/E DIELA E TË LIDHURIT TË DJATHIT Mateu 6, 14-21.

E DIELA E TË LIDHURIT TË DJATHIT Mateu 6, 14-21.

Përse të Kreshmojmë?“Ndërsa ti, kur të kreshmoshë…. të mos dukesh para njerëzve, që kreshmon” v. 17.

Nga nesër hyjmë në Kreshmën e Madhe dhe të Shenjtë, në një periudhë, kryesisht, shpirtërore. Çdo i krishterë, detyrohet t’i lërë disi mënjanë kujdesjet për jetën dhe ta kthejë mendjen e tij nga qielli, duke përdorur si ndihmë çdo gjë të mundur. Kisha jonë, që tregon një interesim të veçantë për besimtarët e saj, në këtë paraqet, si mjetin ndihmës më frytdhënës, Kreshmën.Dhe kreshma është heqja dorë nga disa ushqime; por, kryesisht, është heqje dorë nga dëfrimet mëkatare. Pikërisht, për këtë kreshma kontribuon shumë në vetëpërqendrim dhe, rrjedhimisht, në ruajtjen e njeriut nga rrjetat e mëkatit. Kontribuon gjithashtu në orientimin e zemrës drejt dhomave të Mbretërisë Qiellore, ku ndodhet thesari i paçmuar dhe i vërtetë, për të cilin duhet çdonjëri prej nesh ta sakrifikojë këtë botë. Le të vëmë re se çfarë na thotë Zoti në lidhje me mjetin ndihmës të kreshmës.

* * *

Por, përse të kreshmojmë? Siç e thotë shumë bukur shën Vasili i Madh, kreshma ka të njëjtën moshë me njerëzimin. Që nga momenti i parë i krijimit të njeriut, Perëndia vendosi kreshmën ndaj të parëgatuarve, si një mjet ushtrimi të funksioneve të tyre shpirtërore. Ndalimi i ushqimit nga një pemë ishte shenja konkrete e kreshmës së të paragatuarve. Vazhdimin e dimë. Shkelja kishte pasoja të tmerrshme për gjininë njerëzore. Kreshma nuk është diçka, që e kanë vetëm të krishterët. Që në fillim, njerëzit, qoftë besonin tek një perëndi, qoftë në shumë perëndi, në mënyrë periodike hiqnin dorë nga disa ushqime.

Në Krishtërim kreshma përbën një ligj themelor, që u lartësua nga vetë Zoti Jisu Krisht, i cili para se të fillonte misionin e Tij publik, u shty nga një nxitje e brendshme e Shpirtit të Shenjtë, në shkretëtirë dhe atje kreshmoi për dyzetë ditë të tëra. Zoti Jisu Krisht në Ungjillin e Tij na dha kuptimin e vërtetë të kreshmës, që e kapërcen të qenit formal dhe sipërfaqësor. Kreshma tashmë merr kuptim thelbësor, qenësor dhe teologjik. Bëhet ushtrim brenda trupit të Kishës. Bëhet mjet për edukimin trupor dhe shpirtëror. Kreshma nuk është kurrë qëllim, por mjet. Por ka, gjithmonë qëllime të larta: Shndërrimin dhe hyjnizimin e njeriut. Për këtë nevojitet studim i veçantë dhe i vëmendshëm.

Le të shikojmë sëpari njerëzit, që janë indiferent për çështjen e kreshmës. Nuk bëhet fjalë, sigurisht, për ata që nuk e mbajnë kreshmën për arsye shëndetësore. Për ata ekziston dhe përjashtimi zyrtar, Kanuni 69 i Apostujve të shenjtë. Bëhet fjalë për ata, që pa asnjë arsye, nuk e zbatojnë kreshmën e caktuar.

Dhe një arsye për të cilën shumë njerëz nuk mund të arrijnë ndonjë përparim moral, është edhe se dëfrimet trupore -të ngrënët dhe të pirët pa fre- krijojnë një lak rreth shpirtit, që e dënon në fishkje.

Kënaqja e vazhdueshme dhe e pafre e dëshirave gastronomike shkakton eksitim të instinkteve të ulta, diçka që të shtyn në një jetë imorale dhe të shthurur.

Kreshma vjen dhe e këput këtë lak dhe krijon një rrugëdalje për shpirtin dhe nevojat e tij. Njeriu që kreshmon i mohon me dëshirë të shumtat dhe të padobishmet dhe kështu ndihmohet në formimin dhe qashtërsinë e shpirtit të tij. Jeta bëhet më e qetë, më e thellë. Brenda shpirtit të tij fillon të dëgjojë zërin e Perëndisë dhe të provojë emocione të larta. Mendimi i tij është i pastër, dhe shpirti i tij esëll. Me lehtësi buron nga thellësitë e zemrës së tij lutja dhe ngjitet në buzë dhe, paralelisht, është më e lehtë lëmosha e saktë me ekonominë që bëhet nga kreshma. Sigurisht, nënkuptohet se të gjitha këto kanë vlerë vetëm kur kreshma bëhet në mënyrë të ndërgjegjshme. Atëherë, pikërisht, përbën me të vërtetë një mjet serioz të pastrimit të njeriut.

