Të përvetësosh shpëtimin
“Të përvetësosh shpëtimin” do të thotë pranimi me gjithë shpirt dhe me mirënjohje të thellë, të veprës shpëtimtare të Krishtit nga mëkatari që ai realisht të mund të shpëtohet. Por le ta analizojmë që të mund ta kuptojmë më drejt se çfarë do të thotë.
Jisu Krishti Perëndi-njeriu, duke marrë mbi supe mëkatet e racës njerëzore dhe duke sakrifikuar Veten për ata duke pësuar një vdekje pikëlluese, siç ishte vdekja e Tij në Kryq, e shfajësoi njeriun ndaj Drejtësisë Hyjnore. Ai e shleu mëkatin për të, që do të thotë Ai i dhuroi atij faljen, dhe Ai solli shfajësimin për shkak se Ai mori mbi Vete barrën dhe fajin e mëkatit. Kështu Ai pajtoi njeriun me Perëndinë, dhe Ai e bëri atë bir Perëndie, Ai hapi rrugën drejt Mbretërisë së Perëndisë. Kjo është dhurata më e madhe që Zoti i ofroi racës njerëzore nëpërmjet sakrificës së Tij në Kryq. Por që njeriu ta përvetësojë këtë dhuratë, jo vetëm këtë, por të gjitha përfitimet që burojnë prej Sakrificës së Krishtit Shpëtimtar në Kryq, ai duhet t’i pranojë dhe t’i ruajë ato përgjatë gjithë jetës brenda vetes së tij me besim të zjarrtë dhe me devotshmëri të thellë. Mendimi se Zoti Krisht, Biri i Kryqëzuar i Perëndisë, është i vetmi Shpëtimtar dhe Shpengues i përjetshëm i tij kurrë, për asnjë çast, nuk duhet të largohet nga mendja dhe zemra e tij. Dhe jo vetëm ta sodisë këtë të vërtetë, por duhet ta jetojë atë. Ky mendim, kjo ngjarje, kjo sakrificë e Zotit, duhet të shkaktojë brenda tij emocione dhe ndjenja të shenjta të besimit dhe devocionit ndaj Shpëtimtarit të tij. Ai duhet të mendojë të thotë, isha një mëkatar dhe isha i dënuar me të drejtë, i dënuar me ndëshkim të përjetshëm, dhe Zoti Jisu Krisht u kryqëzua për mua dhe derdhi gjakun e Tij të shenjtë në Kryq dhe më shpengoi. Dhe siç e thamë dhe pak më lart, kjo ngjarje, ky realitet duhet të zërë rrënjë në qenien e tij dhe duhet ta nxisë atë të lavdërojë dhe të madhështojë Shpenguesin. Ky realitet duhet ta largojë atë nga çdo devijim dhe nga çdo padrejtësi dhe ligësi. Kështu që, nëpërmjet Shpëtimtarit na është ofruar gjithçka: jeta e Tij e panjollë, bindja e Tij, gjaku i Tij, Sakrifica e Tij. Dhe ashtu siç na thotë Apostull Petro: “duke qenë se fuqia e Tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së Atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e Vet, me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë” (II Petrit 1:3-4). Ishte e natyrshme që kjo do të ndodhte duke qenë se Perëndia, I Cili është i tërë-dhembshur dhe njeridashës, “dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës, nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë; hiqni dorë, hiqni dorë nga rrugët tuaja të këqija” (I Timoteut 2:4; Ezekieli 33:11). Prandaj Perëndia i ofroi dhe ofron tek njeriu shpengimin dhe shpëtimin. Por është e pamundur që vet njeriu të arrijë ta konceptojë, ta kërkojë dhe ta përvetësojë vet veprën shpëtimtare të Krishtit dhe të Sakrificës së Tij të Shenjtë. Çfarë nevojitet? Përsëri është Perëndia që do ta ndihmojë atë, që do zgjasë dorën e Tij dhe do ta ftojë në këtë shpëtim. Sepse, siç edhe Zoti tha: “Pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Joani 15:5). Asgjë, madje asnjë hap nuk mund të hedhë vet njeriu drejt shpëtimit dhe rilindjes së tij morale pa ndihmën e Perëndisë. Megjithatë, Perëndia nuk detyron askënd. Ai nuk e detyron dëshirën njerëzore por e lë njeriun të lirë që të zgjedhë shpëtimin apo humbjen e përjetshme, ose jetën apo vdekjen. Ai e tha shumë qartazi: “Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Marku 8:34). Kushdo që dëshiron të më ndjekë le të bëhet pasuesi Im. Kushdo që dëshiron të bëhet i Krishterë, besimtar dhe i devotshëm, le të më ndjekë. Jo me detyrim dhe nga frika. Prandaj ekziston liria e plotë. Kushdo është i lirë që të mohojë jetën e tij të mëkatshme dhe të ndjek rrugën e Perëndisë dhe të shpëtohet. Kushdo që dëshiron. Dhe kjo është arsyeja që disa e pranojnë shpëtimin me besim të zjarrtë dhe shpëtohen, ndërsa të tjerë e kundërshtojnë shpëtimin duke e mohuar dhe zgjedhin humbjen e përjetshme.
Gjithashtu është evidente se njeriu mëkatar ka nevojë për ndihmën dhe ndriçimin hyjnor për të kuptuar dhe pranuar veprën shpëtimtare të Krishtit dhe të shpëtohet. Dhe kjo fuqi dhe ndihmë hyjnorë quhet Hiri Hyjnor. Dhe Hiri Hyjnor qëndron në Kishën e Shenjtë të Krishtit dhe transmetohet tek besimtarët nëpërmjet Mistereve të Shenjta të Kishës. Krishti gjendet në Kishë dhe Hiri i Krishtit qëndron në Kishë. Krishti nuk gjendet jashtë Kishës. Prandaj jashtë Kishës askush nuk mund të gjejë Hirin Hyjnor. Në këtë mënyrë, jashtë Kishës nuk ka falje të mëkateve, nuk ka shpengim, nuk ka shpëtim. Tani le të kalojmë te kjo temë: