/E PREMTE, 31 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E PREMTE, 31 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

APOSTULLI – Titi 1:15-2:10.

Për të pastrit të gjitha janë të pastra; po për të ndyrët e të pabesët asgjë s’është e pastër, por edhe mendja edhe ndërgjegjja e tyre janë të ndyra. Pohojnë me gojë se njohin Perëndi, po me veprat e mohojnë, sepse janë të ndyrë dhe të pabindur, edhe në çdo punë të mirë të paprovuar.

Po ti fol ato që duhet për mësimin e shëndoshë. Pleqtë të jenë të përmbajtur, të hijshëm, të urtë, të shëndoshë në besim, në dashuri, në durim.

Gjithashtu edhe plakat të kenë sjellje siç u ka hije shenjtëve; jo shpifëse, jo të dhëna shumë pas verës, mësuese të mira, që të mësojnë të rejat të duan burrat e djemtë e tyre, të urta, të pastra, shtëpiake, të mira, të bindura ndaj burrave të tyre, që të mos blasfemohet fjala e Perëndisë.

Të rinjtë gjithashtu nxiti të jenë të urtë.

Në të gjitha tregoje veten tënde shembull punësh të mira, duke treguar në mësim paprishje, nder, fjalë të shëndoshë e të padënueshme, që të turpërohet ai që është kundër, e të mos ketë të flasë për ju asgjë të ligë.

Shërbëtorët t’u binden zotërve të tyre, në të gjitha punët të jenë të pëlqyeshëm, të mos kthejnë fjalë; të mos e bëjnë të tyren gjënë e huaj, po të tregojnë çdo ndershmëri, që të stolisin në gjithçka mësimin e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë.

* * * * *

UNGJILLI – Marku 12:1-12.

Dhe nisi t’u flasë atyre me paravoli. Një njeri mbolli një vresht, edhe e thuri me gardh, edhe gërmoi një tirë, edhe ndërtoi një pirg, edhe e pajtoi ndër bujq, edhe iku në dhe të huaj. Edhe në kohën e të vjelave dërgoi një shërbëtor tek bujqit, që të marrë prej bujqve nga frytet e vreshtit. Po ata e kapën dhe e rrahën, edhe e kthyen prapa duarbosh.

Edhe përsëri dërgoi një tjetër shërbëtor tek ata; por edhe atë e rrahën me gurë, edhe i çanë kryet, edhe e kthyen prapa të turpëruar. Edhe përsëri dërgoi një tjetër; po edhe atë e vranë; edhe shumë të tjerë dërgoi, por disa i rrahën, edhe disa i vranë.

Duke pasur pra edhe një bir, të dashurin e tij, e dërgoi edhe atë tek ata më në fund, duke thënë se do të kenë turp prej tim biri. Po ata bujqit, kur e panë duke ardhur, i thanë njëri-tjetrit se ky është trashëgimtari; ejani ta vrasim, edhe trashëgimi do të jetë yni. Edhe e morën, edhe e vranë, edhe e nxorën jashtë vreshtit.

Ç’do të bëjë pra i zoti i vreshtit? Do të vijë e do të shfarosë bujqit, edhe vreshtin do t’ua japë të tjerëve. As këtë shkrim s’e keni lexuar: “Guri, që flakën tej ndërtuesit, ky u bë i qoshes; prej Zotit u bë kjo, edhe është e çuditshme në sytë tanë”.

Edhe ata kërkonin ta kapnin; po patën frikë nga turma; sepse e kuptuan se për ata e tha paravolinë; edhe e lanë e ikën.