JEMI NË DITËN E FUNDIT TË KRESHMËS SË KRISHTLINDJES
NË MËNGJES – ORËT E MËDHA.
– Ora e parë –
NGA LIBRI I PROFETIT – Mikea 5:1-3.
Tani bashkohu tok, o bijë e trupave. Na kanë rrethuar; me shufër godasin mbi faqe gjyqtarin e Izraelit.
Por ti, o Betlem Efratah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë.
Prandaj ai do t’i braktisë deri në kohën në të cilën ajo që duhet të pjellë ka për të pjellë; atëherë kusuri i vëllezërve të saj do t’u kthehet bijve të Izraelit.
APOSTULLI – Hebrenjve 1:1-12.
Perëndia, pasi u foli qëmoti etërve tanë me anë të profetëve shumë herë e me shumë mënyra, në këto ditë të fundit na foli neve me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjithave, me anë të të cilit bëri edhe jetët; i cili, duke qenë ndriçimi i lavdisë dhe karakter i qenies së atij, edhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij, pasi me anë të vetes së tij pastroi mëkatet tona, ndenji në të djathtë të madhërisë në të lartat; edhe u bë kaq më i mirë nga engjëjt, sa emër më të shquar se ata ka trashëguar.
Sepse cilit prej engjëjve i tha ndonjëherë: “Ti je Biri im; unë sot të kam lindur?”. Edhe përsëri: “Unë do t’i jem atij Atë, dhe ai do të më jetë Bir?”. Edhe kur përsëri të shtjerë të parëlindurin në botë, thotë: “Edhe le t’i falen atij gjithë engjëjt e Perëndisë”. Edhe për engjëjt thotë: “Ai që i bën engjëjt e tij frymëra, edhe shërbyesit e tij flakë zjarri”. Po për Birin thotë: “Froni yt, o Perëndi, është në jetë të jetës; shkop drejtësie është shkopi i mbretërisë sate.
Deshe drejtësinë dhe urreve paudhësinë; prandaj të leu, o Perëndi, Perëndia yt, me vaj gëzimi më tepër se bashkëpjesëtarët e tu”. Edhe: “Ti në fillim, o Zot, themelove dhenë, edhe punë të duarve të tua janë qiejt. Ata do të prishen, por ti mbetesh; edhe të gjithë si rrobë do të vjetrohen, edhe si të veshur do t’i mbështjellësh ata, edhe do të ndërrohen; por ti je po ai, edhe vitet e tua nuk do të shterrojnë”.
UNGJILLI – Mateu 1:18-25.
Edhe lindja e Jisu Krishtit kështu ishte: Pasi u fejua e ëma e tij, Maria, me Josifin, përpara se të bashkoheshin, u gjend me barrë nga Fryma e Shenjtë.
Edhe Josifi, burri i saj, duke qenë i drejtë, e duke mos dashur t’i nxjerrë asaj zë të lig, deshi ta linte fshehurazi. Po ndërsa ai ishte duke menduar këto, ja një engjëll i Zotit tek iu duk në ëndërr, duke thënë: Josif, bir i Davidit, mos u frikëso të marrësh me vete gruan tënde, Mariamin; sepse mbarsja që u bë tek ajo është nga Fryma e Shenjtë. Edhe do të lindë djalë, edhe do t’ia quash emrin Jisu; sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.
Edhe gjithë kjo u bë, që të përmbushet e thëna prej Zotit me anë të profetit, që thotë: “Ja virgjëresha tek do të mbarset, edhe do të lindë djalë, edhe do t’ia quash emrin Emanuel”, që e përkthyer domethënë Perëndia bashkë me ne.
Edhe Josifi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç e urdhëroi engjëlli i Zotit, edhe mori pranë vetes gruan e tij. Edhe nuk e njohu atë, derisa lindi të birin e saj, të parëlindurin; edhe ia quajti emrin Jisu.
* * * * *
– Ora e tretë –
NGA LIBRI I PROFETIT – Varuk (Jeremia) 3:36-4:4.
Ky është Perëndia ynë, s’ ka tjetër veç tij. Shpiku çdo udhë shkence dhe i dha të birit të tij Jakov dhe të dashurit të tij Israel; dhe pastaj u pa mbi dhe e kuvendoi me njerëzit.
