/Mitropolia e Shenjtë e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit – DEKLERATË

Mitropolia e Shenjtë e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit – DEKLERATË

Mitropolia e Shenjtë e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit

Deklaratë

Zoti Jisu tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar.” Ungjilli sipas Joanit 10:1.

Këto ditë u informuam përmes mediave televizive lokale dhe rrjeteve sociale për “vizitën” e papritur në qytetin e Elbasanit, të një personazhi sa enigmatik aq edhe qesharak, i prezantuar si “Kryepeshkopi i Rumanisë” i kalendarit të vjetër për të gjithë vllenjtë në botë me emrin Vasic Moisije.

Personi në fjalë kryen një “ceremoni” fetare të çuditshme në qilarin e shtëpisë së mikpritësit të tij Nikolla (Bllazhde) Xhufka, që ky i fundit kërkon ta paraqesë si “kishë katakomb”, e në fund të saj, nën flamurin kombëtar të Rumanisë varur në murin e shtëpisë pretendohet se tashmë Nikolla është dorëzuar “prift” prej tij.

Një skenë e tillë do të ishte e përshtatshme për një komedi satirike, por fatkeqësisht gjithçka kryhet nën emrin e ortodoksisë dhe të simboleve të shenjta që Kisha jonë Ortodokse i ruan me aq fanatizëm dhe i nderon me përkushtim. Gjithçka e paraqitur dhe kryer aty nuk ka asgjë të shenjtë dhe kanonike, përkundrazi, provokojnë vetëm indinjatë dhe zemërim tek besimtarët dhe kleri ortodoks në Shqipëri.

Kleriku në fjalë, prezantuar si “Kryepiskopi i Rumanisë”, i cili bën deklarata në gjuhën serbe, me flamurin e Rumanisë në sfond, si përfaqësues i vllenjve dhe jep leksione atdhetarie për shqiptarët, është jo vetëm një ironi e tepruar, por sinjalizon dhe një rrezik të përfshirjes së çështjeve politike me sfond fetar dhe axhenda të dyshimta në zemër të vendit tonë, në qytetin e Elbasanit.

Shprehim keqardhjen tonë, që në këtë rrugë të gabuar dhe të rrezikshme, është përfshirë i riu Nikolla (Bllazhde) Xhufka, i cili ka qenë për një kohë pranë Kishës sonë, ende pa mbushur moshën e duhur, pa arsimimin fetar, injoron dhe shkel katërcipërisht kanonet dhe rregullat e Kishës Orthodhokse, kërkon të prezantohet si klerik dhe prift ortodoks!

Ju bëjmë me dije: Besimtarëve ortodoksë të Mitropolisë tonë të Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Autoriteteve dhe Institucioneve Vendore, Komuniteteve të tjera fetare dhe opinionit të gjerë publik se: Nikolla (Bllazhde) Xhufka nuk konsiderohet klerik dhe as prift nga ana e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Dorëzimi i tij konsiderohet i pavlefshëm dhe në kundërshtim të hapur me Kanonet e Kishës Orthodhokse.

Gjithashtu, ju kërkojmë organeve kompetente ligjore dhe administrative, që ta shohin me shumë vëmendje këtë incident dhe të ndjekin sipas kompetencave që u jep ligji dhe detyra, që fenomene të tilla të përçarjes me bazë nacionaliste, fetare dhe politike të merren seriozisht në konsideratë dhe të parandalohet përshkallëzimi i tyre.

Mbarëvajtja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk mund të jetë në dorën e një personi anonim dhe as të një aventurieri djaloshar, të cilët për ambicie e delire personale janë të gatshëm të përfshihen në lojëra dhe axhenda të rrezikshme me pasoja të rënda për Kishën dhe vendin tonë.

Mitropolia e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, drejtohet prej disa vitesh nga Imzot Andoni, një shqiptar i formuar me edukim fetar dhe të përgjithshëm, i cili me devocionin dhe përkushtimin e tij gëzon respektin dhe vlerësimin e besimtarëve dhe të gjithë shoqërisë sonë në Elbasan dhe në mbarë vendin. Përpjekjet për të përçarë Kishën Orthodhokse, edhe në këtë rast, me hirin dhe ndihmën e Zotit, do të dështojnë. Amin.

Elbasan, më 24 nëntor 2021