/Qellimi i Krijimit dhe i Rilindjes së Njeriut

Qellimi i Krijimit dhe i Rilindjes së Njeriut

“Sepse jemi krijesë e Tij -e Perëndisë- të krijuar në Jisu Krishtin për vepra të mira.” v. 10.

Pyetja më e madhe por edhe më e rëndësishme, që i bëhet çdo njeriu, është: “Cili është qëllimi i jetës sime?” Apo më thjesht: “Përse jetoj?” Vetëm dy fjalë të vogla. Dhe megjithatë, është aq shumë e vështirë përgjigja për më të shumtët nga ne. Përgjigje kësaj i dhanë shumë veta. Por përgjigjet janë njerëzore, kundërshtojnë njëra tjetrën. Janë kontradiktore.

Prandaj mendojmë se duhet të drejtohemi përsëri tek Perëndia i vërtetë, që të gjejmë përgjigjen e vetme të pagabuar, ndaj pyetjes sonë të flaktë. Dhe këtë përgjigje na e jep, apostulli i madh shën Pavli, i cili është “goja e Krishtit”. Jemi krijesa të Perëndisë, na thotë në pjesën e sotme të Apostullit. Krijesa të Perëndisë. Jo vetëm se na gatoi me aq shumë kujdes dhe dashuri, por edhe sepse na rigatoi nëpërmjet Birit të Tij, Jisu Krishtit. Na ftoi “për vepra të mira”. Që të kryejmë vepra të mira. Kjo temë është serioze dhe na intereson të gjithëve, prandaj ju lutemi të thellohemi në analizimin e saj.

I

“Jemi krijesë e Tij.”

Njeriu duhet të njohë prejardhjen e tij fisnike dhe hyjnore. Është i gatuar me vetë duart e Krijuesit, prandaj dhe është krijesa më e bukur dhe më e përsosur brenda gjithë materies, ku sundon dhe mbretëron. Ashtu siç vëren, shumë saktë, shën Grigor Teologu, Perëndia e gatoi atë “tokësor” -nga ana e trupit- dhe njëkohësisht “qiellor” -nga ana e shpirtit- “hallkë lidhëse midis botës shpirtërore dhe materiale”. Profeti Moisi na zbulon në mënyrë karakteristike: “Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë” Zanafilla 2, 7. Më përpara theksoi se Perëndia e krijoi njeriun “sipas shëmbëlltyrës dhe në ngjasim me veten”, që do të thotë se, njeriu u krijua më i lartë se të gjitha krijesat e tjera materiale dhe që nga fillimi qëllimi i tij ishte ngjasimi me Perëndinë, domethënë hyjnizimi!

Një nder i veçantë, pra. Unik, hyjnor! Të bëhemi të ngjashëm me Perëndinë! Perëndinë e përsosur dhe të shenjtë! Por, që të arrijmë këtë qëllim të mrekullueshëm, Perëndia i drejtë na pajisi me aftësitë e domosdoshme, na dha logjikën, që të mendojmë, çfarë është e saktë, e drejtë, e moralshme, dhe këtë të veprojmë. Na dha ndërgjegjen, e cila na ndalon nga çdo gjë e pandershme dhe mëkatare. Na pajisi me vullnet të lirë, në mënyrë, që çdo gjë që bëjmë, ta bëjmë të lirë dhe pa u shtrënguar. Na mbështeti dhe me armë të ndritshme dhe shumë të fuqishme. Me armën e lutjes, e cila e ndryshon njeriun e vogël dhe të pafuqishëm, në hero të virtytit dhe në luftëtar të pamposhtur dhe mundës të të ligut. Me armën e Shkrimit të Shenjtë, i cili ndriçon, mbështet, forcon, flakëron zemrat dhe jep krahë për luftëra fitimprurëse dhe gara triumfale. Me arsenalin e mistereve të Kishës, nga e cila marrim shigjetat vdekjeprurëse kundër të ligut. Këto janë pajimet dhe aftësitë më të rëndësishme, me të cilat Perëndia na parapërgatiti.

II

“Për vepra të mira.”

Veprat e mira, i dimë. Nga njëra anë, t’u shmangemi paragjykimeve, ofendimeve, blasfemive, fjalëve të keqe, mallkimeve, vjedhjeve dhe çdo lloj padrejtësie dhe mashtrimi, veprimeve të pandershmërisë dhe të shthurjes. Nga ana tjetër, respekti ndaj Perëndisë dhe më të mëdhenjve. Janë mijëra shfaqjet e dashurisë ndaj të tjerëve: Këshilla, ngushëllim, mbrojtje, mikpritje, gjetja e punës, nxitje për pendim, lëmoshë, etj.

Vepra të mira janë madje dhe virtytet: E butësisë, përulësisë, përmbajtjes dhe urtësisë, zemërgjerësisë ndaj të tjerëve, pajtimit të njerëzve, që gjenden në ndarje, e durimit, e iniciativës krijuese dhe disiplinës, etj.

