JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES
(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)
APOSTULLI – Galatianëve 1:3-10.
Hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia Atë dhe nga Zoti ynë Jisu Krisht, që dha veten e tij për mëkatet tona, që të na shpëtojë nga kjo jetë e ligë e tanishme, sipas vullnetit të Perëndisë dhe Atit tonë, të cilit i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.
Çuditem se kaq shpejt ikni prej atij që ju thirri me anë të hirit të Krishtit në tjetër ungjill, i cili nuk është tjetër, po janë disa veta, të cilët ju turbullojnë dhe duan të shtrembërojnë ungjillin e Krishtit. Por edhe sikur ne, a engjëll prej qielli ju predikoftë tjetër ungjill e jo atë që ju predikuam, qoftë i mallkuar.
Siç thamë më përpara, edhe tani përsëri them: Në ju predikoftë juve ndonjëri ungjill tjetër e jo atë që keni marrë, qoftë i mallkuar. Sepse tani, po bind njerëzit, apo Perëndinë? Apo kërkoj t’u pëlqej njerëzve? Sepse po t’u pëlqeja edhe njerëzve, nuk do të isha shërbëtor i Krishtit.
* * * * *
UNGJILLI – Llukai 13:19-29.
Edhe ai thoshte: Me çfarë përngjan mbretëria e Perëndisë? Edhe me çfarë ta përngjaj?
Përngjan me një kokërr sinapi, të cilën e mori një njeri dhe e hodhi në kopshtin e tij; edhe u rrit e u bë pemë e madhe, edhe zogjtë e qiellit erdhën e bënë çerdhe në degët e tij.
Përsëri tha: Me se ta përngjaj mbretërinë e Perëndisë? Përngjan me brumë, të cilin e mori një grua dhe e mbuloi në tri masa mielli, deri sa u mbrujt i gjithë.
Edhe shkonte nëpër qytete e nëpër fshatra duke mësuar dhe udhëtuar për në Jerusalem.
Edhe një njeri i tha: Zot, vallë të pakët janë ata që shpëtojnë? Edhe ai u tha atyre: Mundohuni të hyni nëpër derën e ngushtë; sepse shumë vetë, po ju them juve, do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të mundin.
Pasi të ngrihet i zoti i shtëpisë e të mbyllë derën, atëherë do të filloni të rrini jashtë, e të trokitni në derë, duke thënë: Zot, Zot, na e hap. Edhe ai do të përgjigjet e do t’ju thotë: Nuk e di se nga jeni ju. Atëherë do të zini të thoni: Hëngrëm e pimë përpara teje dhe mësove nëpër rrugët tona. Po ai do të thotë: Po ju them juve, nuk e di se nga jeni ju. Largohuni prej meje gjithë ju punëtorët e padrejtësisë.
Atje do të jetë të qarët e kërcëllitja e dhëmbëve, kur të shihni Abrahamin e Isaakun e Jakovin dhe gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, edhe veten tuaj të nxjerrë jashtë.
Edhe do të vijnë nga lindja e nga perëndimi dhe nga veriu e nga jugu, edhe do të ulen në tryezën e mbretërisë së Perëndisë.