/Mposhtja e Hidhërimeve me Fuqinë e Ngjalljes – Mesazhi i Kryepiskopit Anastas, Pashkë 2024

Mposhtja e Hidhërimeve me Fuqinë e Ngjalljes – Mesazhi i Kryepiskopit Anastas, Pashkë 2024

𝐌𝐄𝐒𝐀𝐙𝐇𝐈 𝐈 𝐊𝐑𝐘𝐄𝐏𝐈𝐒𝐊𝐎𝐏𝐈𝐓 𝐀𝐍𝐀𝐒𝐓𝐀𝐒, 𝐏𝐀𝐒𝐇𝐊𝐄̈ 𝟐𝟎𝟐𝟒 † Anastasi Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë MPOSHTJA E HIDHËRIMEVE ME FUQINË E NGJALLJES “𝑇𝑒̈ 𝑛𝑗𝑜ℎ 𝑎𝑡𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑓𝑢𝑞𝑖𝑛𝑒̈ 𝑒 𝑁𝑔𝑗𝑎𝑙𝑙𝑗𝑒𝑠 𝑠𝑒̈ 𝑡𝑖𝑗” (Fil.3:10). Ηimni ngjallësor: “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…”, ende kumbon ngadhënjyes dhe ngushëllues në mes të errësirës së melankolisë, të shkaktuar nga ngjarjet e dhimbshme në Ukrainë, Gazë, Sudan, Haiti dhe në vende të tjera të botës, madje edhe këtu, në mjedisin tonë, të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë. Ne e dimë se jemi të brishtë, që e mbajmë “këtë thesar (të besimit) në enë prej balte” (2 Kor. 4:7-8), por kjo ndodh “që të dalë në pah se kjo fuqi tejet e madhe vjen nga Perëndia, jo nga ne”. Periudha e Pashkës, me një mënyrë të veçantë dhe përmes një përjetimi personal, na fton t’i afrohemi Krishtit, që pëson dhe ngjallet: “Që ta njoh atë dhe fuqinë e Ngjalljes së tij, të marr pjesë në pësimet e tij dhe të bëhem i ngjashëm me të në vdekjen e tij” (Fil. 3:10). Dy të vërteta na e ndriçojnë udhën drejt një marrëdhënieje më të ngushtë me atë që pësoi dhe u ngjall: Pranimi për të marrë pjesë në pësimet e Tij dhe të qenit i ngjashëm me të në vdekjen e Tij. E kemi theksuar edhe herë tjetër se Ngjallja nuk është diçka që vjen më vete, që vjen pas Kryqit, por gjendet brenda Kryqit, brenda pësimit, kur e pranojmë atë ashtu siç e pranoi edhe Krishti. Dhe anasjelltas, përjetimi i Ngjalljes kërkon gjithnjë si kusht paraprak të bëhemi të ngjashëm me Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur. Kjo pjesëmarrje në Pësimet dhe Ngjalljen e Tij forcon qëndresën tonë, në mënyrë që të mos na përpijë depresioni dhe dëshpërimi. Himni triumfal themelor, që kumbon fort brenda nesh – “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…” – është shpallja kryesore e besimit të krishterë orthodhoks dhe përmbledh domethënien më të thellë të Mishërimit të Birit dhe Fjalës së Perëndisë. Këtë përvojë të dyfishtë, të Kryqit dhe të Ngjalljes, e përjetojnë dëshmorët e Kishës sonë ndër shekuj. Edhe ne “le të ecim me durim në betejën që na pret, duke soditur Jisuin, që është kreu i besimit tonë dhe ai që e bën atë të përsosur” (Heb. 12: 1-2). Duke lavdëruar me mirënjohje Perëndinë Triadik gjatë periudhës paskale, le ta shtojmë përpjekjen tonë, në mënyrë që ta përjetojmë këtë bindje dhe le të përçojmë ngushëllim në mjedisin tonë me dhembshuri. 𝐊𝐫𝐢𝐬𝐡𝐭𝐢 𝐮 𝐍𝐠𝐣𝐚𝐥𝐥, vëllezërit e mi! Pashkë të bekuara, me shëndet, durim dhe mendësi kryqngjallësore!