Sa herë ne, të dashur besimtarë lexojmë dhe themi Simbolin e Besimit në vargun e parë të tij ne themi: “ Besoj në një Perëndi Atë të Tërëfuqishëm, krijues të qiellit dhe të dheut dhe të gjithë të dukurave dhe të padukurave”. Dhe kur ne themi “të padukurave”, ne kuptojmë forcat qiellore të cilat ne nuk i shohim, por ekzistojnë. Dhe kisha na ka mësuar që kanë qenë dhjetë rreshte ëngjëjsh, të cilët qëndronin bashkë me Perëndinë në qiell, në shërbim të Tij, në adhurimin e Tij, por dimë që një rang prej ëngjësh, dhe i pari ndër ëngjësh, thonë ëngjëlli i dritës, bëri kryengritje kundër Perëndisë dhe e humbi lavdinë e tij ai dhe gjithë ëngjëjt që e shoqëronin atë. Dhe që nga ajo kohë një luftë e hapur ndërmjet tij dhe Perëndisë, dhe mbas rënies së njeriut, ka qenë një luftë e vazhdueshme e forcave të liga që njeriun ta largojë nga Perëndia. Si thotë një nga shenjtorët:” Njeriu ka qenë fushë-beteja ndërmjet Perëndisë dhe të ligut”. Por, ne nuk e marim me shumë seriozitet shumë herë këtë gjë, domethënë ne nuk e marim me shumë seriozitet ekzistencën e forcave të liga, ne themi, e pohojmë, por nuk e marrim me seriozitet çfarë mund të bëjë i ligu kundër nesh.
Pjesa e ungjillit të sotëm do të na ndihmojë të pohojmë dhe të themi disa gjëra në lidhje me këtë. Në pjesën e ungjillit të sotëm dëgjuam që Zoti pasi zbriti nga varka (është pjesa kur kishte fortunë në det dhe Zoti qetësoji fortunën, më pas zbriti nga varka), në breg të detit ishte në krahinën e Gadareasit dhe atje thotë pjesa e ungjillit, një njeri nga ai qytet, i cili prej shumë kohësh ishte i pushtuar nga demonët. Dhe na tregon pasojat e këtij, na thotë që ai person nuk vishte rroba, nuk banonte në shtëpi, por në varreza. Dhe më pas vazhdon dhe thotë që shumë herë demonët e kishin pushtuar, ndonëse e kishin lidhur me zinxhir dhe me pranga, ai i këpuste këto pranga dhe shtyhej nga demonët nëpër shkretëtirë. Na tregon pasojat e pushtimit të këtij personi nga demonët.
Dikush do të thoshte: “Pse lejon Zoti që demonët të hyjnë brenda në këtë krijesë”? Dhe Zoti na tregon një nga arsyet se përse e lejon, një nga arsyet na thonë etërit është sepse do të na tregojë, të na zbulojë Perëndia që i ligu është i pranishëm, ekziston dhe për të qenë më e prekshme në shoqërinë e asaj kohe dhe për të qenë më e prekshme ne shoqërinë tonë, na thotë që ky është shembulli, ky është personi i cili është pushtuar nga demonët dhe këto janë veprimet e një personi, për të na treguar ne që forcat e liga ekzistojnë, janë të vërteta. Dhe vazhdon pjesa e ungjillit dhe thotë: “Kur e pa ai person Zotin, lëshoi një britmë të madhe dhe me zë të lartë tha ç’ke me mua , Jisu, Biri i Perëndisë së Lartë? Të lutem, mos më mundo”. Zoti po i jepte urdhër frymës së ndyrë, të dilte nga ai. Pa folur Zoti, kishte urdhëruar frymën e lig që të dilte prej tij, dhe kuptojmë pafuqishmërinë e këtyre frymërave kundrejt Zotit. Edhe Zoti e pyet dhe i thotë më pas: Si e ke emrin? Edhe ai tha: Legjion; sepse kishin hyrë tek ai shumë demonë. Një Legjion në atë kohë mendohej që ishte si njësi ushtarake, që mund të kishte deri në 6000 ushtarë, pra mendoni që brenda këtij personi, brenda qenies së tij ndodheshin me mijëra demonë.
