/E PREMTE, 10 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E PREMTE, 10 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

DITË KRESHME

APOSTULLI – 2 Korinthianëve 7:10-16

Sepse hidhërimi sipas udhës së Perëndisë sjell pendim për shpëtim, për të cilin nuk pendohet njeriu; por hidhërimi i botës sjell vdekje. Sepse ja, po ajo punë, hidhërimi juaj sipas Perëndisë, sa kujdes solli tek ju! Po sa shfajësim, po sa zemëratë, po sa frikë, po sa mall, po sa zell, po sa shpagim! Në të gjitha e treguat veten tuaj se jeni të pastër në këtë punë.

Prandaj, edhe nëse ju shkrova, nuk e bëra këtë për atë që ka bërë padrejtësi, as për atë të cilit iu bë padrejtësi, po që të tregohet tek ju kujdesi ynë që kemi për ju përpara Perëndisë.

Prandaj u ngushëlluam; edhe mbi ngushëllimin tuaj u gëzuam shumë më tepër për gëzimin e Titos, se iu preh shpirti nga ju të gjithë. Se nëse u mburra për gjë tek ai për ju, nuk u turpërova; po siç jua thamë juve të gjitha në të vërtetën, kështu edhe mburrja jonë tek Titoja për ju doli e vërtetë. Edhe dashuria e tij për ju atij i shtohet më tepër, kur kujton bindjen e të gjithëve ju, se si me frikë e me drithërim e pritët atë. Gëzohem pra, që guxoj për gjithçka tek ju.

* * * *

UNGJILLI – Joani 3:16-21

Sepse Perëndia aq e deshi botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që të mos humbasë kushdo që t’i besojë atij, po të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi të Birin në botë që të gjykojë botën, po që të shpëtojë bota me anë të tij. Ai që i beson atij, nuk gjykohet; por ai që nuk beson, tashmë është dënuar, sepse nuk besoi në emrin e të vetëmlindurit Bir të Perëndisë.

Edhe ky është gjyqi, se drita erdhi në botë, edhe njerëzit deshën më tepër errësirën se dritën; sepse punët e tyre ishin të liga. Sepse kushdo që bën të këqija, e urren dritën, edhe nuk vjen tek drita, që të mos zbulohen punët e tij. Por ai që bën të vërtetën, vjen tek drita, që të tregohen punët e tij, se janë bërë në Perëndinë.