APOSTULLI – Galatianëve 4:4-7.
Po kur erdhi plotësia e kohës, Perëndia dërgoi të Birin, që lindi prej gruaje dhe që ishte nën ligj, që të shpërblejë ata që ishin nën ligj, që të marrin birësinë.
Edhe meqenëse jemi bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja, që thërret: Abba, o Atë.
Prandaj nuk je më shërbëtor, po bir; dhe në je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit.
* * * * *
UNGJILLI – Mateu 2:1-12.
Edhe si lindi Jisui në Betlehem të Judesë, në ditët e mbretit Herod, ja, ca magë nga Lindja erdhën në Jerusalem, duke thënë: Ku është mbreti i Judenjve që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij nga Lindja dhe erdhëm që t’i falemi.
Edhe mbreti Herod kur dëgjoi, u drodh edhe bashkë me të edhe gjithë Jerusalemi. Edhe si mblodhi gjithë kryepriftërinjtë edhe shkruesit e popullit, pyeste të merrte vesh prej tyre se ku lind Krishti. Edhe ata i thanë atij: Në Betlehem të Judesë. Sepse kështu është shkruar me anë të profetit: “Edhe ti, Betlehem, dheu i Judesë, aspak nuk je më i vogli ndër të parët e Judesë; sepse prej teje do të dalë një prijës, i cili do të kullosë popullin tim Izrael”.
Atëherë Herodi thirri fshehurazi magët, edhe mori vesh me saktësi nga ata kohën e yllit që ishte dukur. Edhe duke i dërguar ata në Betlehem, tha: Shkoni e vëzhgoni mirë për fëmijën, edhe si ta gjeni, të më lajmëroni, që të vij edhe unë e t’i falem atij.
Edhe ata si dëgjuan mbretin ikën; edhe ja ylli që kishin parë në Lindje tek shkonte përpara tyre, deri sa erdhi e qëndroi sipër tek ishte fëmija. Edhe ata kur panë yllin, u gëzuan me gëzim fort të madh.
Edhe kur erdhën në shtëpi, panë fëmijën bashkë me të ëmën, Marinë, edhe duke rënë përdhe iu falën atij, edhe si hapën thesaret e tyre, i prunë atij dhurata, ar e temjan e miro. Edhe si iu tregua atyre nga Perëndia në ëndërr të mos kthehen tek Herodi, ikën në vendin e tyre nga një tjetër udhë.