Por, disa njerëz, pretendojnë se gjithë këto janë të paarritshme. Jetojmë, thonë, në një shoqëri të poshtër dhe mëkatare. Ndikimi i së keqes është gjigand dhe i merr të gjithë përpara, madje dhe më të fortët. Përgjigjemi: Kjo ndodh tek ata, që e lënë veten e tyre të lundrojë pa kontroll andej nga e merr rryma. Kjo u ndodh atyre, që përpiqen por nuk kërkojnë ndihmën e të Vetmit të fuqishëm dhe të pamposhtur. Kur i krishteri gjendet në kontakt të vazhdueshëm me Perëndinë e tërëfuqishëm, kur merr fuqi nga Ai, atëherë bëhet shumë i fortë dhe i pamposhtur. “Të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit, që më jep fuqi” Filipianëve 4, 13, thotë shën Pavli. Me Atë, çdo besimtar, që nuk i dorëzon armët, lufton dhe fiton dhe triumfon. Zoti nuk na dha barra të padurueshme. Nxënësi i dashurisë dhe ungjillor Joani shkruan: “Porositë e Tij nuk janë të rënda” 1 Joanit 5, 3. Mjafton të kërkojmë ndihmën e Tij dhe atëherë nuk do t’i trembemi prijësit të kësaj bote, “sepse ai që është ndër ju është më i madh se ai që është në botë” 1 Joanit 4, 4.

Që të shpëtojmë, është nevojë absolute të kryejmë veprat e virtytit. Duhet të shënojmë, veçanërisht, se që nga dita e parë e krijimit, Perëndia kërkoi vepra nga njeriu, sepse çfarë tjetër ishte zbatimi i urdhërit të parë, të cilën e pretendoi nga ana e të parëgatuarve, veçse, vepër e bindjes ndaj dëshirës hyjnore? Dhe atëhere njeriu gaboi dhe në vend të veprës së mirë, të bindjes, bëri një punë dinake, mosbindjen, për shkak të së cilës u përjashtua nga Parajsa.

Por edhe tani, pas shpëtimit nëpërmjet Jisu Krishtit, përsëri si qëllim i jetës sonë caktohen veprat e mira. Kur thua, thjesht, që besoj te Krishti, dhe pohon se me sakrificën e tij në kryq shpëtova, nuk shpëtohesh nëse nuk ke të paraqesësh vepra virtyti dhe besimi, dashurie dhe lëmoshe. Shën Pavli sot shpall me guxim: “jemi krijesë e tij, të krijuar në Jisu Krishtin për vepra të mira.” Ai ndaj nxënëseve dhe Apostujve të shenjtë tha këto fjalë: “Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni sa ju porosis” Joani 15, 14. Dhe ndaj atij që e pyeti, çfarë të bëj që të trashëgojë mbretërinë e qiejve, iu përgjigj: “Nëse do të hysh në jetë, ruaj porositë” Mateu 19, 17.

Porosinë e fundit ua dha Apostujve të shenjtë duke thënë: mësojini njerëzit “të ruajnë gjithë sa ju kam porositur ju” Mateu 28, 20. Dhe përkthyesi i urtë i Shkrimit të Shenjtë, Theofilakti i hirshëm, duke komentuar pjesën “për vepra të mira”, vëren: “U krijove jo që të mbetesh pa punë, por punën tënde dhe shoqërinë tënde ta shoqërojnë veprat e mira. Nuk tha për vepër të mirë, por që të tregojë se duhet t’i kryejmë të gjitha veprat e mira, që virtyti të mos jetë i mangët dhe i cunguar, por i plotë.”

Vepra të mira janë: Shenjtërimi i njeriut. Përpjekja e vazhdueshme, që të përparojë i krishteri në jetën më Zotin. T’i shmanget çdo gjëje, që është kundër vullnetit të Perëndisë dhe të kopjojë, sa më saktë të jetë e mundur, jetën e shenjtë dhe shembullin e përsosur të “Kryetarit të besimit, Atij, që e bën atë të përsosur”. Hebrenjve 12, 2. Vepra të mira janë veprat e drejtësisë dhe të dashurisë, të cilat duhet të zbukurojnë çdo besimtar, çdo të krishterë. Vallë si është e mundur, që i krishteri të shfaqet dinak ndaj vëllait të tij, si ta padrejtësojë, si ta përbuzë, si të tregohet indiferent ndaj nevojave të tij të shumëllojshme?

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Krijimi i parë ishte një vepër e Atit qiellor. Por rikrijimi dhe ripërtëritja e njeriut u bë nga Zoti Jisu Krisht Perëndinjeri me bashkëveprimin e Perëndisë Atë dhe pjesëmarrjen e Shpirtit të Shenjtë. Rrjedhimisht, nëse duam dhe rikrijimin tonë, rilindjen shpirtërore dhe hyjnizimin, duhet të bashkëveprojmë ngushtë me Shpëtimtarin Krisht. Zoti është mbështetja në jetën tonë, që të përparojmë me siguri dhe optimizëm. Kjo mbështetje na është dhënë, nuk nevojitet të kërkojmë që ta gjejmë. Është mëshira e pasur e Perëndisë. Mbështetje e sigurtë dhe themel i palëkundur. Le ta mbështesim, pra, tek Ai gjithë jetën tonë dhe shpresën dhe të jemi të sigurtë se Krijuesi ynë, që na ripërtëriti nëpërmjet Kryqit dhe Ngjalljes së Tij, do të na dhurojë dhe lumturinë e përjetshme, që dëshirojmë.

U bëftë.

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 04.11.2018