/E DIEL, 7 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E DIEL, 7 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E Diela VII e Llukait (2 mrekulli)

APOSTULLI – Galatianëve 1:11-19.

Po ju bëj të ditur, vëllezër, se ungjilli që u predikua prej meje nuk është sipas njeriut; sepse as unë s’e mora prej njeriu, as nuk u mësova prej njeriu, po nëpërmjet zbulesës së Jisu Krishtit.

Sepse keni dëgjuar për sjelljen time të mëparshme në Judaizëm, se fort tepër përndiqja kishën e Perëndisë për ta shkatërruar atë. Dhe përparoja në Judaizëm më tepër se shumë bashkëmoshatarë në kombin tim, sepse isha më tepër i zellshëm për traditat e etërve të mi.

Po kur i pëlqeu Perëndisë, i cili më ndau që nga barku i nënës dhe më thirri me anë të hirit të tij, që të zbulojë Birin e tij tek unë, që ta ungjillëzoj atë ndër kombet, përnjëherë nuk u këshillova me mish e me gjak, as nuk u ngjita në Jerusalem tek ata që qenë apostuj para meje, por shkova në Arabi, dhe përsëri u ktheva në Damask.

Pastaj, pas tre vjetësh u ngjita në Jerusalem, për të takuar Pjetrin; dhe qëndrova pranë tij pesëmbëdhjetë ditë.

Edhe tjetër nga apostujt nuk pashë, veçse Jakovin, vëllain e Zotit.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 8:41-56.

Edhe ja tek erdhi një njeri që quhej Jair dhe ky ishte i pari i sinagogës, e ra ndër këmbët e Jisuit, e i lutej të hynte në shtëpinë e tij; sepse kishte një bijë të vetme, rreth dymbëdhjetë vjeç, edhe ajo po vdiste.

Edhe ndërsa ai ishte duke shkuar, turmat po e shtrëngonin. Edhe një grua, që kishte rrjedhje gjaku që prej dymbëdhjetë vitesh, e cila kishte prishur gjithë pasurinë nëpër mjekët, po nuk mundi të shërohej as prej ndonjërit, u afrua nga prapa dhe preku cepin e rrobës së tij; edhe menjëherë u ndal rrjedhja e gjakut të saj. Edhe Jisui tha: Kush qe ai që më preku? Edhe ndërsa po mohonin të gjithë, Pjetri dhe ata që ishin bashkë me të thanë: Mjeshtër, turmat të shtypin e shtrëngojnë, edhe thua: Kush qe ai që më preku? Po Jisui tha: Dikush më preku, sepse unë kuptova se një fuqi doli prej meje. Edhe gruaja kur pa se nuk u fsheh, erdhi duke u dridhur, edhe i ra ndër këmbë, e i rrëfeu përpara gjithë popullit për çfarë shkaku e preku, edhe si u shërua përnjëherë. Edhe ai i tha asaj: Ki guxim, bijë, besimi yt të shpëtoi; shko në paqe.

Edhe kur ai po fliste ende, vjen një njeri prej të parit të sinagogës e i thotë se jot bijë vdiq; mos e mundo mësuesin. Po Jisui kur dëgjoi, u përgjigj: Mos ki frikë; veç beso, edhe do të shpëtojë.

Edhe si erdhi në shtëpi, nuk la asnjë të hynte brenda, përveç Pjetrit dhe Joanit dhe Jakovit, dhe të atit të vajzës dhe së ëmës. Edhe të gjithë po qanin e ulërinin për atë. Edhe ai tha: Mos qani; nuk vdiq, por po fle. Edhe e përqeshnin, duke ditur se vdiq. Po ai, si i nxori jashtë të gjithë, e kapi prej dore, dhe thirri duke thënë: O vashëz, ngrihu. Edhe asaj iu kthye fryma prapë, dhe u ngrit përnjëherë; edhe Jisui urdhëroi t’i jepnin asaj të hajë. Edhe prindërit e saj u habitën; po ai i porositi të mos i thonë njeriu se ç’u bë.