). Një tjetër ambient që e ndeshim në këto bazilika ishte edhe baptisteri, vendi ku kryheshin pagëzimet. Ndërkohë që këto faltore zbukuroheshin edhe me mozaikë shumëngjyrësh, skulptura në reliev, fragmente arkitektonike dhe dekorime të ndryshme të artit paleokristian.
Në këtë drejtim monumentet më të spikatura të kësaj periudhe janë edhe pesë bazilikat e zbuluara në rrënojat e qytetit antik dhe mesjetar të Bylisit përgjatë viteve 1980-1991. Arkeologu Skënder Muçaj që drejtoi gërmimet dhe u mor me studimin e tyre i emërtoi ato sipas rendit alfabetik me shkronjat A, B, C, D, E. (7). Midis tyre padyshim objekti më i madh është bazilika B e cila shërbente si katedrale e qytetit dhe seli e peshkopit. Kisha përbëhet nga naosi prej tre anijatash, absida gjysëmrrethore, transepti tripjesësh, narteksi, ekzonarteksi, baptisteri, portikët shkallarja dhe ambientet ndihmëse . Bazilika B ishtë ndërtuar njëherësh me gurë gëlqerorë me përmasa prej 94 x 40 m. Ajo mbulohej me çati tjegullash dhe ishte me sinthron në të cilën ulej kleri dhe personalitetet fetare. Ndërsa muratura e saj është e përbërë prej gurësh të papunuar mirë dhe të lidhur midis tyre me llaç. Tullat janë përdorur për ndërtimin e dritareve të cilat kanë qenë me dy hapësira drite. Për izolimin e tyre nga ambjenti i jashtëm ishte përdorur xhami. Po kështu, kjo bazilikë ka qënë e paisur edhe me një kolonadë, kapitelet e të cilave janë zbukuruar me motive bimore, kryqe dhe monograme me simbolin e Krishtit. Pikërisht këtu janë paraqitur me mjeshtëri artistike skenat me figurat e dy peshkatarëve që simbolizojnë apostujt e Krishtit dhe tre burra në një skenë baritore (9). Dyshemeja e këtij tempulli përbën sipërfaqen më të madhe të dekoruar me moazikë që është zbuluar në Shqipëri. Po kështu në mozaikë, skulpturën monumentale dhe objekte të tjera gjenden mbishkrime të shumtë në të cilët jepen emra peshkopësh, psaltësh apo besimtarësh të ndryshëm që kontribojnë në ndërtime dhe dhurime të ndryshme bërë kësaj kishe, ku ndeshim dhe emrin e pajtorit të mundshëm të saj: Shën Andresë (10). Bazilika B përveç funksionit si katedrale dhe kompleks peshkopal përbëhej edhe nga një sërë punishtesh, si ato të verës, vajit të ullirit, bukës, gurit, qeramikës dhe drurit (11).
Në jug të kompleksit peshkopal brenda murit bizantin ndodhet bazilika A, më e vjetra nga bazilikat e Bylisit, e ndërtuar në gjysmën e parë të shek. V mbi stoan e madhe të qytetit antik. Ajo ka përmasa monumentale prej 32.22 x 23.42 m dhe përbëhej nga naosi tre anijatësh, transepti dykrahësh, altari, absida gjysëmrrethore me sinthron, sanktuari, narteksi, ekzonarteksi, portiku dhe shkallarja. Bazilika mbulohej me çati druri kurse dyshemeja ka qenë e dekoruar me mozaikë të punuara mjeshtërisht dhe me nivel të lartë artistik. Ndërkohë që brendia e saj zbukurohej me elementë të shumtë të skulpturës dekorative si kapitele, imposte, kapitelet e kolonave, pllakat e parapeteve, etj (12).
Bazilika C me përmasa monumentale prej 33 x 22.80 m shtrihet në pjesën jugore të qytetit bizantin përgjatë agorasë antike. Faltorja përbëhet nga naosi me tre nefe, altari, absida gjysëmrrethore me sinthron, sanktuari, narteksi dhe disa mjedise ndihmëse në pjësën juglindore. Bazilika C duket se është ndërtuar në gjysmën e parë të shek. VI, ndërsa dyshemeja ka qenë e shtruar me pllaka guri gëlqeror, pllaka qeramike dhe mozakë (13). Këta të fundit duhet të jenë realizuar në kohën e peshkopit Praisos, emrin e të cilit e ndeshim në mbishkrimin e sanktuarit. Pikërisht këtu midis mozaikëve është kompozuar edhe skenat ku apostujt praqiten të stilizuar në formën e qëngjave, si dhe kleri vendas që shkon drejt kishës për të kryer ceremonialet. Në rrënojat e saj u gjetën elementë të pasur dekorativë të përbërë nga shtylla, pllaka guri, kapitele të dekoruar me motive paleokristiane, etj (14).
Bazilika D ndryshe nga tre bazilikat e para ndodhen jashtë hapësirës së Bylisit bizantin, përkatësisht në pjesën veriore të qytetit antik. E ndërtuar në shek. V ajo ka përmasa prej 45.25 x 26.15 m dhe përbëhet nga naosi tre nefësh, absida gjysëmrrethore, sanktuari, presbiteri, narteksi me dy kthina dhe atriumi me katër portikë. Përveç pllakave të mermerit dhe atyre të qeramikës, pjesa më e madhe e dhyshemesë është shtruar me mozaikë me dekor të larmishëm. Ndër motivet më të njohura të të cilëve janë ato të eukaristisë, hyrja në parajsë apo lumenjtë e parajsës. Në dyshemënë saj u gjet edhe një tjetër mbishkrim ku përmendet përsëri peshkopi Praisos (15).
