/E HËNË, 29 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E HËNË, 29 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – 1Thesalonikasve 2:20-3:8.

Sepse ju jeni lavdia jonë dhe gëzimi.

Prandaj, pasi nuk mundëm të durojmë më, e gjetëm për mirë të mbetemi të vetëm në Athinë, edhe dërguam Timotheun, vëllanë tonë, edhe shërbëtor të Perëndisë, edhe bashkëpunëtorin tonë në punën e ungjillit të Krishtit, që t’ju forcojë e t’ju ngushëllojë për besimin tuaj; që të mos tundet asnjë në këto shtrëngime; sepse ju vetë e dini se për këtë jemi vënë.

Sepse, kur ishim pranë jush, ju thoshim më përpara se kemi për të hequr shtrëngime, sikurse edhe u bë, edhe e dini. Prandaj edhe unë, pasi s’duroja dot më, dërgova që të marr vesh për besimin tuaj, se mos ju ngau ai që nget, edhe shkon më kot mundimi ynë.

Po tani që erdhi Timotheu nga ju tek ne, edhe na pruri lajmin e mirë për besimin e për dashurinë tuaj, edhe se na kujtoni gjithnjë për të mirë, edhe se keni mall të na shihni, sikurse edhe ne ju, prandaj, o vëllezër, me gjithë shtrëngimin e nevojën tonë, u ngushëlluam për ju, prej besimit tuaj; sepse tani rrojmë, në qëndrofshi ju në Zotin.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 19:37-44.

Edhe kur u afrua ai tashmë në të zbritur të Malit të Ullinjve, gjithë grumbulli i nxënësve zunë të gëzoheshin e të lavdëronin Perëndinë me zë të madh për gjithë çuditë që panë, duke thënë: I bekuar mbreti që vjen në emrin e Zotit; paqe në qiell, edhe lavdi në më të lartat.

Edhe disa Farisenj prej turmës i thanë: Mësues, qorto nxënësit e tu. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Po ju them juve, se në pushofshin këta, gurët do të thërresin.

Edhe kur u afrua dhe pa qytetin, qau për atë, duke thënë se: Sikur të dije edhe ti, qoftë edhe në këtë ditë tënden, ato që janë për paqen tënde! Po tani u fsheh prej syve të tu, sepse kanë për të ardhur ditë për ty, edhe armiqtë e tu kanë për të bërë hendek rreth teje, edhe kanë për të të rrethuar, edhe kanë për të të shtrënguar nga të gjitha anët.

Edhe kanë për të të përplasur përtokë ty dhe fëmijët e tu brenda teje, dhe nuk kanë për të lënë tek ti gur mbi gur; sepse nuk njohe kohën e ardhjes së Perëndisë tek ti.