/E MËRKURË, 3 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E MËRKURË, 3 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

DITË KRESHME

APOSTULLI – Filipianëve 2:24-30.

Edhe kam besim në Zotin se edhe vetë do të vij së shpejti.

Por mendova se është e nevojshme të dërgoj tek ju Epafroditin, vëllain dhe bashkëpunëtorin e bashkëluftëtarin tim, që ma dërguat ju dhe më shërbeu në nevojë, sepse kishte shumë mall për ju të gjithë, edhe i vinte keq sepse dëgjuat se u sëmurë. Edhe vërtet u sëmur gati për vdekje; po Perëndia e përdëlleu, edhe jo vetëm atë, por edhe mua, që të mos kem hidhërim mbi hidhërim.

Prandaj jua dërgova atë juve më me nxitim, që të gëzoheni kur ta shihni përsëri, edhe unë të kem më pak hidhërim.

Prandaj priteni atë në Zotin me çdo gëzim, edhe për të këtillët të keni nderim, sepse për punën e Krishtit u afrua deri në vdekje, duke rrezikuar jetën e tij, që të plotësojë mungesën e shërbimit tuaj për mua.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 11:42-46.

Po mjerë ju Farisenjtë! Sepse jepni të dhjetën e mendrës e të ryzës e të çdo barishteje, edhe lini mënjanë gjyqin dhe dashurinë e Perëndisë. Edhe këto duhej t’i bënit, edhe ato të mos i linit.

Mjerë ju Farisenjtë! Sepse doni vendin e parë nëpër sinagogat dhe përshëndetjet nëpër tregjet.

Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, se jeni si varret që s’duken, edhe njerëzit që ecin përsipër nuk e dinë.

Edhe një nga mësuesit e ligjit u përgjigj e i tha: Mësues, duke thënë këto na shan edhe ne. Edhe ai tha: Mjerë edhe ju mësuesit e ligjit!

Sepse ngarkoni njerëzit me barrë që mezi mbahen, edhe ju as me njërin prej gishtave tuaj nuk i prekni barrët.