Ky është libri i porosive të tij dhe kanuni që është përjetë; gjithë ata që e ruajnë, do të rrojnë dhe ata qe do ta shkelin, do të vdesin. Kthehu, o Jakov, dhe merre. Barit te shkëlqimi me dritën e saj përpara. Mos ia jep një tjetri lavdinë tënde dhe interesat e tua një kombi të huaj; të lumur jemi, o Israel, se na janë të njohura ato që i pëlqejne Perëndisë.
APOSTULLI – Galatianëve 3:23-4:5.
Edhe përpara se të vinte besimi, ruheshim nën ligj, të mbyllur brenda në besimin, i cili ishte për t’u zbuluar. Prandaj ligji u bë mësuesi ynë në Krishtin, që të drejtësohemi prej besimit. Por si erdhi besimi, nuk jemi më nën mësues.
Sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit që është në Krishtin Jisu. Sepse sa u pagëzuat në Krishtin, në Krishtin u veshët. Nuk ka më Jude, as Grek; nuk ka më shërbëtor, as të lirë; nuk ka më mashkull e femër; sepse ju të gjithë jeni në Krishtin Jisu. Edhe në jeni ju të Krishtit, atëherë jeni farë e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.
Edhe them se, sa kohë trashëgimtari është foshnjë, nuk dallon fare nga shërbëtori, ndonëse është i zoti i të gjithave; por është nën mbikëqyrës e kujdestarë, deri në kohën e caktuar nga i ati. Kështu edhe ne, kur ishim foshnja, ishim robër nën elementët e botës; po kur erdhi plotësia e kohës, Perëndia dërgoi të Birin, që lindi prej gruaje dhe që ishte nën ligj, që të shpërblejë ata që ishin nën ligj, që të marrin birësinë.
UNGJILLI – Llukai 2:1-20.
Edhe në ato ditë doli urdhëresë prej Cezarit August të regjistrohej gjithë bota. Ky regjistrim u bë për të parën herë, kur ishte Kirini qeveritar i Sirisë. Edhe vinin të gjithë të regjistroheshin, secili në qytetin e tij. U ngjit edhe Josifi prej Galilesë, nga qyteti Nazaret, në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Betlehem, sepse ai ishte prej shtëpisë e prej atërisë së Davidit, që të regjistrohet bashkë me Mariamën, gruan me të cilën ishte fejuar, e cila ishte me barrë. Edhe ndërsa ata ishin atje, asaj iu mbushën ditët që të lindë. Edhe lindi birin e saj, të parëlindurin, edhe e mbështolli në shpërgënj, edhe e vuri në grazhd, sepse nuk kishte vend për ata në bujtinë.
Edhe në atë vend nëpër arat ishin disa barinj, duke ruajtur me radhë natën tufën e tyre. Edhe ja një engjëll i Zotit u shfaq papritur tek ata, edhe lavdia e Zotit ndriti rreth tyre, edhe u trembën me frikë të madhe. Edhe engjëlli u tha atyre: Mos u frikësoni, sepse ja tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh, që do të jetë për gjithë popullin. Sepse sot ju lindi juve në qytetin e Davidit një shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht. Edhe kjo do të jetë shenja për ju, do të gjeni një foshnjë mbështjellë në shpërgënj, shtrirë në grazhd.
Edhe papandehur, bashkë me engjëllin u duk një shumicë ushtrie qiellore, duke himnuar Perëndinë e duke thënë: Lavdi Perëndisë që është në më të lartat, edhe mbi dhenë paqe, edhe në njerëzit mirëdashje.
Edhe si ikën engjëjt prej tyre në qiell, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: Le të shkojmë tani në Betlehem e të shohim këtë punë që është bërë, të cilën Zoti na e tregoi. Edhe erdhën me vrap e gjetën Mariamën dhe Josifin e foshnjën shtrirë në grazhd. Edhe si panë, treguan për fjalën që iu tha atyre për këtë djalë.
Edhe të gjithë ata që dëgjuan, u çuditën për ato që iu thanë atyre nga barinjtë. Edhe Mariama i mbante gjithë këto fjalë, duke i ruajtur në zemrën e saj. Edhe barinjtë u kthyen duke lavdëruar e duke himnuar Perëndinë për gjithë ato që dëgjuan e panë, sikundër iu tha atyre.
