/E HËNË, 20 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E HËNË, 20 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

APOSTULLI – 2 Korinthianëve 12:10-19

Prandaj kënaqem në dobësira, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në shtrëngime, për Krishtin, sepse kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.

U bëra i marrë duke u mburrur; ju më detyruat; sepse unë duhej të rekomandohesha prej jush; sepse në asgjë nuk mbeta prapa nga apostujt më të shquar, ndonëse s’jam gjë. Shenjat e apostullit vepruan tek ju me shumë durim, me çudira, e me shenja, e me fuqira, sepse në ç’punë mbetët prapa nga kishat e tjera, përveç se unë vetë nuk u bëra barrë për ju? Falmani këtë padrejtësi.

Ja e treta herë që jam gati për të ardhur tek ju, edhe nuk dua t’ju bëhem barrë; sepse s’kërkoj pasuritë tuaja, po ju; sepse bijtë s’kanë detyrë të mbledhin për prindërit, po prindërit për bijtë. Por unë me gëzim të madh do të shpenzoj dhe do të shpenzohem fare për shpirtrat tuaj, ndonëse, megjithëse ju dua më tepër, duhem më pak.

Po ashtu qoftë, unë nuk u bëra barrë për ju; po duke qenë dinak, ju zura me dredhi. Mos lakmova gjë prej jush me anë të ndonjërit nga ata që dërgova te ju? Iu luta Titos, edhe bashkë me të dërgova vëllanë. A mos lakmoi gjë prej jush Tito? A nuk ecëm po me atë frymë? A nuk ecëm në po ato gjurmë?

Përsëri pandehni se mbrohemi përpara jush? Flasim përpara Perëndisë në Krishtin; edhe të gjitha këto, o vëllezër, i bëjmë për ndërtimin tuaj.

* * * *

UNGJILLI – Llukai 3:19-22

Edhe Herodi, tetrarku, pasi qortohej prej atij për Herodiadën, gruan e të vëllait të tij, edhe për gjithë të këqijat që pati bërë Herodi, shtoi edhe këtë përmbi të gjitha dhe e mbylli Joanin në burg.

Edhe pasi u pagëzua gjithë populli, u pagëzua edhe Jisui, edhe ndërsa ishte duke u lutur, u hap qielli, edhe Fryma e Shenjtë zbriti mbi të me një lloj trupi si pëllumb, edhe erdhi një zë nga qielli, duke thënë: Ti je Biri im i dashur, ty të kam pëlqyer.