Bazilika E ndodhet jashtë murit të Bylisit mesjetar në pjesën juglindore të tij. Me përmasa 33 x 22 m ajo përbëhet nga naosi trenefësh, absida gjysëmrrethore, sanktuari, narteksi me dy ambiente ndihmëse dhe ekzonartekst i gërmuar pjeserisht në shkëmb. Edhe kjo kishë e ndërtuar në shek. V ka qenë e zbukuruar me mozaikë me motive gjeometrike, floreale dhe zoomorfe (16).
Të gjitha këto ndërtime monumentale do të shkatërroheshin nga sulmet barbaro-sllave të shek. VI (548-551), gjë që e vërtetojnë gjurmët e shumta të djegieve dhe shkatërrimeve të gjetura nga arkeologët në bazilikat A, B, C dhe D. Ndërsa një tjetër valë sulmesh në fund të këtij shekulli, ndodhta gjatë viteve 587-588, do të sillte edhe shkatërrimin e Bylisit si qëndër të banuar (17). Kështu, selia peshkopale do të zhvendosej në veri të tij, në Ballsh, i cili identifikohet me Gllavinicën mesjetare. Pikërisht këtu në shek. VI ishte ndërtuar një tjetër bazilikë monumentale për të cilën aludohet se funkiononte si seli e dytë për peshkopin e Bylisit (18). Gjithsesi gërmimet arkeologjike dhe studimet e ardhshme në bazilikat e Bylisit dhe atë të ballshit do të na japin të dhëna të reja rreth zhvillimeve të krishtërimit në këto qëndra gjatë periudhës së mesjetës.
…………………
1-Acta Albaniae, I, 14, 23
2-Codex Justinianus, Lib I, 3, 35
3-Hierocles, Synecdemos, 8, XIII, 653. 3
4- Skënder Muçaj, Gjurmët e krishtërimit në antikitetin e vonë, Art e Trashëgimni, 7, IMAF, 2016, f. 83
5-S. Muçaj, Gjurmët e krishtërimit në antikitetin e vonë, Art e Trashëgimni, 7, IMAF, 2016, f. 81; S. Muçaj, Vendbanime të antikitetit të vonë në krahinën e Mallakastrës, Iliria, 9-10, Tiranë 1979-1980, f. 286-288.
6-A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 1983, f. 17; A. Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 29
7-N. Ceka-S. Muçaj, Bylisi Historia dhe Monumentet, Migjeni, Tiranë 2004, f. 23
8-S. Muçaj.”Dy monumente të antikitetit të vonë në Bylis”. Iliria 1, Tiranë 1986, f. 321-326; S. Muçaj, Les basiliques paleochretiennes de Bylis et leur architecture, XI, Corso di cultura sull’ Arte Ravennate e Bizantina, Ravenna 1993, f. 569-583
9-Po aty, f. 321-326
10-N. Ceka-S. Muçaj, Bylisi Historia dhe Monumentet, Migjeni, Tiranë 2004, f. 17-18, 70; S. Muçaj, Gjurmët e krishtërimit në antikitetin e vonë, Art e Trashëgimni, 7, IMAF, 2016, f. 82
11-Po aty , Kronnikë e gërmimeve 2009-2010, Iliria, 34, Tiranë 2009, f. 399
12-S. Muçaj, Bazilika A e Bylisit, Iliria, 1, Tiranë 1987, f. 167-192; N. Ceka-S. Muçaj, Bylisi Historia dhe Monumentet, Migjeni, Tiranë 2004, f. 62; S. Muçaj, Les basiliques paleochretiennes de Bylis et leur architecture, XI, Corso di cultura sull’ Arte Ravennate e Bizantina, Ravenna 1993, f. 569-583
13-N. Ceka-S. Muçaj, Bylisi Historia dhe Monumentet, Migjeni, Tiranë 2004, f. 44-45; S. Muçaj, Les basiliques paleochretiennes de Bylis etleur architecture, XI, Corso di cultura sull’ Arte Ravennate e Bizantina, Ravenna 1993, f. 569-583
14-Po aty
15-S. Muçaj, Bylis (Bazilika D), Iliria, 2,Tiranë 1990, f. 270-271; N. Ceka-S. Muçaj, Bylisi, Histori dhe Monumentet, Migjeni, Tiranë 2004, f. 73-75; S. Muçaj, Les Mosaiques de Bylis et leur place en Epir, XI, Corso di cultura sull’ Arte Ravennate e Bizantina, Ravenna 1993, f. 585-605.
16-parkuarkeologjikbylis.gov.al; S. Muçaj, Les basiliques paleochretiennes de Bylis etleur architecture, XI, Corso di cultura sull’ Arte Ravennate e Bizantina, Ravenna 1993, f. 569-583
17-S. Muçaj, Kisha e Shën Mërisë së Ballshit (Gllavinicës) probleme të identifikimit dhe datimit të saj, Iliria, 1-2, Tiranë 2001-2002, f. 263-266.
18-Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f. 283; Skënder Anamali, Bazilika e Ballshit, Iliria, 7-8, Tiranë 1977-1978, f. 301-304