* * * * *
– Ora e gjashtë –
NGA LIBRI I PROFETIT – Isaia 7:10-16, 8:1-4, 9-10.
Zoti i foli përsëri Ashazit dhe i tha: Kërkoji një shenjë për vete Zotit, Perëndisë tënd; kërkoja ose në thellësitë, ose në lartësitë. Por Ashazi u përgjigj: “Unë nuk do të kërkoj asgjë, nuk dua të tundoj Zotin”. Atëherë Isaia tha: “Dëgjoni tani, o shtëpi e Davidit! Mos është vallë një gjë e vogël për ju të lodhësh njerëzit, që doni të lodhni edhe Perëndinë tim?
Prandaj vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quajë Emanuel. Ai do të hajë ajkë dhe mjaltë derisa të mësojë të hedhë poshtë të keqen dhe të zgjedhë të mirën.
Por para se fëmija të mësojë të hedhë poshtë të keqen dhe të zgjedhë të mirën, vendi të cilin ti e druan për shkak të dy mbretërve të tij do të braktiset.
Zoti më tha: “Merr një rrasë të madhe dhe shkruaj mbi të me shkronja të zakonshme: “Maher-Shalal-Hash-Baz””. Atëherë mora me vete për të dëshmuar si dëshmitarë të besuar, priftin Uria dhe Zakarian, birin e Jaberekiahut. U bashkova gjithashtu me profeteshën dhe kjo mbeti shtatzënë dhe lindi një djalë.
Atëherë Zoti më tha: “Quaje Maher-Shalal-Hash-Baz; sepse para se fëmija të dijë të thotë: “Ati im”, o “Nëna ime”, pasuritë e Damaskut dhe plaçka e Samarisë do të çohen para mbretit të Asirisë”.
Bashkohuni, pra, madje me vrull, o popuj, por do të bëheni copë-copë, dëgjoni, o ju mbarë vende të largëta. Ngjishuni, pra, por do të bëheni copë-copë; ngjishuni, pra, por do të bëheni copë-copë.
Bëni, pra, plane, por do të dalin bosh. Thoni një fjalë, por ajo nuk do të realizohet, sepse Perëndia është me ne”.
APOSTULLI – Hebrenjve 1:10-2:3.
Edhe: “Ti në fillim, o Zot, themelove dhenë, edhe punë të duarve të tua janë qiejt. Ata do të prishen, por ti mbetesh; edhe të gjithë si rrobë do të vjetrohen, edhe si të veshur do t’i mbështjellësh ata, edhe do të ndërrohen; por ti je po ai, edhe vitet e tua nuk do të shterrojnë”. Edhe cilit prej engjëjve i tha ndonjëherë: “Rri në të djathtën time, derisa të vë armiqtë e tu nënkëmbje të këmbëve të tua”?
A nuk janë të gjithë frymëra shërbyese, që dërgohen për shërbesë për ata që kanë për të trashëguar shpëtim?
Prandaj duhet ne më tepër t’ua vëmë veshin atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjëherë. Sepse, nëse doli e vërtetë fjala që u fol me anë të engjëjve, edhe çdo shkelje e mosdëgjim mori shpagim të drejtë, atëherë si do të shpëtojmë ne, në e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh, i cili, pasi zuri të flitet prej Zotit, u vërtetua ndër ne prej atyre që e dëgjuan?
UNGJILLI – Mattheu 2:1-12.
Edhe si lindi Jisui në Betlehem të Judesë, në ditët e mbretit Herod, ja, ca magë nga Lindja erdhën në Jerusalem, duke thënë: Ku është mbreti i Judenjve që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij nga Lindja dhe erdhëm që t’i falemi. Edhe mbreti Herod kur dëgjoi, u drodh edhe bashkë me të edhe gjithë Jerusalemi.
Edhe si mblodhi gjithë kryepriftërinjtë edhe shkruesit e popullit, pyeste të merrte vesh prej tyre se ku lind Krishti. Edhe ata i thanë atij: Në Betlehem të Judesë. Sepse kështu është shkruar me anë të profetit: “Edhe ti, Betlehem, dheu i Judesë, aspak nuk je më i vogli ndër të parët e Judesë; sepse prej teje do të dalë një prijës, i cili do të kullosë popullin tim Izrael”.
