/Berati, kalaja dhe trashëgimnia e tij kishtare – nga Ilirjan Gjika

Berati, kalaja dhe trashëgimnia e tij kishtare – nga Ilirjan Gjika

Berati mbart në vetvete një histori të pasur dhe interesante. Identifikimi i tij me Antipatrean antike ka mbetur hipotetik ashtu si edhe hipotezat e tjera të një emri të mundshëm si, Barguli dhe Partha1. Ndërkohë gjatë mesjetës së hershme ky qytet shfaqet në dokumentet historike me emrin Pulkeriopolis. Kështu e ndeshim në udhërrëfyesin e Hieroklit të shek. VI, ku përmendet si një ndër qytetet kryesore të provincës së Epirit të Ri2. Historianët aludojnë se këtë emër qyteti mund ta ketë marrë nga perandoresha Pulkeria, motra e perandorit Teodos (408-450) dhe e shoqja e perandorit Marcian (450-457)3. Të kësaj periudhe mund të jetë edhe peshkopata e Pulkeriopolisit duke gjykuar sipas ligjit të perandorit Zenon (474-475) që: “…çdo qytet … të ketë me çdo kusht një peshkop të vetin…”4. Ndërsa arkeologjia na jep një sërë elementësh nga ndërtimet e periudhës paleokristiane që dëshmojnë se krishtërimi kishte hedhur rrënjë në këtë periudhë në Berat dhe rrethinat e tij5.
Në burimet historike siç është Noticia e perandorit Jan Cimisku, peshkopata e Pulkeriopolisit, ndeshet në shek. X nën varësinë e kryepeshkopatës së Durrësit6. Ndërsa në diplomën e perandorit Vasili II akorduar kryepeshkopit të Ohrit në vitin 1019, kjo peshkopatë del me emrin Belgrad (qytet i bardhë), emërtim të cilin Pulkeriopolisi e mori gjatë pushtimit bullgar (shek. IX-X). Sipas saj, peshkopit të Belgradit i njihej e drejta të kishte nën administrim 40 klerikë dhe 40 parikë7. Më pas, dokumente të ndryshme na njoftojnë për peshkopët e Beratit, kishat, manastiret dhe një trashëgimni të pasur në kodikë, ikona, epitafe dhe relike shenjtorësh8. Trashëgimtare dhe dëshmitare e gjithë këtyre ngjarjeve është kalaja e Beratit, një nga monumentet më të mëdha dhe me rëndësi të historisë dhe kulturës sonë. Me formën e saj të spikatur në trajtë trekëndëshi ajo ngrihet në lartësinë 187 m, në bregun e djathtë të lumit Osum duke dominuar luginën e tij9. Me një perimetër të mureve prej 1400 dhe siperfaqe 10 ha, kalaja ruan gjurmë ndërtimi që datojnë nga shek. IV pk deri në kohën e sundimit të Ali Pashë Tepelenës (1813-1821)10. Sipas Aleksudhit në vitin 1868, aty, ndodheshin selia e Mitropolisë së Beratit dhe funksiononin 15 kisha11. Ndërsa sot brenda territorit të saj gjenden një numër më i vogël i tyre, si ato të Shën Vllahernës, Shën Triadhës, Fjetjes së Shën Mërisë, Shën Kollit, Shën Mitrit, Shën Kostandinit dhe Helenës, Shën Todrit, Ungjillizimit të Shën Mërisë, etj, një pjesë e të cilave gëzojnë edhe statusin monument kulture.
Si kisha të periudhës bizantine veçojmë ato të Shën Mëri Vllahernës, Shën Triadhës dhe Shën Mëhillit12. Ndër to faltorja më e vjetër është ajo e Shën Mëri Vllahernës që ndodhet në pjesën perëndimore të kalasë. E përbërë nga naosi, narteksi dhe kthina e altarit kisha i përket shek. XIII. Dikur ka patur formë kryqi të brendashkruar me kupolë por ndërhyrjet e mëvonshme kanë bërë që ajo të pësojë ndryshimeduke ardhur në gjendjen e sotme. Naosit ndahet nga altari prej një ikonostasi druri ndërsa dyshemeja e tij është shtruar me tulla. Ndërkohë që në anën lindore dallohet teknika e ndërtimit e tipit klausonazh dhe absida trefaqëshe në mes të së cilës ndodhet një dritare dyshe me kolonë guri13. Kjo kishë është zbukuruar me afreske nga i biri i Onufrit Nikolla në vitin 1578. Mbi portën perëndimore dhe pjesën e brendëshme të absidës gjenden dy mbishkrime që dëshmojnë një gjë të tillë14.
