/Kisha e “Shën Marisë” Lubonjë, Korçë, Shek. XI

Kisha e “Shën Marisë” Lubonjë, Korçë, Shek. XI

Kisha e “Shën Marisë” gjendet në fshatin Lubonjë të Korçës dhe daton në vitin 1015. Kisha është bazilikë njënefshe me tavan dhe ka me përmasat 14.75×11 metra. Muratura e ndërtimit të kishës është prej gurësh të lidhur me llaç gëlqereje dhe me copa tjegullash ndërmjet gurëve, të vendosura në mënyrë të çrregullt. Apsida e kishës është trifaqëshe. Mbi faqen perëndimore të kishës gjendet mbishkrimi: Ειχεν οικοδομηθη το παλαι κατ’αρχας ο / θειος και πανσεπτος ουτος ναος της Υπεραγιας / Θ(εοτοκ)ου Μαριας εκ θεμελιων κατα το ετος 1015 / δια συνδρομης των ευλαβεστατων και αοι / διμων ιερεων π(α)π(α) λουκα, π(α)π(α) / Θεοδορου, κατα δε (ε)τος 1806 επρι διεσα(ρ)θρωθη / δια παλαι (ανεκαινισθη) εκ βαθρων και εμακρο / πλατυνθη ως φαινεται ακολουθως δε και / εζωγραφηθη εις το 1806 σηνδρομης ευλα / βεστατου ιερεως π(α)πα Δημητριου Στοι και Γεωργι / ου δι εξοδων των χροριανων ταυτης χο / ρας λουμπονηας ω παπα Αντων αιωνια η μνη / μη. Δια χειρος Τερπου ζωγραφου ειου Κων / σταντηνου εκ Κορητζας, οκτομβριου Ζ. “Ka qenë ndërtuar për herë të parë që nga kohërat e vjetra ky tempull hyjnor dhe i gjithnderuar i së mbishenjtës Hyjlindëse Mari, prej themeli në vitin 1015 me kontributin e priftërinjve të shumëdevotshëm dhe të shquar Papa Kostandini, Papa Llukës, Papa Theodhorit. Në vitin 1806 është rrafshuar prapë (u përtëri) që nga themeli dhe u zgjerua sikurse shihet dhe në vazhdim u pikturua më 1806 me kontributin e priftit të shumëdevotshëm Papa Dhimitër Stoit dhe Gjergj Gjudit, me shpenzimet e katundarëve, të katundit Lubonjë, Papa Andoni. I përjetshëm kujtimi. Me dorën e piktor Terpos, birit të Kostandinit, nga Korça, më 7 tetor”. Sipas Theofan Popës mbishkrimi është shkruar me gërma të mëdha mbi nje sfond të bardhë. Mbishkrimit nuk i lexohen disa fjalë nga zbehtësia e madhe.
Nga mbishkrimi mësojmë se faqet e mureve brenda kishës janë pikturuar në vitin 1806 nga Terpo Zografi, biri i Kostandin Zografit nga Korça. Sipas Theofan Popës gjatë vizitës që ai ka bërë në këtë kishë vërtetohet se në disa vende të apsidës kishte fragmente të pikturës së vjetër, pikërisht në ato vende ku pati rënë suvaja. Vite më vonë ateljeja e mirëmbajtjes së monumenteve të Korçës, gjatë merementimeve që bëri ka zhveshur nga suvaja faqen e brendshme të apsidës dhe pak pjesë të murit lindor, duke nxjerrë në dritë disa pjesë të pikturës së vjetër. Nga studimi i bërë nga grupi i punës pjesë e të cilit ka qenë edhe Theofan Popa rezultoi se piktura e vjetër e kishës i përket dy periudhave. Njëra me pikturat e etërve të kishës, në brezin e fundit të apsidës i përket periudhës të ndërtimit të kishës, pra shek. XI, ndërsa piktura tjetër Platitera me dy engjëjt dhe fragmentet e tjera të murit lindor i përkasin një periudhe më të vonë rreth shek. XIII.
Në brezin e fundit pas “Platiterës” gjenden Hierarkët e mëdhenj të kishës: Shën Joan Gojarti, shën Vasili i Madh, shën Athanasi i Madh, shën Silvestri i Romës si dhe dy Etër të tjerë të paidentifikuar. Etërit paraqiten me qëndrim sikur janë duke shkuar drejt mesit të apsidës. Ata kanë veshur amfie hieratike me fellone dhe omoforë të bardhë të stolisur me kryqe të zinj. Ata mbajnë epigonate të stolisur me një shumicë rrathësh të vegjël ngjyrë kafe.
Në vitin 1997, në fshat u hap fjala se nën suvanë e mureve të kishës, qenë fshehur qypa me florinj. Kaq mjaftoi për të shkatërruar kishën. Fshatarët u dyndën duke shpuar vrima në suva. Pas gërmimit qypat u gjendën, por qenë bosh. Ato qenë vendosur për të krijuar akustikën e ambientit të kishës. Gjatë viteve të mbylljes të kishave, kisha e Shën Marisë, në Lubonjë u ruajt e paprekur pavarësisht se ndryshoi destinacion. Kambana e kishës u përdor nga kooperativa për të thirrur fshatarët në punë. Vite më vonë ajo u zhduk.
Kisha e “Shën Mërisë” në Lubonjë të Kolonjës është shpallur monument kulture në vitin 1963, prandaj studiuesi Pr. Asc. Dr.Edmond Hoxha i bën apel Ministrisë së Kulturës, Akademisë së Shkencave, Bashkisë së Korçës, Institutit të Trashëgimisë Kulturore që të bëjnë një studim të thelluar, duke përcaktuar qartë ndërhyrjet konservuese për ruajtjen e afreskeve të pikturuara nga Tërpo Zografi dhe për shpëtimin e kësaj kishe të hershme mesjetare.
Informacion i përzgjedhur nga shkrimet e:
1.Th. Popa (Mbishkrime të Kishave në Shqipëri).
2. A. Llukani ( Ndihmesa e Theofan Popës për shpëtimin e mbishkrimeve dhe objekteve liturgjike kishtare).
Foto: Pr. Asc. Dr.Edmond Hoxha