/E HËNË, 27 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E HËNË, 27 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

APOSTULLI – Galatianëve 2:11-16

Edhe kur erdhi Pjetri në Antioki, e kundërshtova në sy, sepse ishte për t’u qortuar, sepse pa ardhur disa veta nga Jakovi, hante bashkë me kombet; po kur erdhën, u tërhoq dhe veçoi veten e tij, sepse kishte frikë nga ata që ishin të rrethprerjes.

Edhe bashkë me atë u hoqën veç edhe Judenjtë e tjerë, aq sa edhe Barnaba u tërhoq në hipokrizinë e tyre. Po kur pashë se nuk ecin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Pjetrit përpara të gjithëve: Në qoftë se ti që je Jude rron si kombet, e jo si Judenjtë, pse i detyron kombet të rrojnë si Judenjtë?

Ne që jemi prej natyre Judenj dhe jo prej kombesh mëkatarë, duke ditur se nuk drejtësohet njeriu prej veprash ligji, veçse me anë të besimit të Jisu Krishtit, edhe ne i besuam Krishtit Jisu, që të drejtësohemi prej besimit të Krishtit, dhe jo prej veprave të ligjit; sepse asnjë mish nuk do të drejtësohet prej veprave të ligjit.

* * * *

UNGJILLI – Llukai 4:38-44

Edhe Jisui si u ngrit prej sinagogës, hyri në shtëpinë e Simonit, edhe të vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të mëdha; edhe iu lutën për të. Edhe si qëndroi mbi të, i qortoi ethet, edhe e lanë; edhe ajo menjëherë u ngrit e u shërbente. Edhe kur po perëndonte dielli, gjithë sa kishin të sëmurë prej çdo lloj lëngatash, i prunë tek ai; edhe ai duke vënë duart mbi secilin prej tyre, i shëroi ata. Edhe prej shumë vetëve dilnin edhe demonë duke klithur e duke thënë se ti je Krishti, i biri i Perëndisë. Edhe ai duke i qortuar s’i linte të flitnin, sepse e njihnin se ai ishte Krishti.

Edhe si u bë ditë, doli e shkoi në një vend të shkretë; edhe turmat e kërkonin atë, edhe erdhën deri aty; edhe e mbanin, që të mos ikte prej tyre. Po ai u tha atyre, se edhe nëpër qytetet e tjera duhet të ungjillëzoj mbretërinë e Perëndisë; sepse për këtë jam dërguar. Edhe predikonte nëpër sinagogat e Galilesë.