/Persekutimi i njerëzve të kishës/Dëshmi dhe fakte të një ditari burgu – nga Ilirjan Gjika

Persekutimi i njerëzve të kishës/Dëshmi dhe fakte të një ditari burgu – nga Ilirjan Gjika

Fieri është një nga qytetet, historisë të së cilit nuk i mungojnë faktet dhe dëshmitë e persekutimit të njërëzve të fesë gjatë viteve të komunizmit. Ngjarje të tilla nisën menjehërë pas vendosjes së këtij regjimi, kur nën akuza absurde, dënimet dhe persekutimet morën forma të ndryshme. Një fat të tillë patën edhe shumë prej njerëzve që shërbenin me devotshmëri pranë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, faji i vetëm i të cilëve ishte se nuk ishin të përshtatshëm për regjimin e ri. Kështu në Fier, mund të përmendim Sotir Bitrin apo Vangjel Lulen, emra të njohur në jetën shoqërore të këtij qyteti, jeta e të cilëve ndoqi fate të ndryshme.
‘’Sado që shoqëria në burg asht e vlefshme por ky libër këtu u bë tepër i ngushëllueshëm dhe shok i pandarë ndërmjet brengave të mbëdha dhe kufizimit të liris’’, shkruante Vangjel Lulja në shënimet e tij të mbajtura në burgun e Fierit, të datës 1 qershor 1949 (1). Të shkruara me laps plumbi në disa fletë të shpërndara të një libri me himne kishtare, ky ditar i shkurtër, na informon drejtëpërdrejt për persekutimin e këtyre njerëzve, të cilët kishin luajtur një rol aktiv në zhvillimet demokratike dhe shoqërore të vendit.
I tillë ishte edhe Sotir Bitri farmacisti i parë i qytetit , një person i njohur dhe me reputacion në Fier dhe më gjerë. Janë një sërë dokumentash të Arkivit të Shtetit që dëshmojnë aktivitetin dhe pjesëmarrjen e tij në institucionet vendore, sipërmarrjet private dhe entet e ndryshme shtetërore, gjatë periudhës së pavarësisë. Përveç detyrës së farmacistit të cilën e kishte kryer shume vite me korrektësi dhe profesionalizëm, Sotir Bitri, do të shërbente në vitet 1920-1922 edhe si kryetar i Bashkisë Fier. Ndërsa në zgjedhjet vendore të vitit 1922, ai, do të ishte një prej anëtarëve të këshillit bashkiak të këtij qyteti që do të merrte më shumë vota (2).
Disa kohë më pas dhe pikërisht në vitin 1929, atë e ndeshim si një prej anëtarëve të këshillit drejtues të Odës së Tregtisë Fier (3). Po kështu, në dokumentin e datës 6 shtator 1937, emri i Sotir Bitrit del si një ndër pjesëtararët e ‘’Komisionit Inisiator të Shoqnisë për Vaditjen e Fushave të Myzeqesë’’, një shoqatë sipërmarrësish privatë që merrej me vaditjen e tokave bujqësore (4). Ndërkohë që si shumë të tjerë edhe Sotir Bitri do të ishte një nga pjesëmarrësit e Kryengritjes së Fierit në 14 gusht 1935, si përpjekja më serioze që u drejtua kundër monarkisë shqiptare. Së bashku me Dr. Kostandin Kallogjerin, Dr. Musa Delvinën, Ramiz Omarin, Idriz Bylon, Taqi Bozon dhe Duran Qadhimin, etj, ai do të drejtonte Komisionin Administrativ që do të merrte në dorë drejtimin qytetit të Fierit (5).
Ndërsa shkrimtari Jakov Xoxa, i cili i kushtoi pjesën më të rëndësishme e veprës të tij historisë së Fierit dhe Myzeqesë, nuk lë pa përmendur në shkrimet e tij edhe figurën e njohur të epitropit të kishës, spicerit Sotir Bitri. Në novelën ‘’Tre Pleqtë dhe Mihali katër’’, botuar në vitin 1958, Xoxa, midis të tjerave shkruan: ‘’Atë vit kryqi s’po hidhej as në të butë e as në të brymët. Gjermanët ishin mbufatur te shkolla e çupave, në barakat e mullirit e ishin përhapur përpjetë sheshit të kishës. Ura përmbi lumë, nga ku kryqi çdo vit hidhej në ujë, ishte bërë grazhd, dhe në parmakët e saj ishin lidhur gjë e gjallë zbritur si plaçkë nga mali. Graria s’guxonte të shkonte në kishë nëpër këmbët e fashistëve dhe prifti me epitropin dhanë e morën t’ia gjejnë ilaçin. E ndonëse epitropi pat ndodhur spicer ilaçi s’iu gjend dhe atij moti ishte e thënë që kryqi të mbetej varur më kraharor të dhespotit, pa puthur ujë‘’ (6).
Por Sotir Bitri do të ndahej nga jeta në mënyrë tragjike në burgun e Fierit në vitin 1949. Një fakt të tillë e gjejmë në ditarin e Vangjel Lules, në shënimin e datës 15 mars 1949. Pikërisht këtu, midis të rreshtave lexojmë se: ‘’I ndjeri Sotir Bitri vdiq në datë 15 mars 1949 tue gdhirë e martë si i burgosur për tatim fitimet e jashtëzakonshme. Perëndija e ndjeftë dhe ardhtë dheu i lehtë. Amin’’ (7).
