/E ENJTE, 16 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E ENJTE, 16 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

JEMI NË KRESHMEN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

*Sot është dita e fundit e kreshmës ku lejohet konsumimi i peshkut.

APOSTULLI – 1 Timotheut 3:1-13

E besueshme është fjala; në dëshiron ndonjë të bëhet episkop, punë të mirë dëshiron. Episkopi pra duhet të jetë i paqortueshëm, burrë i një gruaje, i përmbajtur, i urtë, i sjellshëm, mikpritës, mësues i aftë; jo verëpirës, jo grindës, jo lakmitar për fitim të pandershëm, por i butë, paqësor, jo argjenddashës; njeri që drejton mirë shtëpinë e tij, që ka fëmijë të bindur me çdo lloj urtësie.

Sepse në qoftë se ndonjë nuk di të drejtojë shtëpinë e tij, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë? Të mos jetë rishtar në besim, që të mos fryhet me madhështi e të bjerë në dënim të djallit. Edhe duhet të ketë dëshmi të mirë dhe nga të jashtmit që të mos bjerë në turp e në lak të djallit.

Dhiakonët gjithashtu, duhet të jenë të hijshëm, jo me dy faqe në fjalë, jo të dhënë pas verës së shumtë, jo lakmitar për fitim të pandershëm; të kenë misterin e besimit me ndërgjegje të kthjellët. Edhe këta le të provohen më parë, pastaj le të bëhen dhiakonë, pasi të gjenden të paqortueshëm.

Gratë e tyre gjithashtu të jenë të hijshme, jo shpifëse, të përmbajtura, besnike në të gjitha. Dhiakonët le të jenë burra të një gruaje, që drejtojnë mirë fëmijët dhe shtëpitë e tyre. Sepse ata që kanë shërbyer mirë, fitojnë shkallë të mirë për veten e tyre, edhe shumë guxim në besimin që është në Krishtin Jisu.

* * * * *

UNGJILLI – Marku 9:10-15.

Edhe ata e ruajtën fjalën në vete, duke biseduar njëri me tjetrin: Ç’është kjo ngjallje prej së vdekurish?

Edhe e pyesnin atë, duke thënë: Pse thonë shkruesit se duhet të vijë më përpara Ilia? Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Ilia vjen më përpara, edhe vë në vend të gjitha; edhe si është shkruar për të birin e njeriut se duhet të pësojë shumë dhe të poshtërohet. Por ju them juve, se edhe Ilia erdhi, edhe i bënë sa deshën, siç është shkruar për atë.

Edhe kur erdhi tek nxënësit, pa shumë njerëz rreth tyre, edhe shkruesit duke biseduar me ata. Edhe menjëherë gjithë turma, kur e panë atë, u habitën, edhe duke vrapuar tek ai e përshëndetnin.