E Diela V Llukait (I pasuri dhe Llazari i varfër)
APOSTULLI – 2 Korinthianëve 11:31-12:9.
Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jisu Krisht, i cili është i bekuar në jetë të jetëve, e di se nuk gënjej. Në Damask governatori i mbretit Areta ruante rrotull qytetin e Damaskinëve, sepse donte të më kapte, edhe nga një dritare zbrita nga muri me një shportë dhe shpëtova nga duart e tij.
Të mburrem, nuk më intereson, sepse do të vij në vegime e në zbulesa të Zotit. Di një njeri në Krishtin përpara katërmbëdhjetë vjetësh, a me trup, s’e di; a jashtë trupit, s’e di; Perëndia e di; se ky njeri i tillë u rrëmbye deri në qiellin e tretë. Edhe e di njeriun e tillë, a me trup, s’e di; a jashtë trupit, s’e di; Perëndia e di; se u rrëmbye në parajsë dhe dëgjoi fjalë të patregueshme, të cilat nuk i lejohet njeriut t’i flasë.
Për të tillin njeri do të mburrem; po për veten time nuk do të mburrem, veç për dobësitë e mia. Sepse sikur të dua të mburrem, nuk do të jem i marrë, sepse të vërtetën do të them, po druhem se mos mendon ndonjë për mua më tepër nga ajo që më sheh ose nga ajo që dëgjon prej meje.
Edhe që të mos krenohem për zbulesat e shumta, m’u dha një gjemb në trup, një engjëll i satanait, që të më bjerë me shuplaka, që të mos krenohem. Për këtë tri herë iu luta Zotit, që të largohet satanai prej meje. Edhe më tha: Të mjafton hiri im; sepse fuqia ime në dobësi tregohet e përsosur. Me gëzim të madh pra do të mburrem më tepër për dobësitë e mia, që të rrijë tek unë fuqia e Krishtit.
* * * *
UNGJILLI – Llukai 16:19-31.
Edhe ishte një njeri i pasur, edhe vishej me purpur e me li të çmueshëm, duke dëfryer përditë me ndriçim. Ishte dhe një i varfër që e kishte emrin Llazar, i cili dergjej pranë portës së atij plot me plagë, edhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e të pasurit; por edhe qentë vinin e lëpinin plagët e tij. Edhe ndodhi që i varfëri vdiq dhe u pru nga engjëjt në gjirin e Abrahamit. Dhe vdiq edhe i pasuri dhe u varros.
Edhe në had, ku ishte në mundime, ngriti sytë e tij e sheh Abrahamin së largu, edhe Llazarin në gjirin e atij. Edhe ai thërriti e tha: O atë Abraham, përdëllemë, dhe dërgo Llazarin, që të lyejë majën e gishtit të tij në ujë, edhe të më ftohë gjuhën; sepse po mundohem në këtë flakë.
Po Abrahami i tha: O djalë, kujtohu, se ti i more gjithë të mirat e tua në jetën tënde, edhe Llazari gjithashtu të këqijat; po tani ky ngushëllohet këtu, ndërsa ti mundohesh. Edhe mbi të gjitha këto, në mes nesh e jush është vendosur një hendek i madh, që kështu ata që duan të shkojnë së këtejmi tek ju, të mos mundin, as të andejmit të kalojnë tek ne.
Edhe ai tha: Të lutem pra, o atë, ta dërgosh atë në shtëpinë e tim eti, sepse kam pesë vëllezër; që të japë dëshmi ndër ata, që të mos vijnë edhe ata në këtë vend të mundimit. Abrahami i thotë: Kanë Moisiun dhe profetët; le të dëgjojnë ata. Edhe ai tha: Jo, o atë Abraham; por në shkoftë ndonjë nga të vdekurit tek ata, do të pendohen.