Por, fatkeqësisht, kreshma për shumë të krishterë nuk është një mjet i pastrimit shpirtëror, por një formalitet. Kështu, ndërkohë që e konsiderojnë përdhosje dhe ndotje të hanë mish gjatë kreshmës, nga ana tjetër nuk ngurojnë të padrejtësojnë, të shpifin. Nëse, pra, nuk përmbushet qëllimi i pastrimit shpirtëror, kultivimi dhe formimi i shpirtit, kreshma nuk ka dobi. Bashkë me kreshmën e ushqimeve të ndërthuret dhe ruajtja nga pasionet, që na sjell Djalli dhe na ndajnë nga Hiri i Perëndisë. Të kreshmojnë shqisat tona nga gjërat dinake: jemi hipokrit të mëdhenj, kur gryka kreshmon nga disa ushqime, ndërsa shqisat tona dhe gjithë ekzistenca jonë vazhdojnë të mëkatojnë, të bëjnë orgji. Kreshmë e pasioneve do të thotë, të kreshmojnë sytë nga shikimet dinake, të kreshmojnë veshët nga dëgjimet dinake, të kreshmojnë këmbët nga vendet dinake, të kreshmojnë duart nga gjeste të pahijshme, të kreshmojë goja nga fjalët e pista, të ndyra dhe të papastra. Të kreshmojë mendja nga mendime të këqija, të kreshmojë zemra nga dëshira të këqija.

Kreshmën e pasioneve dhe të mëkateve, nëse e bëjmë, është kreshmë e bekuar nga Perëndia. Atëherë ka vlerë dhe kreshma e ushqimeve. Duam të theksojmë, veçanërisht, një kreshmë shpirtërore të caktuar. Ashtu siç, kur ndodh një epidemi, mjeku rekomandon me kujdes t’u shmangemi disa ushqimeve, kështu dhe Kisha, meqenëse ka rënë epidemia e disa të këqijave, rekomandon një dietë të caktuar, shmangie nga disa gjëra. Cila është kreshma e veçantë pra? E thonë statistika zyrtare. E konstatojnë të gjithë njerëzit serioz, që theksojnë shkatërrimin që ndodh nga shpëlarja e trurit, që bëjnë mediat, dhe madje, televizori dhe interneti. E thonë me dhimbje prindër të ndërgjegjshëm, që shikojnë familjen e tyre të shkatërrohet nga këto. Dhe, megjithatë, sytë e më të shumtëve janë të gozhduara në ekran. Vallë mundemi ta zbusim tërheqjen e kutisë magjike, mundemi ta zbusim “lakminë e syve” 1 Joanit 2, 16, që u mësuan keq të shikojnë gjëra të ndyra dhe të pakuptimta? Atëherë kemi mbajtur një kreshmë të mirë dhe të dobishme.

Një kreshmë e veçantë shpirtërore për burrat. Të kreshmojnë nga helmi, që thithin në masë të madhe në formën e cigares. Dhe mjekët më të mëdhenj të botës shpallin, sa keq bën duhani. Dhe gratë të kreshmojnë nga lluksi. Të mos veshin rroba provokuese, apo rroba, që nuk u shkojnë për shtat grave. Të thjeshta dhe modeste i do gratë Fjala e Perëndisë.

Kemi detyrën e shenjtë të qëndrojmë përpara pësimeve të hijshme dhe vullnetare të Zotit tonë Jisu Krisht. Me dhimbje dhe kuptim. Kemi për detyrë gjithmonë dhe veçanërisht në Kreshmën e Madhe të reshtim së mbushuri me grykësi stomakët tanë me ushqime të tilla, që krijojnë mbingopje kalorish në organizmin tonë, të cilat na shtyjnë në mëkat. “Ngopja e barkut, është ati i kurvërisë”, thotë shën Joani Shkallës.

Organizmi njerëzor, kur nuk zbutet nga kreshma, humbet frerët, egërsohet dhe thith me pangopësi “baltën e artë” të shoqërisë sonë. Por kjo përbën ofendimin më të madh ndaj Çlirimtarit tonë, që u Kryqëzua për shpëtimin tonë. Që të mundemi të ngjitemi në Golgotha, t’i afrohemi të Kryqëzuarit dhe të dallojmë me kuptim shikimin e Tij të dhembshur, duhet të qëndrojmë larg mëkatit.

Kreshma ka dobi edhe nga ana trupore. Shëndeti është më i mirë me kreshmën. Me mishëngrënien e papërmbajtur rriten mundësitë e sëmundjeve. Kreshma ka dobi dhe për të tjerët. Me lekët, që do të kursejmë duke mos ngrënë mish për dyqind ditë në vit, mblidhet një shumë e konsiderueshme, që do të prehte qindra të uritur në Afrikë. Parrulla e shën Joan Gojartit ishte: “Të kreshmojmë që të bëjmë lëmoshë; si përfundim kreshma është ndryshimi i mënyrës së jetesës.”

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Do ta mbyllim këtë fjalim me fjalët aktuale të himnografit të hirshëm në ditën e sotme: “Stadi i virtyteve është hapur; hyni të gjithë sa dëshironi të merrni pjesë, duke iu përveshur luftës së mirë të kreshmës; ata që garojnë sipas ligjit, me të drejtë kurorëzohen, dhe duke marrë përsipër armatimin e kryqit, do përballemi me armikun, duke mbajtur fort besën, si mur të pamposhtur, dhe lutjen, si parzmore, dhe lëmoshën, si përkrenare; në vend të shpatës kreshmën, e cila pret nga zemra çdo të keqe. Ai, që i bën këto, merr kurorën e vërtetë, nga Mbreti Krisht në ditën e Gjykimit.” U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 10.03.2019