/E ENJTE, 23 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E ENJTE, 23 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – 1 Timotheut 6:17:21.

Të pasurit në këtë jetë porositi të mos mbahen me të madh, as të mos shpresojnë në pasurinë që s’qëndron, po në Perëndinë e gjallë, i cili na i jep të gjitha dorëhapur që t’i gëzojmë; të bëjnë të mirën, të pasurohen në punë të mira, të jenë dorëdhënës, të shoqërueshëm, duke mledhur për vete si thesar një themel të mirë për të ardhmen, që të arrijnë jetën e përjetshme.

O Timothe, ruaj atë që të është besuar, duke u larguar nga fjalët e kota përdhosëse, edhe nga kundërvëniet e diturisë që në të rremë quhet kështu, nga shkaku i së cilës disa, duke e pasur për mjeshtëri, u larguan nga besimi. Hiri qoftë me ty. Amin.

* * * * *

UNGJILLI – Marku 10:17-28.

Edhe ndërsa po dilte në rrugë, një njeri u lëshua me vrap, edhe ra në gjunjë përpara tij, edhe e pyeste: Mësues i mirë, ç’të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme? Edhe Jisui i tha: Pse më thua i mirë? Asnjë s’është i mirë, përveç një, Perëndia.

Urdhërimet i di: “Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos jep dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde”. Edhe ai iu përgjigj, e i tha: Mësues, këto i kam ruajtur që në rininë time. Edhe Jisui hodhi sytë mbi të, edhe e deshi, edhe i tha: Një gjë të mungon, në do të jesh i përsosur, shko e shit sa ke, edhe jepua të varfërve dhe do të kesh thesar në qiell, edhe eja, ngri kryqin tënd e më ndiq pas.

Po ai u ngrys nga kjo fjalë, edhe iku i hidhëruar, se kishte shumë zotërime.

Edhe Jisui, si hodhi sytë përreth, u tha nxënësve të tij: Sa me vështirësi do të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që kanë para! Edhe nxënësit tmerroheshin për fjalët e tij. Po Jisui përsëri u përgjigj e u tha atyre: Bij, sa gjë e vështirë është të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që shpresojnë në paratë!

Më lehtë është të shkojë gamilja nëpër vrimën e gjilpërës, se i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.

Edhe ata çuditeshin tepër, duke thënë me veten e tyre: Dhe cili mund të shpëtojë? Edhe Jisui si hodhi sytë mbi ta, tha: Për njerëzit është e pamundur, po jo për Perëndinë; sepse të gjitha janë të mundura për Perëndinë.

Edhe Pjetri zuri t’i thotë: Ja ne tek i lamë të gjitha dhe erdhëm pas teje.