Sa e vështirë ishte situata me këtë person! Dhe ata iu lutëm që të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë, i luten demonët Zotit duke i thënë: Mos na lërë të shkojmë në humnerë. Çfarë kuptojmë me humnerën? Humnera është dënimi dhe mundimi i përjetshëm i demonëve. Edhe aty thotë ishte një tufë e madhe derrash duke kullotur në mal; demonët i luteshin t’i linte të hynë tek ata; edhe Ai i la. Kërkojnë demonët prej Zotit që të hyjnë në tufën e derrave, çfarë kuptojmë me këtë? Kuptojmë që demonët ndonëse janë një fuqi ëngjëllore, e fuqishme ata nuk kanë të drejtë, jo vetëm mbi njeriun i cili është ikonë e Perëndisë, por nuk kanë fuqi as mbi krijesa të tjera. Duhet të marrim leje nga Perëndia thonë që të futemi në tufën e derrave. Me këtë ne kuptojmë edhe diçka tjetër, kuptojmë pse i lejon Zoti krijesa të tilla, të liga të hyjnë qoftë tek njeriu, qoftë tek krijesa të tjera kush është arsyeja? Është mëkati. Po pse tek derrat e lejoi Zoti? Çfarë lidhje kishte mëkati me derrat? Pikërisht, sepse rritja e derrave në popullin e Izraelit ishte mëkat, ishte diçka e paligjshme, ishte diçka mëkatare dhe pikërisht për këtë arsye Zoti lejoi që të vendoseshin demonët brenda në tufën e derrave, dhe thotë dy mijë krerë derra, pas vendosjes së demonëve në trupat e tyre u hodhën të gjitha në humnerë.
I ligu me të vërtetë nuk ka pushtet mbi ne, mbi ne krijesat e Perëndisë, këtë pushtet ja japim ne. Kur ja japin ne këtë pushtet? Kur ne largojmë hirin e Perëndisë prej nesh, kur ne më mëkatin tonë i japim të drejtë këtyre frymërave të jetojnë brenda nesh dhe pasojat i dëgjuam në pjesën e ungjillit, tek i demonizuari, por i demonizuari u çlirua prej demonëve, erdhi me mendje të rregullt, e pranoji Krishtin, donte akoma më tepër që ta ndiqte Krishtin gjithmonë, madje kudo ku shkonte thoshte që: Është pikërisht Ai, është Mesia Shpëtimtari Ai që më çliroi. E mori mësimin, por ne sa marrim mësim prej kësaj historie, prej kësaj historie që na tregon që është një ngjarje e vërtetë, e ndodhur dhe ne e kemi parë edhe me shembuj në jetën tonë, për njerëz të cilët janë të demonizuar. Sa i marrim me seriozitet frymërat e liga? Sa marrim me seriozitet jetën tonë? Sa më me seriozitet marrim që mëkati është një arsye ku ne humbasim hirin e Perëndisë, dhe i japim të drejtë të ligut, të drejtë të ligut të drejtojë jetën tonë. Me sa seriozitet e marrim këtë gjë?
Kjo gjë nuk duhet të na frikësojë, por duhet me të vërtetë ta marrim me seriozitet këtë çështje, çështjen e frymërave të liga, ta marrim me seriozitet dhe pa frikë, me besimin që Perëndia është i Gjithëpushtetshëm. Dhe nëse do të jemi me Zotin i ligu nuk ka çfarë të na bëjë. Nëse do të marrim pjesë edhe në jetën e mistershme të kishës, nuk kemi frikë nga asgjë e keqe dhe e lig.
Le të përpiqemi të dashur besimtarë që jetën tonë ta marrim me seriozitet, i ligu përpiqet vazhdimisht, në çdo moment të jetës sonë të na gjejë të dobët dhe të na godasë, thotë Apostull Petro: “Ai është si një luan”, i etur që është gati në çdo moment që kë të gjej të përpijë dhe të të shqyej , është gati që kë shpirt të gjej të papërgatitur, të vetmuar, të dobësuar ta shqyejë dhe shkatërrojë akoma më tepër. Dhe ne duhet të jemi zgjuar, vigjilent dhe të mos kemi frikë. Le të forcojmë besimin tonë me dashurinë e Perëndisë! Amin!
Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, Nikolla, data 22/10/2023.