DITË KRESHME
APOSTULLI – Efesianëve 1:7-17
Tek Jisui kemi shpërblimin me anë të gjakut të tij, ndjesën e fajeve, sipas pasurisë së hirit të tij, të cilin na e dha me të tepërt me çdo urtësi e mençuri, duke na njohur misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që e pati paracaktuar në vetvete, me synimin që kur të mbushen kohët, t’i përmbledhë të gjitha në Krishtin, edhe ato që janë në qiej edhe ato që janë mbi dhe; në atë, tek i cili edhe morëm trashëgim, siç qe paracaktuar sipas qëllimit të atij që i bën të gjitha sipas pëlqimit të vullnetit të tij, që ne shpresuam më përpara tek Krishti të jemi për mburrje të lavdisë së tij; tek i cili shpresuat edhe ju, pasi dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj; dhe tek i cili, pasi besuat u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit, që është paradhënia e trashëgimit tonë, deri në shpërblimin e atyre që u fituan për lëvdim të lavdisë së tij.
Prandaj edhe unë, si dëgjova për besimin tuaj në Zotin Jisu dhe për dashurinë që keni për të gjithë shenjtorët, nuk pushoj duke falënderuar Perëndinë për ju, e duke ju përmendur ju në lutjet e mia, që t’ju japë juve Perëndia i Zotit tonë Jisu Krisht, Ati i lavdisë, frymë diturie e zbulese, që ta njihni atë.
* * * * *
UNGJILLI – Llukai 7:31-35
Edhe Zoti tha: Me se t’i përngjaj pra njerëzit e këtij brezi? Dhe me se ngjajnë? Ngjajnë me djem që rrinë në treg edhe që i thërresin njëri-tjetrit, duke thënë: I ramë fyellit për ju, dhe nuk kërcyet; ju bëmë vaj, dhe nuk qatë. Sepse erdhi Joan Pagëzori, që as bukë ha, as verë pi, dhe thoni: Ka demonin.
Erdhi Biri i njeriut duke ngrënë e duke pirë, edhe thoni: Ja një njeri hamës e verëpirës, mik tagrambledhësish e mëkatarësh. Edhe u drejtësua urtësia prej gjithë bijve të saj.