/“Apolonia, qyteti i martirëve dhe Peshkopëve të parë” – nga Ilirjan Gjika

“Apolonia, qyteti i martirëve dhe Peshkopëve të parë” – nga Ilirjan Gjika

Dikur, në shek. VII pk, askujt prej kolonistëve që themeluan qytetin e Apolonisë, apo ilirëve taulantë që jetonin në këtë trevë, nuk u shkonte ndërmend se qyteti kushtuar perëndisë së diellit, Apolonit, do të bëhej një prej qëndrave të krishtërimit në Ilirinë e Jugut. Ky qytet do të shndërrohej shumë shpejt në destinacionin kryesor të misionarëve kristianë. Sipas dorëshkrimit nr. 423 të Bibliotekës së Patriarkanës të Jeruzalemit, mësojmë rreth 70 apostujve të pare të cilët u emëruan nga Shën Pavli si peshkopë të komuniteteve kristiane. Midis tyre me nr. 55 në këtë tekst është shkruar edhe emri i Marinit, peshkopit të parë të Apolonisë (1).
Ndërkohë që politika e persekutimit ndaj të krishterëve e cila nisi me Neronin në vitin 64 dhe përfundoi me Kostandinit e Madh në vitin 313, la gjurmët e veta edhe në Apoloni. Në veprën “Kozmografia e Anonimit të Ravenës dhe Gjeografia e Guidonit”, na jepet edhe persekutimi i Ibasit nga Athina dhe mbështetësve të tij në këtë qytet (2). Por në këtë botim nuk përcaktohet koha kur ndodhi kjo ngjarje në Apoloni, ndërsa burime të tjera theksojnë se ai u martirizua në shek. I (3). Duhet theksuar se në njërin prej sinaksarëve, librave që paraqesin jetët e shënjtorëve, tregohet edhe historia e martirëve të shenjtë të Apolonisë. Të tillë ishin dhiakoni Isaur i cili me miqtë e tij nga Athina, Vasilin dhe Inocentin, erdhën këtu për të ushtruar besimin kristian. Me ta u bashkuan edhe tre të krishterë nga Apolonia si, Feliksi, Hermia dhe Peregrini, të cilët strehoheshin dhe kryenin ritualet fetare në një shpellë në periferi të qytetit. Ndërkohë që ky aktivitet do të diktohej prej familjeve të tyre që për ti shkëputur nga besimi i paditën te zyrtari vendas: Triponti. Në këtë mënyrë nisi përndjekja, ku fillimisht u arrestuan dhe më pas u torturuan nga i biri i guvernatorit, Apoloni. Pas rezistencës për të hequr dorë nga besimi të gjashtë të krishterët u dënuan me prerje të kokës. Ngjarja ndodhi në kohën e perandori Mark Aurel Numeriani gjatë periudhës së viteve (283-284), ndërsa martirët e Apolonisë përkujtohen nga kisha në datën 17 qershor të do viti (4).
Ndërkohë që kulti i Shën Isaurit do ti kalonte kufijtë e Apolonisë, ku një kishë kushtuar atij dhe Shën Astit ndeshet gjatë periudhë së mesjetës së vonë në qytetin fqinj të Durrësit (7). Interesant është fakti që pohon ekzistencën e shpellave eremite në prapatokën e Apolonisë, të cilat u përdorën nga kristianët e parë për ushtrimin e besimit të ri. Kurse të dhëna të tjera rreth tyre rreth tyre na jep edhe ‘’Babai i Historisë’’: Herodoti. Midis të tjerave në veprën e tij ‘’Historitë’’, ai tregon se në këto shpella ruheshin dikur kopetë kushtuar perëndisë së diellit: Apolonit (5).