Sotir Bitrit nuk do ti shkonte asnjëherë ndër mënd se në librin që e dhuruar në 5 shkurt 1942 mikut Vangjel Lule, do të regjistrohej vdekja tragjike e tij. Një gjë të tillë nuk e mendoi as Vangjel Lulja, ku së bashku me sekretin e këtyre shënimeve të shpërndara në faqet e tij, do tia dorëzonte më vonë së bashku me libra dhe shënime të tjera muzeut të Fierit.
Por cili ishte patrioti dhe veprimtari i shquar, Vangjel Lulja, mbajtësi i këtyre shënimeve të autentike. I lindur në Fier në 1 Mars 1892 ai njihej në opinionin publik si mik dhe bashkëpunëtor i Fan Nolit, aktivist i Federatës Vatra të shqiptarëve të Amerikës, pjesëmarrës nē Luftën e Vlorës, anëtar i Shoqërisë Bashkimi, pjesëmarrës në Rezistencën Antifashiste të 7 prillit 1939, etj. Gjatë viteve të emigracionit në SHBA (1910-1920), përveç aktivitetit si psalt në kishën e Shën Gjergjit në Boston, ai do të botonte edhe librin ‘’Vajtimet e përmbivarrëshme të zotit tonë Jezu Krisht’’, përkthyer në shqip prej Fan Nolit. Pas kthimit në atdhe në vitin 1920, Vangjel Lulja, do të shërbente si psalt në kishën e Shën Gjergjit në Fier dhe si sekretar-llogaritar në Zëvendësinë Ortodokse të Fierit. Prej tij kemi një sërë dëshmish të memories historike, përfshirë edhe ngjarjet e çlirimit të Fierit në 15 tetor 1944. Ndërroi jetë në 19 nëntor të vitit 1965 dhe në nderim të figurës së tij, një nga sheshet e qytetit të Fierit mban emrin “Vangjel Lulja”. (😎
Por në ditarin e tij të burgut ai tregon edhe rastin e tij të dhimbshëm. ‘’Më futën në burg në datë 23/8/48 dhe dolla në 4/9/48 mbasi shita gjithçka kisha më vunë prapë në burg më datë 16/10/1948 për tatime të jashtëzakonshme të dyta që nuk ja detyroja shtetit dhe që nuk posedoja. Fier, burg, e mërkur 1/6/49. Zoti më shpëtoftë nga kjo skëterrë’’, shkruan përsëri ai (9).
Gjithsesi patrioti dhe veprimtari i shquar Vangjel Lulja do të dilte nga burgu dhe do të integrohej përsëri në jetën e përditshme, ku do të bënte shërbime të tjera të vlefshme jo vetëm ndaj kishës, por edhe shtetit dhe shoqërisë. Ai do të ishte personi që u kujdes dhe dorëzoi në vitin 1957 në Mitropolinë e Beratit, Kodikun e Manastirit të Shën Kozmait. I njohur edhe si Kodiku i Fierit ai është sot pjesë e koleksionit të Kodikëve të Shqipërisë dhe ruhet në Arkivin Qëndror të Shtetit Shqiptar.
Ndërkohë ditari i shkruar mbi këtë libër të muzikës kishtare dhe një sërë shënimesh të tjera në fletë dhe kapakë librash kishtarë, janë dokumente me vlera të jashtëzakonshme për historinë e Fierit, kishës ortodokse dhe njerëve që i shërbyen asaj. Si pjesë e Fondit të Dokumenteve të Muzeut Historik Fier, këto shënime, janë të hapura për studjuesit e fushës dhe publikun duke dëshmuar kështu një pjesë të historisë të kohës që shkoi.
…………………..
Literatura
1-Himne Kishtare, Shënime të Vangjel Lules, Fondi i Dokumenteve, Muzeu Historik Fier
2-Marela Guga, Prefektura e Beratit 1920-1939, Albanian University Press, 2012, f. 30, 85
3-Po aty, f. 335; AQSH, f. 223/1, d. 87, v. 1929
4-Po aty, f 469; AQSH, f. 171, d. V-59, v. 1937
5-Jakov Milaj, Kryengritja e Fierit, dorëshkrim, Fondi i Dokumenteve, Muzeu Historik Fier
6-Jakov Xoxa, vepra letrare, 1, Shtëpia Botuese ‘’Naim Frashëri’’, Tiranë 1983, f. 111-136
7-Himne Kishtare, Shënime të Vangjel Lules, Fondi i Dokumenteve, Muzeu Historik Fier
8-Grup Autorësh, Figura të shquara të rrethit Fier, Komiteti i Veteranëve të LANÇ Fier, I, Gutenberg 2002, f. 39-40
9-Himne Kishtare, Shënime të Vangjel Lules, Fondi i Dokumenteve, Muzeu Historik Fier
10-Llambrini Mitrushi, Kodiku i manastirit të Shën Kozmait, Studime historike, Tiranë 1965, 3, f. 175-182; Sokol Çunga, Kujtesa kolektive në një kodik, Art & Trashëgimni, 7, Dhjetor 2016, f. 58-60