/Kisha Orthodhokse e Shqipërisë nuk pranon asnjë lloj tutele nga jashtë.

Kisha Orthodhokse e Shqipërisë nuk pranon asnjë lloj tutele nga jashtë.

Thurin mite me gënjeshtra djallëzore
Ikonografi Ilias Damianakis, që mban titullin “Arkond”, dhënë nga Patriarkana Ekumenike, në një shkrim me titull «Στῶμεν καλῶς, στῶμεν μετὰ φόβου Θεοῦ (Le të qëndrojmë mirë, le të qëndrojmë me frikë Perëndie)», që e pati hedhur në internet para një muaji, nuk nguroi të hidhte në qarkullim një gënjeshtër djallëzore: “Gjatë ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë janë ringritur apo restauruar mbi 250 kisha me ndihmën e oligarkëve ndërkombëtarë” (While the efforts of international oligarchs with vested interests have contributed to the rebuilding or restoration of over 250 churches…). Kemi të bëjmë qartësisht me një keqinformim të padëgjuar më parë dhe të rrezikshëm. Kjo u përgënjeshtrua në mënyrë të përgjegjshme nga Zyra e Shtypit të Kishës së Shqipërisë në datën 30 gusht 2023, duke parashtruar të dhëna zyrtare, të cilat janë bërë publike prej kohësh. Megjithatë, zotëria në fjalë nuk e pranoi që ka përhapur lajme të rreme (fake news) për të mbrojtur gënjeshtrën keqdashëse që Kisha e Shqipërisë ndodhet nën ndikimin rus dhe nuk kërkoi aspak falje. Përkundrazi, përmes një shkrimi tjetër, përpiqet t’u mbushë mendjen lexuesve që reagimi i Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë erdhi për shkak të përkthimit kinse të gabuar të termit “international oligarchs”. Mirëpo, nga konteksti i termit në fjalë, ai i referohet Kishës së Rusisë, në mënyrë që të vazhdohet më tej thurja e mitit që “Kisha e Shqipërisë vepron nën ndikimin e Kishës së Rusisë”. Por numri 250 kisha shkruhet njëlloj si në anglishte, ashtu edhe në shqipe dhe në greqisht. Në vazhdim, parashtron leksione patrologjie, duke theksuar rëndësinë e së vërtetës, të cilën po vetë e shkel me këmbë. Në një shkrim tjetër vazhdon të qortojë me një guxim të çuditshëm Sinodin e Shenjtë dhe të japë udhëzime të mëtejshme.
Këto tekste sipërfaqësore u publikuan menjëherë në greqishte në shtypin online “Φως Φαναρίου” nga një person tjetër që mban titullin “Arkond” i Patriarkanës Ekumenike. Një person i tretë që mban titullin “Arkond”, i cili shërben në një këshill ndërkristian në Gjermani, nxiton të komentojë, të fyejë, madje edhe të shajë.
Ky fenomen është shqetësues. Disave, sipas shprehjes së njohur, “u ka marrë koka erë”, ngaqë i kanë veshur me mandinë e arkondit, duke u bërë inspektorë, prokurorë dhe gjykatës së Kishave Orthodhokse Vendore. Mbikëqyrin, ironizojnë, shajnë me zell personalitete, Sinode Kishash, pa asnjë gjurmë respekti ndaj rangjeve kishtare, ndaj titujve akademikë, ndaj atyre që i ofrojnë Kishës dhe shoqërisë.
Mënyra sesi i shenjëstrojnë ata që kanë një qëndrim të ndryshëm sa i përket çështjes së rëndësishme kishtare të Ukrainës, nuk përputhet me etikën orthodhokse, as me deontologjinë elementare të çfarëdolloj dialogu. Kjo taktikë e re kishtare është e nevojshme që të ndalojë menjëherë. Këto lloj shkrimesh jo vetëm nuk dëshmojnë të vërtetën, por thellojnë më shumë ndarjen midis Kishave Orthodhokse në botë. Aq më tepër që Kishën e Ukrainës nuk e ka njohur jo vetëm Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, por edhe nëntë Kisha të tjera Orthodhokse Autoqefale, si:

Kisha e Antiokisë

Kisha e Jerusalemit

Kisha e Rusisë

Kisha e Gjeorgjisë

Kisha e Bullgarisë

Kisha e Rumanisë

Kisha e Serbisë

Kisha e Polonisë

Kisha e Çekisë

Kisha Orthodhokse e Shqipërisë nuk vepron nën ndikimin e Kishës së Rusisë apo të ndonjë vendi tjetër dhe nuk pranon asnjë lloj tutele nga jashtë. Nuk pranon, pa dyshim, as sugjerime dhe leksione nga mbikëqyrës të papërshtatshëm, anëtarë të Kishave të tjera Autoqefale Vendore. I mjafton të frymëzohet nga Ungjilli dhe të veprojë në përputhje me Traditën Orthodhokse.

Nga Zyra e Shtypit të Sinodit të Shenjtë
Tiranë, 11 shtator 2023