/Mesazhi Paskal i Mitropolitit të Korçës Hirësisë së Tij Imzot Joanit

Mesazhi Paskal i Mitropolitit të Korçës Hirësisë së Tij Imzot Joanit

MESAZHI PASKAL I MITROPOLITIT TE KORÇES HIRESISE SE TIJ IMZOT JOANIT Nën Dritën e Ngjalljes Mund Të Përballojmë Çdo Vështirësi I Ngjarjet që përkujtojmë në Javën e Madhe, pësimin, vdekjen dhe ngjalljen e Zotit tonë Jisu Krisht, janë ngjarjet më të rëndësishme të historisë njerëzore, themeli i veprës së Tij shpëtimtare dhe i Ungjillit, me anë të cilit ne shpëtohemi. Shën Pavli e përkufizon Ungjillin me të vërtetën e dyfishtë, që Jisui pësoi dhe vdiq për mëkatet tona, vërtetuar nga varrosja e Tij dhe se Ai u ngjall ditën e tretë, vërtetuar nga varri i zbrazur dhe nga të shfaqurit e Tij para shumë dëshmitarëve (1 Kor. 15:3–5). Krishti, me anë të vdekjes, tregoi që ishte një njeri dhe me anë të ngjalljes, vërtetoi se ishte Perëndi, sepse nuk ishte e mundur të zotërohej prej prishjes Krijuesi i Jetës (Lit. e Sh. Vasilit). Kjo e vërtetë është shtylla e besimit tonë. Shkrimi i Shenjtë nuk e shikon vdekjen e Krishtit të ndarë nga ngjallja dhe ne duhet ta ruajmë këtë lidhje. Zbritja e Krishtit në varr është po aq e rëndësishme sa edhe dalja e Tij nga varri. Të besosh në njërën pa tjetrën do të thotë të besosh në një ungjill të rremë, që nuk mund të shpëtojë. Shën Athanasi i Madh shkruan: Vdekja duhej t’i paraprinte ngjalljes, sepse nuk mund të kishte ngjallje pa të. Kryqi i Tij është dëshmia më e plotë e dashurisë së Trinisë së Shenjtë për njerëzit, një dashuri e thellë dhe vepruese, dashuri që shëron dhe shpëton. II Vdekja është armiku i përbashkët i të gjithë njerëzve, duke shkaktuar frikë dhe ankth në jetën tonë. Shkrimi i Shenjtë na tregon se: Perëndia nuk e krijoi vdekjen dhe nuk gëzohet në shkatërrimin e të gjallëve (Dit. 1:13-14). Ajo është fryti i largimit të njeriut nga Krijuesi i tij. Ne nuk e shmangim dot atë, duke e anashkaluar, harruar, ose duke u dehur me dëshirat dhe qëllimet e kota të kësaj bote. Në botën tonë njerëzore, vdekja është mundimi dhe tmerri më i madh. Ajo e godet njeriun në thelbin e qenies së tij, duke e ndarë trupin nga shpirti. Çlirimi, nga ky mundim dhe tmerr, është shpëtimi i vërtetë dhe një shpëtim i tillë iu dha të gjithë njerëzve, nga Ai që e mundi vdekjen – Perëndi-Njeriu i Ngjallur. Në librin e Jobit ngrihet një pyetje themelore mbi qëllimin e jetës së njeriut: Vallë i vdekuri a mund të jetojë përsëri? (Job. 14:14), pyetje që është bërë dhe bëhet vazhdimisht ndër shekuj. Shumë janë munduar t’i përgjigjen, në mënyra të ndryshme, kësaj pyetjeje themelore. Por, kjo pyetje, mori një përgjigje të qartë dhe të vërtetë, vetëm në vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit, sepse Zoti nuk erdhi të përballej me vdekjen në mënyrë filozofike dhe teorike, por u përball me të personalisht dhe me vdekjen e Tij, vdekjen mundi, duke na çliruar nga robëria e dyfishtë: nga vdekja shpirtërore dhe nga ajo trupore.