/E DIEL, 26 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E DIEL, 26 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E DIELA PAS KRISHTLINDJES

APOSTULLI – Galatianëve 1:11-19.

Po ju bëj të ditur, vëllezër, se ungjilli që u predikua prej meje nuk është sipas njeriut; sepse as unë s’e mora prej njeriu, as nuk u mësova prej njeriu, po nëpërmjet zbulesës së Jisu Krishtit.

Sepse keni dëgjuar për sjelljen time të mëparshme në Judaizëm, se fort tepër përndiqja kishën e Perëndisë për ta shkatërruar atë. Dhe përparoja në Judaizëm më tepër se shumë bashkëmoshatarë në kombin tim, sepse isha më tepër i zellshëm për traditat e etërve të mi.

Po kur i pëlqeu Perëndisë, i cili më ndau që nga barku i nënës dhe më thirri me anë të hirit të tij, që të zbulojë Birin e tij tek unë, që ta ungjillëzoj atë ndër kombet, përnjëherë nuk u këshillova me mish e me gjak, as nuk u ngjita në Jerusalem tek ata që qenë apostuj para meje, por shkova në Arabi, dhe përsëri u ktheva në Damask.

Pastaj, pas tre vjetësh u ngjita në Jerusalem, për të takuar Pjetrin; dhe qëndrova pranë tij pesëmbëdhjetë ditë.

Edhe tjetër nga apostujt nuk pashë, veçse Jakovin, vëllain e Zotit.

* * * * *

UNGJILLLI – Mateu 2:13-23.

Edhe pasi ikën ata, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit, duke thënë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe ik në Egjipt. Edhe rri atje deri kur të të them ty, sepse Herodi do të kërkojë djalin që ta vrasë.

Edhe ai u ngrit, e mori me vete djalin edhe të ëmën e tij natën, edhe iku në Egjipt. Edhe ndenji atje deri në vdekjen e Herodit, që të përmbushet e thëna prej Zotit me anë të profetit, që thotë: “Nga Egjipti thirra tim bir”.

Atëherë Herodi, kur pa se u gënjye nga magët, u zemërua fort, edhe dërgoi e vrau gjithë djemtë që ishin në Betlehem e nëpër gjithë rrethinat e tij, që nga dy vjeç e poshtë, sipas kohës që kishte marrë vesh saktësisht nga magët. Atëherë u përmbush ç’është thënë nga profeti Jeremia, që thotë: “Zë u dëgjua në Rama, vaj e të qarë e gjëmë shumë. Rakela qante djemtë e saj, edhe nuk donte të ngushëllohej, sepse nuk janë”.

Edhe si vdiq Herodi, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit në Egjipt e i thotë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe shko në dhe të Izraelit; sepse vdiqën ata që kërkonin jetën e djalit. Edhe ai u ngrit e mori me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe erdhi në dhe të Izraelit.

Po kur dëgjoi se Arkelau mbretëron në Jude në vend të Herodit, të atit të tij, pati frikë të shkojë atje; edhe siç iu tregua atij nga Perëndia në ëndërr, iku në anët e Galilesë, edhe erdhi e ndenji në një qytet që quhet Nazaret; që të përmbushet ç’është thënë nga profetët, se nazaretas do të quhet.