Krishtërimi në Shqipëri është apostolik që do thotë ai u soll në këtë vend dhe u predikua dy mijë vjet më parë nga goja e Apostujve. Të shumtë janë edhe martirët dhe dëshmorët e Kishës sonë që u vranë dhe u persekutuan nga perandorët, diktatorët dhe pushtuesit përgjatë shekujve duke e vaditur këtë tokë martirike me gjakun e tyre.
Një ndër këta martirë është edhe Shën Elefteri i Ilirisë ose i Vlorës, që Kisha jonë e shenjtë e kremton sot më 15 Dhjetor.
Festimet u zhvilluan në qytetit bregdetar të Vlorës nën drejtimin e Mitropolitit të Apolonisë dhe Fierit, Hirësi Nikollës në bashkëmeshim me klerikë të shumtë të ardhur nga Kryepiskopata e Hirshme, Mitropolia e Beratit, Mitropolia e Fierit.
Këtë ditë e hijesoi edhe prania e Korit Bizantin të psaltëve “Shën Joan Kukuzeli” të Kryepiskopatës së Tiranës nën drejtimin e z. Theodhor Peci.
Të shumtë ishin besimtarët e qytetit të Vlorës që morën pjesë në këtë panair, si edhe besimtarë të ardhur nga qytetet e Durrësit, Beratit dhe Fierit, studentë të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” Shën Vlash – Durrës, etj.
Predikimi i përgatitur nga Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati u lexua prej Arkimandrit Anastas Mamaj.
Në fund të Liturgjisë Hyjnore u bë Shërbesa e Përshpirtjes në kujtim të hierarkut të Kishës sonë, imzot Visarion Xhuvanit.
Mitropoliti i Apolonisë dhe Fierit, Hirësi Nikolla përcolli tek besimtarët urimet dhe bekimet e Mitropolitit të Beratit, Vlorës dhe Kaninës Hirësi Ignatit, i cili për arsye shëndetësore nuk ishte i pranishëm në këtë panair.
Mjaft prekëse ishte dhe fjala e arkimandrit Anastas Mamaj, i cili në emër të klerit orthodhoks të qytetit të Vlorës dhe Mitropolisë së Beratit falenderoi pjesëmarrësit dhe ata që i dhanë solemnitet këtij kremtimi të madh.
Më pas nën kujdesin e arkimandrit Anastas Mamaj, atë Kostandin Priftit dhe klerikëve që shërbejnë në këtë kishë u bë pritja e rastit për të gjithë besimtarët.
Lutemi që, qyteti i Vlorës, një qytet i lashtë i vendit tonë, një zonë me histori të lavdishme të zbukurohet së shpejti me një katedrale në nderim të Hierodëshmorit Shën Elefterit.
Për Radio Ngjallja: Anastas Moçi