Kisha e Shën Triadhës ngrihet në një terren të pjerrë pranë murit J-P të kalasë. E ndërtuar në shek. XIII-XIV edhe ajo është e tipit kryq i brendashkruar me kupolë. Elemëntët përbëres të saj janë naosi, altari dhe narteksi të ndërtuar me një muraturë që përbëhet nga gurë dhe copa tullash në brezin e poshtëm dhe klausonazh në brezin e sipërm. Tamburi është tetë faqesh ku janë kombinuar katër dritare dhe katër nike. Arkitektura dhe dekoracioni i pjesës së pjesën e sipërme tek frontonet, tamburi dhe dritaret, ndërtuar me tulla i jep kishës një pamje të veçantë piktoreske15. Në naosin dhe hajatin e kësaj kishe ruhen të vetmet afreske bizantine të cilat i përkasin periudhës së rilindjes paleologe. Në to paraqitet edhe një portret i guvernatorit lokal të beratit Andronik Paleolog Asanit (1302-1316), ktitorit të saj16.
Kisha e Shën Mëhillit e ndërtuar në shek XIII ngrihet mbi shkëmbin që ndodhet nën murin jugor të kalasë. Përbëhet nga naosi, narteksi dhe kthina e altarit në të cilin bien në sy dy nike dhe dritarja dyshe e absidës. Edhe kjo kapelë është e tipit kryq i brendashkruar me kupolë dhe tambur e ndërtuar me teknikën e klausonazhit17. Është e njohur për proçesionin që zhvillohet në datën 10 korrik të çdo viti kur në të ekspozohen një pjesë nga lipasanat e Shën Nikodhimit të Beratit.
Ndër kishat postbizantine përmendet Fjetja e Shën Mërisë e cila është faltorja më e madhe ndër kishat e Kalasë. Dikur shërbente si katedrale e qytetit dhe së bashku me ambientet e tjera përbënte kompleksin e Mitropolisë18. Sipas mbishkrimit të gdhëndur në murin portal ajo është ndërtuar në vitin 1797 në vendin ku dikur ngrihej një kishë më e vjetër19. Nga pikpamja arkitektonike, kisha e Fjetjes së Shën Mërisë është një bazilikë trenefëshe që përbëhet nga naosi, narteksi dykatësh, hajati jugor me portik dhe disa kthina në anën veriore. Naosi me përmasa 20 x 10.9 m ndahet mbi dy radhë kolonash ku mbështeten tamburët tetëfaqësh të dy kupolave. Altari përbëhet nga protezisi, bema dhe diakonikoni dhe ndahet naosi nga një ikonostas druri20. Ai ka qenë zbukurar me ikona të pikturuara nga mjeshtri Joan Çetiri në vitin 181221. Mendohet se edhe afresket e njërës prëj kupolave dhe faqes së brendshme e absidës është zbukuruar me afreske nga Joan Çetiri dhe më pas nga një piktor anonim22. Në këtë faltore ruhen edhe lipsanat e Shën Angjellarir dhe Gorazdit, të cilat sipas treditës verbal vendase janë sjellë këtu së bashku me epitafin e Gllavinicës nga peshkopata e dikurshme e Gllavinicës23. Pas braktisjes së Gllavinicës shumë prej objekteve kishtare të kishës katedrale të saj si: libra, kodikë, lipsana, ikona, etj, u zhvendosën drejt Beratit. Një gjë të tillë e pohon edhe Mitropoliti i Beratit, Aleksudhi, kur thekson se disa nga ikonat që ruheshin në kishën katedrale të Beratit kishin ardhur nga Ballshi24.
Ndërkohë në ndërtesën e katedrales u vendos në vitin 1986 muzeu ‘’Onufri’’ në të cilin janë ekspozuar vepra arti kishtar të shekujve të ndryshëm25. Midis 200 objekteve të ndryshme veçohen ikona duke nisur nga Onufri për të vijuar me të birin, Nikollën, Onufër Qiprioti, David Selenicën, Kostandin Shpatarakun dhe piktorët e familjes Çetiri26.
Duhet theksuar se gjatë shek. XVI, në kishat e kalasë së Beratit ka ushtruar aktivitetin e tij artistik edhe Onufri, një prej përfaqësueve më të shquar të ikonografisë postbizantine në Shqipëri. Të tilla janë afresket murale të kishës së Shën Todrit dhe ikonat në kishat e Vangjelizmosë, Shën Mitrit dhe Fjetjes së Shën Mërisë27. Onufri krijoi një rrymë të re në pikturën postbizantine të konsideruar si një shkollë lokale e cila u ndoq nga piktorë të tjerë por pa arritur perfeksionin e tij. Pikturat e tij dallohen për ngjyra të ngrohta dhe tone të fuqishme, raportet dritë-hije, etj28. Përfaqësues të kësaj shkolle ishin edhe i biri i tij Nikolla që ka pikturuar në kishën e Shën Mëri Vllahernës dhe Onufër Qiprioti. Ky i fundit ka realizuar afresket e kishës së Shën Kollit në vitin 1609 dhe shumë ikona për kisha të ndryshme të Beratit29.
