/E MËRKURË, 6 TETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E MËRKURË, 6 TETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

DITË KRESHME

APOSTULLI – 1 Korinthianëve 4:9-16.

Sepse më duket se Perëndia ne apostujt na tregoi për më të fundit e njerëzve, si të dënuar me vdekje; sepse u bëmë lojë në botë, në engjëjt e në njerëzit. Ne jemi të marrë për Krishtin, e ju të mençur në Krishtin; ne të dobët, e ju të fortë; ju të lavdëruar, e ne të përçmuar.

Deri në këtë orë edhe uri kemi, edhe etje kemi, edhe të zhveshur jemi, edhe me shuplaka rrihemi, edhe endemi andej e këtej, edhe mundohemi duke punuar me duart tona; kur përqeshemi, bekojmë; kur ndiqemi, durojmë; kur shahemi, lutemi; u bëmë si të fshirat e botës, si mbeturinat e të gjithëve deri tani.

Nuk i shkruaj këto për t’ju turpëruar ju, por ju këshilloj si bij të mi të dashur. Sepse edhe sikur të keni dhjetë mijë mësues në Krishtin, po nuk keni shumë etër; sepse unë ju linda në Krishtin Jisu me anë të Ungjillit. Ju lutem juve pra të bëni siç bëj unë.

* * * * *

UNGJILLI – Joani 20:19-31.

Në atë ditë pra, të parën e javës, si u ngrys, edhe dyert ishin mbyllur atje ku ishin mbledhur nxënësit nga frika e Judenjve, erdhi Jisui dhe ndenji në mes, edhe u thotë atyre: Paqe mbi ju. Edhe si tha këtë, u tregoi atyre duart dhe brinjën e tij. U gëzuan pra nxënësit kur panë Zotin. Edhe Jisui pra u tha atyre përsëri: Paqe mbi ju. Siç më dërgoi Ati, edhe unë ju dërgoj ju. Edhe si tha këtë, fryu dhe u thotë atyre: Merrni Frymë të Shenjtë. Kujtdo që t’u falni mëkatet, u janë falur atyre; kujtdo që t’ua mbani, u janë mbajtur.

Po Thomai, një nga të dymbëdhjetët, që quhet Binjak, nuk ishte bashkë me ata, kur erdhi Jisui. Nxënësit e tjerë i thoshin pra: Pamë Zotin. Po ai u tha atyre: Në mos pafsha në duart e tij shenjën e gozhdëve, edhe të vë gishtin tim në shenjën e gozhdëve, edhe të vë dorën në brinjën e tij, s’kam për të besuar.

Edhe pas tetë ditësh përsëri ishin brenda nxënësit e tij, edhe Thomai me ata. Vjen Jisui, ndonëse dyert ishin mbyllur, dhe ndenji në mes e tha: Paqe mbi ju. Pastaj i thotë Thomait: Sill gishtin tënd këtu, edhe shih duart e mia; edhe sill dorën tënde e vëre në brinjën time, edhe mos u bëj i pabesë, po besëtar. Edhe Thomai u përgjigj, e i tha: Zoti im dhe Perëndia im. Jisui i thotë: Sepse më pe, besove. Lum ata që nuk panë dhe besuan.

Edhe shumë çudira të tjera bëri Jisui përpara nxënësve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër. Po këto u shkruan që të besoni se Jisui është Krishti, i Biri i Perëndisë, edhe duke besuar të keni jetë në emrin e tij.