Atëherë Herodi thirri fshehurazi magët, edhe mori vesh me saktësi nga ata kohën e yllit që ishte dukur. Edhe duke i dërguar ata në Betlehem, tha: Shkoni e vëzhgoni mirë për fëmijën, edhe si ta gjeni, të më lajmëroni, që të vij edhe unë e t’i falem atij. Edhe ata, si dëgjuan mbretin, ikën; edhe ja ylli që kishin parë në Lindje tek shkonte përpara tyre, derisa erdhi e qëndroi sipër tek ishte fëmija. Edhe ata, kur panë yllin, u gëzuan me gëzim fort të madh.
Edhe kur erdhën në shtëpi, panë fëmijën bashkë me të ëmën, Marinë, edhe duke rënë përdhe iu falën atij, edhe si hapën thesaret e tyre, i prunë atij dhurata, ar e temjan e miro. Edhe si iu tregua atyre nga Perëndia në ëndërr të mos kthehen te Herodi, ikën në vendin e tyre nga një tjetër udhë.
* * * * *
– Ora e nëntë –
NGA LIBRI I PROFETIT – Isaia 9:6-7.
Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.
Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, për ta vendosur pa u tundur dhe për ta përforcuar me anë të mënçurisë dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë. Këtë ka për të bërë zelli i Zotit të ushtrive.
APOSTULLI – Hebrenjve 2:11-18.
Meqenëse edhe ai që shenjtëron, edhe ata që shenjtërohen janë të gjithë prej njërit, shkak për të cilin nuk turpërohet t’i quajë ata vëllezër, duke thënë: “Do t’u rrëfej emrin tënd vëllezërve të mi, në mes të kishës do të të lavdëroj”.
Edhe prapë: “Unë do të kem shpresën time në atë”; dhe përsëri: “Ja unë, dhe djemtë që më dha Perëndia”. Edhe meqenëse djemtë kanë marrë pjesë prej mishi e gjaku, edhe ai gjithashtu u bë pjesëtar në po ato gjëra, që të prishë me anë të vdekjes atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, edhe të shpëtojë të gjithë ata, të cilët nga frika e vdekjes ishin gjithë jetën e tyre mbajtur në skllavëri.
Sepse me të vërtetë nuk u ndihmon engjëjve, po farës së Abrahamit i ndihmon. Prandaj duhej t’u ngjante në gjithçka vëllezërve, që të bëhej kryeprift i dhembshur dhe besnik në punët që kanë të bëjnë me Perëndinë, për shlyerjen e mëkateve të popullit. Sepse me atë që pësoi vetë kur u nga, mund t’u ndihmojë atyre që ngiten.
UNGJILLI – Mattheu 2:13-23.
Edhe pasi ikën ata, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit, duke thënë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe ik në Egjipt. Edhe rri atje deri kur të të them ty, sepse Herodi do të kërkojë djalin që ta vrasë.
Edhe ai u ngrit, e mori me vete djalin edhe të ëmën e tij natën, edhe iku në Egjipt. Edhe ndenji atje deri në vdekjen e Herodit, që të përmbushet e thëna prej Zotit me anë të profetit, që thotë: “Nga Egjipti thirra tim bir”.
Atëherë Herodi, kur pa se u gënjye nga magët, u zemërua fort, edhe dërgoi e vrau gjithë djemtë që ishin në Betlehem e nëpër gjithë rrethinat e tij, që nga dy vjeç e poshtë, sipas kohës që kishte marrë vesh saktësisht nga magët. Atëherë u përmbush ç’është thënë nga profeti Jeremia, që thotë: “Zë u dëgjua në Rama, vaj e të qarë e gjëmë shumë. Rakela qante djemtë e saj, edhe nuk donte të ngushëllohej, sepse nuk janë”.
Edhe si vdiq Herodi, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit në Egjipt e i thotë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe shko në dhe të Izraelit; sepse vdiqën ata që kërkonin jetën e djalit. Edhe ai u ngrit e mori me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe erdhi në dhe të Izraelit.
Po kur dëgjoi se Arkelau mbretëron në Jude në vend të Herodit, të atit të tij, pati frikë të shkojë atje; edhe siç iu tregua atij nga Perëndia në ëndërr, iku në anët e Galilesë, edhe erdhi e ndenji në një qytet që quhet Nazaret; që të përmbushet ç’është thënë nga profetët, se nazaretas do të quhet.