JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES
(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)
APOSTULLI – 2 Korinthianëve 5:1-10.
Sepse e dimë që, në u prishtë tenda e shtëpisë sonë tokësore, kemi ndërtesë tjetër nga Perëndia, shtëpi jo të bërë me dorë, po të përjetshme, në qiejt. Sepse në këtë tendë psherëtijmë, duke dëshiruar të veshim përsipër shtëpinë tonë qiellore. Dhe në qoftë se kemi veshur atë, nuk do të gjendemi të zhveshur.
Sepse ne që jemi në këtë tendë, psherëtijmë nën peshën e saj; sepse s’duam të zhvishemi, po të vishemi përsipër, që e vdekshmja të përpihet prej jetës. Edhe ai që na krijoi për këtë punë, është Perëndia, i cili edhe na dha paradhënien e Frymës.
Duke pasur pra përherë guxim, dhe duke ditur se deri sa rrimë në trup jemi larg nga Zoti, sepse ecim me besim, jo me të shikuar, prandaj kemi guxim e na pëlqen më tepër të largohemi nga trupi, e të jemi pranë Zotit. Prandaj edhe përpiqemi, qoftë duke qenë afër, qoftë duke qenë larg, t’i jemi atij të pëlqyeshëm.
Sepse të gjithë ne duhet të dalim përpara gjykatores së Krishtit, që të shpaguhet gjithësecili për ato punë që ka bërë me anë të trupit, qoftë mirë, qoftë keq.
* * * * *
UNGJILLI – Llukai 9:57-62.
Edhe ndodhi që kur ata po ecnin udhës, dikush i tha: Zot, do të të vij pas kudo që të shkosh. Edhe Jisui i tha atij: Dhelprat kanë strofka, edhe zogjtë e qiellit çerdhe; po Biri i njeriut s’ka ku të mbështesë kryet.
Edhe i tha një tjetri: Eja pas meje. Edhe ai i tha: Zot, lermë më përpara të shkoj e të varros tim atë. Po Jisui i tha: Lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre; ndërsa ti shko, e lajmëro për mbretërinë e Perëndisë.
Po edhe një tjetër tha: Zot, do të vij pas teje; po lermë më përpara të përshëndetem me ata të shtëpisë sime. Po Jisui i tha: Kush vë dorën e tij mbi parmendë dhe vështron prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë.