/E MARTË, 28 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E MARTË, 28 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

APOSTULLI – 2 Timotheut 3:16-4:4.

Gjithë Shkrimi është i perëndifrymëzuar, edhe i dobishëm për mësim, për qortim, për ndreqje, për arsim që është me drejtësi; që të jetë i përsosur njeriu i Perëndisë, i përgatitur për çdo punë të mirë.

Të urdhëroj pra unë përpara Perëndisë edhe Zotit Jisu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur në shfaqjen e tij dhe në mbretërinë e tij: Prediko fjalën, ngulmo me kohë e pa kohë, qorto, këshillo, nxit me çdo zemërgjerësi edhe mësim.

Sepse ka për të ardhur koha kur nuk do të durojnë mësimin e shëndoshë, por do të mbledhin grumbull pranë vetes së tyre mësues sipas dëshirave të tyre, për të gudulisur veshët.

Edhe prej së vërtetës do të largojnë dëgjimin, edhe do të kthehen pas përrallave.

* * * * *

UNGJILLI – Marku 11:11-23.

Edhe Jisui hyri në Jerusalem dhe në tempull; edhe si i vuri re përqark të gjitha, meqenëse tani ishte vonë, doli në Betani bashkë me të dymbëdhjetët.

Edhe të nesërmen, si dolën nga Betania, i erdhi uri. Edhe kur pa për së largu një fik që kishte fletë, erdhi, se mos gjente gjë në të; edhe si erdhi tek ai, s’gjeti gjë, veç fletë; sepse s’ishte kohë fiqsh. Edhe Jisui u përgjigj e i tha fikut: Asnjë mos ngrëntë më fryt prej teje për jetë. Edhe nxënësit e tij e dëgjonin.

Edhe vijnë përsëri në Jerusalem; edhe Jisui, si hyri në tempull, zuri të nxjerrë jashtë ata që shisnin e blinin në tempull; edhe tryezat e këmbyesve të monedhave, edhe ndenjëset e atyre që shisnin pëllumba i përmbysi. Edhe nuk linte asnjë të kalojë enë përmes tempullit. Edhe i mësonte, duke u thënë atyre: A nuk është shkruar “se shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për gjithë kombet”? Po ju e bëtë “shpellë kusarësh”. Edhe dëgjuan shkruesit e Farisenjtë e kryepriftërinjtë, edhe kërkonin si ta zhduknin; sepse kishin frikë prej tij, se gjithë populli çuditej për mësimin e tij.

Edhe kur u ngrys, doli jashtë qytetit.

Edhe në mëngjes, duke shkuar, panë fikun të tharë që nga rrënja. Edhe Pjetri si u kujtua i tha atij: Rabbi, shiko, fiku, që mallkove, u tha. Edhe Jisui u përgjigj, e u tha atyre: Kini besim në Perëndinë, sepse me të vërtetë po ju them juve, se kush t’i thotë këtij mali: Ngrihu dhe hidhu në det, edhe të mos ketë dyshim në zemrën e tij, por të besojë se sa thotë bëhen, do t’i bëhet atij çfarëdo që të thotë.