/Kushtet e Hyrjes në Ushtrinë e Krishtit – Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, † Ignati

Kushtet e Hyrjes në Ushtrinë e Krishtit – Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, † Ignati

E DIELA PAS LARTËSIMIT
(Marku 8:34 – 9:1)
KUSHTET E HYRJES NË USHTRINË E KRISHTIT
“Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij dhe le të ngrejë kryqin e tij, dhe le të më vijë pas” (v. 34)
E diela e kaluar ishte e diela para Lartësimit të Kryqit të Nderuar; e sotmja është e diela pas Lartësimit. Ajo ishte preludi i së kremtes së madhe, e sotmja është jehona. E kremtja e Lartësimit të Kryqit të Nderuar kaloi dhe Kisha akoma për Kryqin flet; Ungjilli dhe shumë himne sot, si temë, kanë Kryqin e Zotit. Por e gjithë Kisha jonë dhe i gjithë Adhurimi ynë hyjnor dhe e gjithë besa jonë dhe e gjithë jeta jonë, është Kryqi i Zotit; Kryqi dhe Ngjallja. “Lavdi, o Zot, Kryqit tënd dhe Ngjalljes sate”, psalim të Shtunën e Madhe.
Ndjekje dhe mobilizim rekomandojnë fjalët e Zotit, që do parashtrojmë në temën e sotme. Njeriu është i lirë t’i përkasë ushtrisë së Krishtit, të jetë apo jo i krishterë. Por, që nga momenti kur do të dëshirojë të marrë mbi vete vulën e emrit të krishterë, duhet të jetojë dhe të sillet sipas tij. Tri kushte vendos Zoti për hyrjen në ushtrinë e Tij. Le t’i studiojmë.
I
Kushdo që dëshiron të bëhet pasuesi im: Duhet të mohojë veten e tij. Kusht absurd, pretendim i rëndë, do të thoshte dikush që nuk e di kuptimin e thellë të frazës. Por, në të vërtetë, ç’do të thotë “të mohojë veten e tij”? Cila është vetja jonë, që ta hedhim si rrobë të vjetër? Mos vallë mishi, trupi, siç thonë disa armiq të krishterimit? Sigurisht që jo. Sepse asnjë mësues tjetër nuk e nderoi trupin njerëzor, aq sa Zoti. Asnjë sistem filozofik nuk u interesua kaq shumë për trupin, sa krishterimi. Vetë Zoti, ndërsa ishte Perëndi, pranoi të vinte në botë me trup njerëzor.
Trupin, për më tepër, Perëndia e bëri banesë të shpirtit të pavdekshëm. E quan tempull të Shpirtit të Shenjtë, dhe porosit: “Në prishtë ndonjëri tempullin e Perëndisë, këtë (njeri) do ta prishë Perëndia” (I Kor. 3:17). Kur ndalon dehjen, kur nxit punën, kur të prapëson nga imoraliteti, kur të largon shqetësimin dhe ankthin, kur dënon vetëvrasjen e drejtpërdrejtë apo të tërthortë, a nuk interesohet Krishti për trupin?
Mos vallë nënkupton shpirtin, formimin, shkencën, kulturën? Por, çfarë thonë shkrimet dhe historia? Apostujt, nga peshkatarë, a nuk u treguan reformatorët më të mëdhenj të botës? Kisha, për 20 shekuj tashmë, a nuk shfaqi të urtët, oratorët dhe shkrimtarët më të mëdhenj? Shkencëtarët dhe shpikësit më të mëdhenj ishin njerëz besimtarë.
Por, ç’do të thotë atëherë “të mohojë veten e tij”? Do të kemi vënë re sigurisht, se brenda nesh ekzistojnë dy forca të kundërta, dy botë të ndryshme. Njëra e kthen shikimin nga Krishti, na largon nga e keqja, na mbështet drejt së mirës. Tjetra, na jep këshilla të gabuara, na shtyn drejt veprimeve mëkatare. E para do Perëndinë dhe të afërmin, dëshiron një jetë më të lartë, më të kulturuar. Tjetra do dembelizmin, priret drejt kënaqësive, do të na bëjë skllav të mëkatit. E pra, këtë forcë të dytë, të ulët, mëkatare, këtë do Krishti të mohojmë. Nga ai “njeri mëkatar”, siç thotë apostull Pavli, duhet të çlirohemi. Brenda nesh bëhet një luftë, një përplasje midis këtyre dy botëve. Duhet të luftojmë, pra, me mjetet që na tregon Krishti -Pendim, Rrëfim, Liturgji Hyjnore, Dashuri, Përulësi, Durim, Studim të Shkrimeve të Shenjta- në mënyrë që të vrasim atë bishë të shëmtuar. Fitorja mbi veten tonë të ligë, është fitorja më e madhe në këtë botë. Kështu i do Krishti pasuesit e Tij, fitimtarë mbi të keqen, të lirë dhe të pastër nga çdo pasion dhe të metë.