Por për ushtrimin e jetës eremite në Apoloni na dëshmon edhe kodiku mesjetar i Ciprianit që ruhej dikur në bibliotekën e manastirit të Ardenicës. Ai ju vu në dispozicion për studim arkeologut Leon Rei nga peshkopi Kristofor Kisi. Në kujtimet e tij të botuara në vitin 2012 me titullin ‘’Hyjnitë kishin të drejtë’’, Rei, thekson se kodiku përbëhej nga 60 faqe të shkruara më dorë dhe të mbështjella nga dy kapakë lëkure. I shkruajtur nga murgu Qiprian, ai trajtonte jo vetëm probleme fetare por edhe historinë e Polianit. Ky i fundit ishte një eremit i mesjetës së hershme i cili jetonte në një shpellë pranë Apolonisë, kurse faltoren e kishte ngritur në vendin e një tempulli të dikurshëm antik (6).
Gjithsesi krishtërimi do të merrte hov edhe në Apoloni pas vitit 313, kohë kur u lejua ushtrimi i lirshëm i tij nga perandori Kostandin i Madh dhe u morën vendime të rëndësishme në koncilet e para. Kështu, ky qytet u bë një qëndër e rendësishme peshkopale nën juridiksionin e mitropolisë së Durrësit. Dokumentat historike dëshmojnë pjesëmarrjen e peshkopëve të Apolonisë në Koncilet(Sinodet) Ekumenike ku merrnin pjesë autoritetet më të larta të kishës. I tillë ishte rasti i peshkopit Feliks, (Felix episcopus civitatis Apolloniae et Bellidis), që shoqëroi Mitropolitin e Durrësit, Eukaritin në Koncilin e Efesit të vitit 431 (9). Ndërsa peshkopi tjetër, Pauli, do të ishte pjesëmarrës në sinodin e Kostandinopojë në vitin 448. Po kështu, dëshmohet edhe pjesëmarrja e peshkopit Eusebius, (Eusebius episcopus civitatis Apolloniadi), në koncilin ekumenik të Kalcedonit, në vitin 451 (9). Ndërkohë këto zhvillime historike do të provoheshin edhe nga rezultatet e gërmimeve arkeologjike të zhvilluara në Apoloni gjatë shek. XX-XXI. Gjatë zbulimit të teatrit të qytetit antik u gjetën edhe mbetjet e absidës së një kishe të shek. III-IV (10). Ndërsa në pjesën perëndimore të portës së manastirit të Apolonisë u zbuluan themelet dhe mozaikët që i përkisnin një kishe të ndërtuar në shek. IV (11).
Ndërkohë tërmetet shkatërrimtare të viteve 234 dhe 345, zhvendosja e shtratit të Vjosës disa kilometra në jug, apo sulmet barbare të gotëve, bënë që qyteti të braktisej dhe peshkopi të largohej drejt Bylisit fqinjë. Kështu, gjatë mesjetës Apolonia do të quhej Polina dhe do të shndërrohej në qëndrën e një manastiri provincial. Prej tij funksionon vetëm kisha e Shën Mërisë kurse pjesa tjetër përfshirë trapezerinë, konakët, këmbanoren dhe ambientet ndihmëse, i përkasin sot muzet dhe parkut arkeologjik.
………………….
1-Anthimos D. Alexoudes, Sintomos historike perigraphe tes hieras metropoleos Belegradion, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 110
2-Guidonis Geographica 113, 51-59, Ravennatis Anonymi Cosmographia et Guidonis Geographica: Ex libris manu scriptis ediderumt M. Pinder et G. Parthey. Açedit Tabula 1860 G 113 540
3-Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f, 279
4-Martirët e shenjtë të Apolonisë, Ngjallja, (33), qershor 1995, f. 7
5-Herodoti, Historiae, Lib IX, 93
6-Leon Rei, Hyjnitë kishin të drejtë, Dituria, Tiranë 2012, f. 63-66
7-Anthony Bryer, Kultet e tre shenjtorëve martirë në Shqipëri, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 54
8-Acta Albaniae, I, 14
9-Acta Albaniae, I, 21
10-Aleksandra Mano, Teatri antik i Apolonisë, Iliria,1-2, Tiranë 1999-2000, f. 193
11-Skënder Muçaj, Disa të dhëna arkeologjike për fundin e qytetit të Apolonisë dhe fillimet e saj si qendër kishtare në Mesjetë, Iliria, 1-2, Tiranë 2003-2004, f. 296
Nga: Ilirjan Gjika, historian.