/Zoti pret, që me lirinë tonë, të kthehemi në familjen Atërore! – Hirësi Nikolla

Zoti pret, që me lirinë tonë, të kthehemi në familjen Atërore! – Hirësi Nikolla

Një nga pjesët më të bukura të Shkrimit të Shenjtë, të dashur besimtarë, është paravolia, që dëgjuam në ungjillin e sotëm. “Djali Plangprishës”.
Në këtë pjesë kemi të përmbledhur tragjedinë njerëzore, tragjedinë e njeriut, që është larguar nga Perëndia. Na tregohet Dashuria e madhe e Perëndisë për njeriun. Na tregohet për rrezikun e madh, për njerëzit që janë pranë Perëndisë, por që mund të mos jenë më në Banesën e Atit Qiellor.
Shpesh herë na ndodh në jetën tonë, ose dëgjojmë për njerëz të ndryshëm, që i ligu pushton me mendime të këqija në mendje dhe të thotë:
“Ti nuk ke nevojë të besosh, ti nuk ke nevojë të shkosh në kishë, ti nuk ke nevojë të ndjekësh urdhrat e Perëndisë, ty të mjafton vetja jote, ti mund t’ja dalësh pa Perëndinë, shijoje jetën tënde, shijoje lirinë tënde”!
Ashtu si bëri djali i vogël, i cili do të shijonte lirinë larg Perëndisë, larg familjes Atërore. Aty shikojmë të gjitha vuajtjet e tij, atje ku mendonte se do të ishte i lirë dhe do të shijonte, atje u skllavërua.
Liria larg Perëndisë do të thotë skllavëri. Në shumë forma të ndryshme ne skllavërohemi.
Nëse shohim me kujdes në historinë që na tregohet, se Ati nuk e ndalon djalin e tij të marrë pasurinë dhe të shkojë, pamvarësisht se i di rreziqet dhe vështirësitë, e respekton lirinë e tij. Madje dhe kur largohet, Ati nuk e ndjek nga pas dhe ta gjejë djalin atje ku ishte. Për më tepër nuk dërgon asnjë nga shërbëtorët e tij, që të pyesin në ç’gjendje është djali dhe ta bind atë të kthehet në shtëpinë Atërore.
Pse?!
Sepse Zoti respekton lirinë e zgjedhjes sonë. Ai pret që në lirinë tonë të zgjedhim të jetojmë pranë Tij dhe ashtu siç Ai do.
Tregohet një histori nga një manastir për një at që ishte shumë shpirtëror dhe njerëz nga manastire të tjera dhe qindra besimtarë të ndryshëm shkonin te ai dhe rrëfeheshin. Një murg, i cili kishte kryer mëkate të mëdha, dëshironte të rrëfehej. Shkonte shpesh herë te njeriu i shenjtë, por nguronte të ulej me pendim e të kërkonte falje, të rrëfehej. Këtë gjë e bëri disa herë dhe kthehej mbrapsht i parrëfyer.
Një ditë vendosi të rrëfehej dhe do të merrte si shenjë nga Perëndia, nëse atje nuk do të kishte njeri tjetër, ai do ta kryente Misterin. Shkon atje dhe e gjen vërtet njeriun e shenjtë vetëm, e pranoi shenjën e Perëndisë, por përsëri nguroi.
Bisedojnë, njeriu i shenjtë i thotë disa këshilla dhe rrugës së kthimit, ai “vjen” në vete, si Djali Plangprishës dhe ulet në gjunjë dhe thotë:. “Dua të rrëfej, dua të rrëfej mëkatet e mija”
“Bir, kaq herë erdhe dhe nuk e kryeve Misterin përpara”?!
“Ti at e dije, që unë doja të rrëfehesha, pse nuk më thoje, që të ulesha të bëja rrëfimin tim”?!
“Sepse duhej që ti me lirinë tënde ta pranoje këtë gjë”.
Dhe mësojmë që ai shkoi i paqtuar pas rrëfimit.
Kështu bën edhe Zoti me ne, Ai pret, që me lirinë tonë të kthehemi në familjen Atërore. Nuk cënon lirinë tonë dhe pret kthimin.
Na tregohet, që është një atë i dashur, na tregohet që ka kujdes dhe pret kthimin e djalit të tij.
Dashuria na tregohet në momenti e kthimit të djalit. Ai e pa nga larg, jo rastësisht, por ishte në pritje të përhershme. Kur pa djalin, nuk mbylli dyert, nuk nisi shërbëtorët ta kthenin mbrapsht, duke i kujtuar, se kishte prishur pasurinë dhe gjente guximin të kthehej?!
Nuk thotë Perëndia fjalë të tilla, Ati i dashur.
Çfarë bën Ati?!
Shkon vrapon drejt tij, vrapon dhe e përqafon dhe puth dhe nuk i thotë asgjë. Madje kur djali i thotë me pendim “At, mëkatova kundër Teje dhe Qiellit, nuk jam më i denjë, të quhem bir yt”.
Nuk i bën asnjë kritikë, por i urdhëron shërbëtorët, të sjellin stolinë e bukur, unazën, sandalet, të therin viçin e majmur dhe të festojnë për djalin, që kishte vdekur dhe u kthye në jetë, duke treguar dashurinë e madhe, që ka Perëndia për ne. Kështu na pret të gjithëve, që të kthehemi.
Kemi historinë e një vajze, e cila kishte prindër shumë shpresëtarë, por fatkeqësisht, ajo mori një rrugë të keqe. Prindërit e qortonin, duke i treguar se gjërat, që bën nuk janë në rrugë të Perëndisë dhe duhet të hiqte dorë nga mëkatet, por ajo vazhdonte keq edhe më keq. Një ditë i ati i thotë: “Ne të duam shumë, ti njeh dashurinë tonë, përkujdesjen tonë, të kemi folur shpesh, ti nuk na ke dëgjuar. Këto që bën tregojnë se ti nuk do të jetosh me ne”.
Të nesërmen, vajza largohet nga shtëpia dhe vazhdon jetën e saj. Kalojnë disa muaj dhe një mëngjes, ajo telefonon të atin, duke i thënë se donte të kthehej në shtëpi.
I ati e pyet se ku ishte dhe shkon e merr vajzën, pa e qortuar dhe kritikuar dhe pa e pyetur ku kishte jetuar dhe çfarë kishte ndodhur. Thjesht, si një atë i dashur e pranoi përsëri në familje.
Kështu Ati Qiellor vrapon me të gjithë ne, kështu kërkon që të kthehemi në familjen Atërore. Ai pret, Ati i dashur, pret kthimin tonë.
Si thotë shën Agustini: “Shpirti ynë nuk do të gjejë prehje deri sa të prehet te Perëndia”, shpirti ynë nuk do të gjejë, paqen dhe gëzimin e vërtetë veç në praninë e Atit”.
Të dashur besimtarë, le të marrim guximin, që me pendim t’i kërkojmë Zotit të na japë forcë dhe dhuratën, që të gjithë të kthehemi dhe të jetojmë me Atë! Amin!
E Diela e Djalit Plangrishës – Nga Mitropoliti i Fierit Hirësi Nikolla.
Kisha Katedrale e “Shën Gjergjit” Fier.
12 Shkurt 2023