Ndërsa një tjetër trashëgimni e kësaj kulture janë edhe kodikët. Në Arkivin Qëndror Shtetëror, në fondin nr. 488 ruhet një koleksion prej 100 kodikësh dhe 17 fragmentesh të përbërë nga dorëshkrime bizantine dhe postbizantine. Pjesa më e madhe e tyre vjen nga Berati (77) duke nisur prej kodikut të Purpurt (shek. VI) dhe atij të Artë (shek. IX), të njohur edhe me emrat Beratinus 1 dhe Beratinus 2, ku i pari gëzon një status të veçantë nga UNESCO si një prej veprave më të rëndësishme të njerëzimit30. Po kështu, një objekt i vlerave të rralla jo vetëm jo vetëm nga pikpamja artistike dhe historike por edhe si pëlhura më vjetër që ruhet në Shqipëri është Epitafi i Gllavinicës31. Bashkë me të në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar, muzeve të tjera të vendit, bibliotekave dhe arkivit, qëndrojnë të ekspozuara me dhjetra vepra arti, artefakte, sende dhe objekte kishtare të kësaj tradite të shkëlqyer. Por mbi të gjitha kjo trashëgimni e shkëlqyer e Beratit është produkt dhe fryt i përkushtimit të komunitetit vendas, i cili gjatë kohërave ka treguar edhe shembuj të shkëlqyer të ruajtjes së këtyre thesareve që nuk i përkasin vetëm këtij besimi por mbi të gjitha kulturës sonë kombëtare.
………………
1-Neritan Ceka, Lashtësia dhe emri antik i kështjellë së Beratit, Monumentet, 2, Tiranë 1990, f. 33-34
2-Hierocles, Synecdemus, 8. XIII, 853, Ilirët dhe Iliria …., f. 453
3-Guntram Koch, Disa dëshmi të periudhës së hershme bizantine në Berat, Monumentet, 2, Tiranë 1990, f. 113
4-Codex Justinianus, Lib I, 3, 35
5-Guntram Koch, Disa dëshmi të periudhës së hershme bizantine në Berat, Monumentet, 2, Tiranë 1990, f. 113-120; Skënder Bushi-Era Xhaferaj-Altin Behari, Mozaiku paleokristian në kalanë e Beratit. Raport paraprak, Candavia, 4, 2014, f. 123-132
6-Acta Albaniae, I, IV; A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 1983, f. 76
7-Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë shek VII-XV, Tiranë 1962, f. 30-31
8-Th. Popa, Mbishkrime te Kishave të Shqipërisë, ASH, Tiranë 1998, f. 101; Th. Popa, Të dhana mbi princat mesjetarë shqiptarë në mbishkrimet e kishave tona, Buletin Shkencat Shoqërore, 1, Tiranë 1957, f. 200-201
9-Hëna Spahiu, Qyteti Iliro Arbëror i Beratit, Tiranë 1990, f. 9-11
10-Kujtim Braka, Berati në dritën e të dhënave arkeologjike, Monumentet, 2, Tiranë 1990, f. 97-99
11-Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 49-50
12-Aleksandër Meksi, Tri kishat bizantine të Beratit, Monumentet, 4, Tiranë 1972, f. 59-83
13-Po aty, f. 59-83; A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, ‘’8 Nëntori”, Tiranë 1983, f. 156-158
14-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 1998, f. 86-88
15-A. Meksi, Tri kishat bizantine të Beratit, Monumentet, 4, Tiranë 1972, f. 59-83; A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, ‘’8 Nëntori”, Tiranë 1983, f. 158-162
16-Dhorka Dhamo, Të dhëna për datimin e afreskeve në Berat, Monumentet, 2, Tiranë 1990, f. 51-53; Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, Tiranë1975, f. 218
17-A. Meksi, Tri kishat bizantine të Beratit, Monumentet, 4, Tiranë 1972, f. 59-83; A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, ‘’8 Nëntori”, Tiranë 1983, f. 158-162
18-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 204-206
19-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 1998, f. 113
20-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 204-206
21-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 1998, f. 121
22-Gazmend Muka, Të dhëna të reja nga restaurimi i pikturës në katedralen Fjetja e Shën Mërisë Berat, Monumetet 1, Tiranë 1990, f. 139
23-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, f. 141; Th. Popa, Të dhana mbi princat mesjetarë shqiptarë në mbishkrimet e kishave tona, Buletin Shkencat Shoqërore, 1, Tiranë 1957, f. 200-21; Th. Popa, Glavinica e lashtë në Ballshin e sotëm, Studime historike, 1964, 2, f. 238-241
24-Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 32
25-Marita Beci, Disa vrojtime dhe sugjerime mbi gjendjen dhe problemet e ruajtjes së objekteve tërestauruar në muzeun “Onufri”, Monumentet, 2, Tiranë 1990, f. 109
27-Theofan Popa, rreth veprës së Onufrit, Monumentet e Kulturës në Shqipëri, 2, Tiranë 1975, f. 72-74
28-Po aty, f. 72-74
29-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 1998, f. 86-88; Hasan Nallbani, Pikturat mesjetare dhe piktorët në kishat e kalasë së qytetit të Beratit, Monumentet, 2, Tiranë 1990, f. 179-184
30-Kodikët e Shqipërisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Tiranë 2003
31-Grup Autorësh, “Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë”, I, USHT-IHGJ, Tiranë 1962, f. 194