/E PREMTE, 3 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E PREMTE, 3 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

KEMI FILLUAR KRESHMËN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – 1 Thesalonikasve 5:9-13,24-28.

Sepse Perëndia nuk na ka urdhëruar për zemërim, po për trashëgim shpëtimi, me anë të Zotit tonë Jisu Krisht, që vdiq për ne, që, qoftë zgjuar, qoftë fjetur, të rrojmë bashkë me atë. Prandaj ngushëlloni njëri-tjetrin, edhe ndërtoni njëri-tjetrin, sikurse edhe bëni.

Edhe ju lutemi, o vëllezër, t’i njihni ata që mundohen ndër ju, e janë mbi ju në Zotin, edhe ju këshillojnë; edhe t’i nderoni me dashuri fort tepër për punën e tyre.

Kini paqtim në mes tuaj.

Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.

O vëllezër, lutuni për ne.

Përshëndetni gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë. Ju vë në be në Zotin, t’u lexohet letra gjithë vëllezërve të shenjtë.

Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht qoftë bashkë me ju. Amin.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 20:19-26.

Edhe kryepriftërinjtë e shkruesit kërkuan të vënë duart mbi të në atë orë; po patën frikë nga populli; sepse e morën vesh se për ata i tha paravolitë. Edhe duke e ruajtur atë për së afërmi, dërguan përgjues, të cilët shtiheshin se janë të drejtë, me qëllim që ta zinin prej fjale, që t’ia dorëzonin autoritetit dhe pushtetit të qeveritarit.

Edhe e pyetën, duke thënë: Mësues, e dimë se flet e mëson drejt dhe nuk i mban anë njeriu, por me të vërtetë mëson udhën e Perëndisë. A lejohet t’i japim ne Cezarit taksë, apo jo? Edhe ai, si kuptoi dinakërinë e tyre, u tha: Përse më ngitni? Tregomëni një dinar. Të kujt e ka fytyrën e mbishkrimin? Edhe ata u përgjigjën e thanë: Të Cezarit. Edhe ai u tha atyre: Jepini pra Cezarit ato që janë të Cezarit, dhe Perëndisë ato që janë të Perëndisë. Edhe nuk mundën ta zinin prej fjale përpara popullit; edhe u çuditën për përgjigjen e tij, edhe heshtën.