Me shumë urtësi, të dashur besimtarë, Kisha na udhëheq dhe na mëson. Është një temë shumë e gjerë të flasësh për këtë moment në predikim, por le të marim tani periudhën e përgatitjes së Kreshmëve të Mëdha që po kalojmë. Në fillimet e kësaj periudhës së Kreshmëve të Mëdha, Kisha na kujton me parabolinë e “Djalit plangprishës” si edhe me të dielën e largimit të Adamit dhe Evës nga Parajsa, se pse u krijuam? Kush ishte qëllimi se pse Perëndia na krijoi? Na kujton, Kisha, se ne e humbëm qëllimin tonë të parë. Na kujton që ne u larguam nga shtëpia e Atit.
Më pas, Kisha na thotë se çfarë duhet të bëjmë, si do të kthehemi ne përsëri tek Ati? Si të përmbushim qëllimin tonë, të kthehemi në shtëpinë e Atit? Kisha na thotë se besimi dhe rruga e vërtetë është Orthodhoksia. Na kujton në të Dielën e Parë të Kreshmëve se orthodhosia është rruga e sigurtë që neve na çon në destinacionin tonë.
Më pas vjen mësimi i Shën Grigor Pallamait që na thotë “Po, kjo rrugë që neve mësojmë, rruga e orthodhoksisë që ndjekim dhe na mëson kisha, është e sigurtë që ne me të vërtetë do të përmbushim misionin tonë. Ne me të vërtet do të takojmë, do të shohim lavdinë e Perëndisë, do të takojmë shenjtorët, do të shohim engjëjt, do të shijojmë lavdinë e Perëndisë në përjetësi.”
Vjen e diela tjetër, e treta e kreshmëve, E Diela e Kryqit,në mesin e periudhës së kreshmës, për të na thanë kisha që rruga jonë është e sigurtë, është e vërtetë, por secili prej nesh duhet të mbaj kryqin e tij. Është një jetë me sakrifica të shumta, që të përmbushim këtë qëllim dhe këtë destinacion. Këtë rrugë na e mëson vetë shpëtimtari ynë. Kjo është rruga e vetme që ne të fitojmë Mbretërinë e Perëndisë,të shkojmë në shtëpinë e Atit- thotë Zoti.
Vjen e diela tjetër e Shën Joanit të Shkallës. Çfarë na mëson Kisha nëpërmjet këtij shenjtori? Na thotë që neve duhet të përparojmë , duhet të ngjitemi shkallë- shkallë që të bëhemi si Perëndia. “Bëhuni të shenjtë sepse unë jam i shenjtë,- thotë Zoti.” Kështu kërkon nga secili prej nesh Perëndia që të bëhemi të shenjtë si vetë Ati.
Vjen e diela e sotme, që Kisha na vendos të kujtojmë një person tjetër. Na vendos të kujtojmë Shën Maria Egjiptianen. Pse na e vendos Ksha këtë të diel që të kujtojmë një person të tillë? Kisha na mëson që po i afrohemi shumë afër ngjarjeve të mëdha, të Javës së Madhe, të Pashkës, tradhëtinë e Zotit, pësimet e Zotit, kryqëzimin, vdekjen, ngjalljen, edhe duhet të përgatitemi. Duhet të përgatitemi për të kremtuar këto ngjarje kaq të shenjta. Duhet të përgatisim trupin dhe shpirtin tonë që të festojmë. Shpesh herë ne ngurojmë të themi që unë jam një njeri mëkatar.Si mundem unë të përgatitem? Si mundem unë t`iu afrohem këtyre të shenjtave, si mund të përgatis veten time të festoj në mënyrë të denjë shenjtërinë e Zotit? Gëzimin dhe ngjalljen.
Kështu na vjen Kisha dhe na jep kurajo me personin e Shën Marisë Egjipiane, për të na thënë, shikoni kjo grua, siç na tregohet në jetën e saj, në moshën 12-vjeçare ajo largohet nga shtëpia e saj. Për 17 vite bëri një jetë të shthurur, imorale, jepte trupin e saj , jepte mishin e saj për kënaqi dhe jo për të fituar para, për asnjë lloj interesi tjetër, thjesht për të përmbushur kënaqësitë e saj. 17 vite ajo bëri një jetë të shthurur, por Zoti që do pendimin, kthimin dhe shpëtimin për të gjithë ne, i dha mundësi që të kuptoi gabimin e saj. Kuptoi mëkatin e saj. Na thuhet se në një festë të shenjtë të kryqit, kur ajo donte që të futej brenda në kishë, një forcë e pengonte të futej brenda në tempullin e Perëndisë dhe ti falej kryqit të Zotit. Ajo kuptoi se ishin mëkatet e saj dhe u pendua dhe i kërkon Hyjlindëses që do të pendohet dhe do të heqi dorë nga jeta e saj mëkatare nëse Hyjlindësja do ta lejonte që të futej, ti falej kryqit edhe do të ndiqte jeten e shenjtërisë. I thotë Hyjlindëses se do të shkonte atje ku do ta drejtonte. Me të vërtetë sapo vajtoi, sapo u pendua u hap ajo forca që e pengonte dhe tashmë ajo mund të hynte në kishë. Hyjlindësja i tregoi rrugën ku duhet të shkonte. U pendua, u rrëfye, dhe shkoi në Jordan dhe jetoi në shkretëtirë për 47 vite, pa takuar asnjë njëri. Në asketizëm dhe në vetminë e saj, në luftën e saj shpirtërore me sakrifica të shumta. Ushqehej me ato barishtet që kishte në shkretëtirë. Luftonte me pasionet e saj, sepse djalli i kujtonte pasionet dhe dësjirat e jetës së mëparshme. Ajo këmbëngulte me lot, kërkonte ndihmën dhe hirin e Perëndisë dhe arriti ti përballonte të gjitha. Në fund ishte ava Zosimai që e takoi dhe ajo i tregoi të gjithë jetën e saj, jetën në mëkat, të sakrificave dhe të luftës së saj shpirtërore në shkretëtirë për 47 vjet. Kuptoi ava Zosimai, njeriu i shenjtë, shenjtërinë e saj.
Kisha na e tregon këtë shembull, neve sot, ne të gjithë besimtarët, për të na inkurajuar, për të na thënë që kushdo nga ju, çfarëdo që të keni bërë, ejani tek unë, pendoheni, rrëfehuni dhe unë do jua fal të gjitha. Siç thotë dhe profeti Isaia: “ Ejani tek unë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin flakë të kuqe si gjaku, unë do ti shlyej, dot i bëj të pastra si dëborë.”
Këtë na kërkon Perëndia, pendimin tonë, rrëfimin tonë dhe kur ne vijmë me zemër të dërrmuar, të përulur, me pendim, Zoti do të pastroi zemrën tonë. Atëherë do të ketë vërtet kuptim gjithçka tjetër që bëjmë në jetën tonë, përpjekjen tonë shpirtërore. Do të ketë kuptim gjithë ajo që bëri Zoti për ne, që u sakrifikua në kryq.
Zoti është gati, të përgatisim dhe ne të dashur besimtarë zemrat tona, për ta shijuar me të vërtetë gëzimin e Ngjalljes së Zotit. Amin!
Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, +Nikolla, E diela e V e Kreshmës së Madhe dt.02.04.2023