E Diela III Llukait (Ngjallja e djalit të vejushës)
APOSTULLI – 2 Korinthianëve 6:1-10
Edhe si bashkëpunëtorë me të, ju lutemi juve të mos e prisni më kot hirin e Perëndisë. Sepse thotë: “Në kohë të pëlqyer të dëgjova ty, edhe në ditë shpëtimi të ndihmova ty”; ja tani tek është kohë e pëlqyeshme; ja tani tek është ditë shpëtimi.
Në asgjë nuk japim asnjë pengesë, që të mos qortohet shërbesa jonë.
Por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë, me shumë durim, në shtrëngime, në nevoja, në pikëllime, në rrahje, në burgje, në turbullira, në mundime, në pagjumësi, në agjërime; në pastërti, në urtësi, në zemërgjerësi, në mirësi, në Frymë të Shenjtë, në dashuri pa shtirje; në fjalë të së vërtetës, në fuqi të Perëndisë; me armët e drejtësisë në dorën e djathtë e në të majtën; në lavdi e në çnderim, në emër të mirë e në emër të keq; porsi mashtrues, po të vërtetë; porsi të panjohur, po të njohur mirë; porsi duke vdekur, po ja tek rrojmë; porsi të munduar, po jo të vrarë; porsi të hidhëruar, po gjithnjë të gëzuar; porsi të vobektë, po shumë veta pasurojmë; porsi skamës, po të gjitha i zotërojmë.
* * * *
UNGJILLI – Llukai 7:11-16.
Edhe ndodhi që pas kësaj Jisui po shkonte në një qytet që quhej Nain; edhe shkonin bashkë me të mjaft nga nxënësit e tij dhe shumë popull. Edhe kur u afrua në portën e qytetit, ja tek po nxirrnin përjashta një të vdekur, të cilin e ëma e kishte bir të vetëm, edhe ajo ishte e ve; edhe shumë popull prej qytetit ishte bashkë me të.
Edhe Zotit, kur e pa, iu dhimbs, edhe i tha asaj: Mos qaj. Edhe u afrua e preku shtratin; edhe ata që e mbanin qëndruan; edhe ai tha: Djalosh, po të them, ngrihu. Edhe i vdekuri u ngrit e ndenji, edhe zuri të flasë. Edhe ia dha së ëmës.
Dhe të gjithëve u hyri frikë, edhe lavdëronin Perëndinë, duke thënë se një profet i madh është ngritur tek ne, edhe se Perëndia hodhi sytë mbi popullin e tij.