APOSTULLI – Galatianëve 4:22-27
Sepse është shkruar se Abrahami pati dy bij, një prej shërbëtores, dhe një prej së lirës; por ai që lindi prej shërbëtores lindi sipas mishit; edhe ai prej së lirës, lindi me anë të premtimit. Këto tregojnë një kuptim tjetër; sepse këtu janë të dy dhiatat, njëra nga mali Sina, që lind për skllavëri, që është Agara.
Sepse Agara është mali Sina në Arabi, edhe përkon me Jerusalemin e sotëm, edhe është në skllavëri bashkë me të bijtë. Po Jerusalemi i sipërm është i lirë, i cili është nëna e ne të gjithëve. Sepse është shkruar: “Gëzohu ti, o shterpë që nuk lind; bërtit e thërrit ti që nuk ke dhimbje lindjeje, sepse djemtë e shkretëtirës janë më shumë se të asaj që ka burrin”.
* * * *
UNGJILLI – Marku 1:29-35
Edhe përnjëherë dolën nga sinagoga e erdhën në shtëpinë e Simonit e të Andreas bashkë me Jakovin e me Joanin. Edhe e vjehrra e Simonit po dergjej në ethe; dhe menjëherë i thonë për të. Edhe ai u afrua dhe, si e kapi atë prej dore, e ngriti; dhe atë e lanë ethet menjëherë, dhe u shërbente atyre.
Edhe si u ngrys, në perëndim të diellit, prunë tek ai gjithë ata që kishin keq dhe të demonizuarit. Edhe tërë qyteti ishte mbledhur te dera. Edhe shëroi shumë veta që vuanin prej sëmundjesh të ndryshme; dhe nxori shumë demonë, dhe s’i linte demonët të flisnin, sepse e njihnin që ishte Krishti.
Edhe në mëngjes shumë herët, para se të zbardhte, u ngrit e doli, edhe shkoi në një vend të shkretë, edhe lutej atje.