II
Dhe ky është kushti i parë. Por, ekziston edhe një i dytë: “Të ngrejë kryqin e tij”! Kjo frazë na shpie në Golgotha. Na kujton atë pamje, ku Krishti ngjitet në rrugën e përpjetë, me kryqin në sup, dhe, pas pak, gjendet i mbërthyer mbi Kryq. “Dhe atëherë?”, do të pyesin mbase disa. Do që të ngarkohemi edhe ne me një kryq të tillë dhe të kryqëzohemi?
Me të vërtetë, njeriu, për shkak të mëkatit dhe të fajit të tij, është i denjë për një ndëshkim dhe dënim të tillë. Por, këtë borxh e pagoi vetë Krishti me Gjakun e Tij. U kryqëzua Ai, që të shpëtohemi ne. Gjithashtu, realisht, përgjatë shekujve të parë të krishterimit, por edhe më vonë, shumë herë edhe deri më sot, shfaqet nevoja që mijëra të krishterë të derdhin gjakun e tyre dhe të martirizohen nën torturat më të tmerrshme. Por Krishti nuk e kërkon nga të gjithë të krishterët këtë sakrificë.
Por, ç’do të thotë atëherë “të ngrejë kryqin e tij”? Do të thotë se i krishteri duhet të tregojë bindje të plotë ndaj vullnetit të Perëndisë, qoftë edhe nëse kjo kërkon sakrifica të mëdha. Do të thotë se duhet të mos tradhtojë besimin dhe detyrën e tij, edhe nëse do akuzohet, do përndiqet, do humbasë pará dhe pasuri, edhe nëse bëhet fjalë për të vdekur, madje edhe të kryqëzohet. Pikëllimet, sëmundjet, privimet, për hir të Krishtit, padrejtësitë, persekutimet, shpifjet, janë një martirizim i ngadaltë dhe i vazhdueshëm.
III
Po kushti i tretë? Është: “të më vijë pas”.
Është zëri i Udhëheqësit drejt ushtarëve! Është zëri i Mësuesit drejt nxënësve! Sa kanë të na thonë këto fjalë! Më ndiqni pas, u thotë Krishti të krishterëve. Më imitoni në shenjtërinë dhe pastërtinë e jetës. “Bëhuni shenjtorë, sepse unë jam i shenjtë” (I Pjetri 1:16). Më ndiqni në dashurinë për Atin Perëndi, dhe për njerëzit e tjerë, për miqtë dhe armiqtë. Më ndiqni në përhapjen e së vërtetës. “Më ndiqni”, thotë Krishti ndaj ushtarëve, të cilët humbën guximin; ndaj të krishterëve, të cilët, nga pikëllimet dhe mundimet e jetës, u lodhën dhe rrezikojnë ta lënë luftën përgjysmë. Kurajo, u thotë atyre! Kalova nga kjo botë dhe vuajta edhe unë. “Në botë do të keni shtrëngim; po kini guxim, unë e kam mundur botën” (Joani 16:33).
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Ai që ndjek Krishtin çlirohet nga e keqja, mundimet dhe dhimbjet, të cilat i ëmbëlson hiri dhe ndihma e Tij; përparon në virtyt, i cili të udhëheq në rrugën e shpëtimit. Në vazhdim, merr njohjen e adoptimit, ngrihet në armatën hyjnore dhe transferohet në dhomat e Mbretërisë së Qiejve, duke shijuar gëzim të përjetshëm pranë Zotit, i cili fton pareshtur dhe në mënyrë krejtësisht të lirë, çdo njeri, duke thënë: “Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij dhe le të ngrejë kryqin e tij, dhe le të më vijë pas”.
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI