/E PREMTE, 24 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E PREMTE, 24 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

DITË KRESHME

APOSTULLI – 2 Timotheut 3:10-15

Po ti i re prapa mësimit tim, sjelljet, qëllimin, besimin, zemërgjerësinë, dashurinë, durimin, përndjekjet, pësimet, që më ndodhën në Antioki, në Ikoni, në Listër. Çfarë përndjekjesh pësova! Dhe Zoti më shpëtoi nga të gjitha. Po edhe gjithë sa duan të rrojnë me shprestari në Krishtin Jisu do të përndiqen. Po njerëzit e ligj e gënjeshtarë do të shkojnë mbarë në më të ligën, duke gënjyer dhe duke u gënjyer.

Po ti qëndro në ato që mësove e u vërtetove, duke ditur prej cilit i ke mësuar; edhe se që nga foshnjëria i di shkronjat e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtim me anë të besimit që është në Krishtin Jisu.

* * * *

UNGJILLI – Llukai 4:22-30

Edhe të gjithë dëshmonin për të, dhe çuditeshin për fjalët e hirit që dilnin prej gojës së tij, dhe thoshin: A nuk është ky i biri i Josifit?

Edhe ai u tha atyre: Patjetër do të më thoni këtë proverb: Mjek, shëro veten tënde. Do me thënë, sa dëgjuam që janë bërë në Kapernaum, bëji edhe këtu në vendin tënd. Po ai tha: Me të vërtetë po ju them juve, se asnjë profet nuk është i pranuar në vendin e vet.

Edhe me të vërtetë po ju them juve, shumë të veja ishin në Izrael në ditët e Ilias kur u mbyll qielli tre vjet e gjashtë muaj, kur u bë një zi e madhe mbi gjithë dhenë. Po tek asnjë nga ato nuk u dërgua Ilia, përveç në Sareptë të Sidonës tek një grua e ve.

Edhe shumë lebrozë ishin në Izrael në kohën e profetit Elise; po asnjë nga ata nuk u pastrua, përveç Neman Sirianit.

Edhe të gjithë në sinagogë, kur dëgjuan këto, u mbushën me zemërim. Edhe u ngritën dhe e nxorën jashtë qytetit; edhe e prunë deri në buzë të malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta hidhnin poshtë. Po ai si kaloi përmes tyre, iku.