/Kisha e Sinjës dhe vlerat e afreskeve të saj Nga Ilirjan Gjika

Kisha e Sinjës dhe vlerat e afreskeve të saj Nga Ilirjan Gjika

Në territorin e vendit tonë ndodhen rreth 13 shpella eremite që gjenden përgjatë shpateve të maleve apo shkëmbinjve të thepisur. Të tilla mund të përmendim shpellën e Letmit në Çermenikë, Koshorishtit në Librazhd, Urakës në Qafë Thanë, të Maligradit, Shën Mërisë, Gollomboçit dhe Trestenikut në liqenin e Prespës, Kalivaçit në Tepelenë, Dhivrit në Delvinë, Shën Marenës në Konispol, Sinjës në malin e Shpiragut, etj (1). Secila prej tyre mbart karakteristika dhe veçori të ndryshme në varësi të kohës, vendit, dhe funksionit. E tillë është edhe shpella e Sinjës që ndodhet në fshatin me të njëjtin emër, një prej vendbanimeve të njohura të zonës së Shpiragut.
Sinja është vendosur në pjesën jugore të këtij mali në kufi me krahinën e Mallakastrës, ku dikur kalonte rruga e rëndësishme që lidhte Vlorën me Beratin. Në historinë e Shqipërisë ajo njihet për një sërë ngjarjesh si kryengritja kundër Tanzimatit e vitit 1847 dhe Kuvendi i Sinjës i 23 korrikut 1912 (2). Por Sinja është e njohur edhe për monumentet e kultit kristian. Aleksudhi në vitin 1868, na dëshmon se Enoria e Sinjës përblidhte fshatrat Sinjë, Malibardhë dhe Malas me 45 familje besimtarësh, të cilët kryenin ritet fetare në kishat Shën Nikollës dhe Shën Mërisë (3). Por e vecanta qëndron se faltorja ‘’Fjetja e Shën Mërisë’’ është ndërtuar në brendësi të një guve dhe njihet në gjuhën e popullit edhe si ‘’kisha e shpellës’’. Meritën për evdentimin e vlerave të saj e ka padyshim dega e Institutit të Monumenteve të Kulturës së Beratit, e cila në vitin 1980 organizoi ekspeditën studimore (4). Ndërkohë që vetëm në vitin 2015, kisha, u shpall nga Ministria e Kulturës me statusin Monument Kulture (5).
Faltorja ka përmasa 7 x 3 m dhe ndodhet brenda një shpelle natyrore e cila në pjesën perëndimore është e mbyllur nga një pjesë me muraturë guri. Këtu ndodhet porta e saj e cila të con në një hapësirë të ngushtë, ku pas disa shkallësh futesh në naos, sallën kryesore të saj. Duke qënë e ndërtuar në shkëmb, absida përbëhet nga një pjesë e tij dhe disa mure të vegjël, ku janë pikturuar afreske të rralla, të punuara me mjeshtëri të lartë artistike. Të tilla janë skenat e Deisis, Shën Mëri Platiterës, Fjetjes së Hyjlindëses, Krishti Pantokrator, si dhe figura e një murgu me temjanicë në dorë, që mendohet se mund të ketë qenë edhe ktitori i kishës (6).
Afresket i përkasin tre fazave të ndryshme kohore, ku dy shtresat e para i takojnë periudhës bizantine, ndërsa shtresa e tretë një kohe më të më të vonë, asaj pasbizantine. Në gjendjen e gjetjes dhe evidentimit pikturat ishin të nxira nga tymi i zjarrit, ku pjesa e ruajtur më mirë ishte skena Deisis. E pikturuar djathtas altarit ajo ishte realizuar me mjeshtëri ku paraqiten figurat e Shën Mërisë dhe të Gjon Pagëzorit. Ndërkohë që gjatë sondazheve arkeologjike të kryera në vitin 1989 u zbulua në pjesën në të majtë të absidës, nën një mur të altarit, një mbishkrim që i përkiste shtresës së dytë të pikturës. Ajo i përkiste portretit të Shën Mëri Platiterës e mbuluar më vonë nga një shtresë tjetër e pikture, në të cilën u gjet mbishkrimi në fjalë që i përkiste vitit 1292 (7).
Ai ruhej në gjendje të mirë dhe ishte i ndarë në dy pjesë, i shkruar në greqishten zyrtare që përdorte dikur kisha (😎. Sipas mbishkrimit të përkthyer nga Koço Bozhori, thuhej se piktura ishtë realizuar në kohën e peshkopit të peshkopatës shumë të shenjtë të Gllavinicës zotit Joaniqi dhe zotit Neofit Jeromonakut …. . Të respektushmit të perandorit Andronik dhe Irenës së respektuar Jezu Krisht viti 1292 (9).
Kështu, zbulimi, studimi dhe publikimi i mbishkrimit solli të dhëna të rëndësishme me vlerë historike, jo vetëm për kishën eremite të Sinjës, por edhe për peshkopatën e dikurshme të Gllavinicës dhe veprimtarinë e perandorit bizantin Androniku II Paleolog (1282-1328) në këto treva. Gjatë kohës së qëndrimit në pushtet të Andronikut II, do të rritej rëndësia e kishës dhe roli i saj në jetën shpirtërore. Kjo periudhë do të konsiderohej e artë për kishat dhe manastiret në disa aspekte si në ato kulturore, shpirtërore dhe materiale. Këto institucione u përkrahën nga perandori me diploma, prona tokësore dhe privilegje të shumta dhe një gjë të tillë e tregojnë edhe paraqitjet grafike të portretit të Andronikut II, familjes së tij dhe zyrtarëve të lartë të admnistratës bizantine të kohës, në disa prej afresket e kishave të ndryshme.
Kështu, një afrest i Paleolëgëve ndodhet në murin perëndimor të narteksit në manastirin e Apolonisë. Në të paraqitet familja e Mihalit të VIII së bashku me të birin, Andronikun II dhe të shoqen perandoreshën Teodora, shoqëruar me mbishkrimi “Androniku besnik në Krishtin, perëndinë, mbret i Romejve, Komnen, Dukë, Angelos, Paleologu” (10). Ndërsa një tjetër afresk i vjetër e familjes së Paleologëve me portretin e Andronikut II, ka qenë i pikturuar deri në vitet 30 të shekullit të kaluar në murin e narteksit të kishës së Shën Kollit në Perondi (11).
Ndërkohë që sipas specialistëve të fushës, skena Deisis e afreskeve të kishës së Sinjës, për nga tiparet e stilit, tipologjia dhe hollësitë, lidhet ngushtë me afreskun e naosit të kishës së Shën Triadhës në Kalanë e Beratit (12). Po kështu, mbishkrimi në kishën e Shën Triadhës me emrin e Andronik Paleolog Asanit, guvernatorit bizantin të Beratit, është treguesi më i qartë se këto afreske i përkasin periudhës paleologe. Ndërkohë që viti i pikturimit të afreskeve të kishës ‘’Fjetja e Shën Mërisë’’ në Sinjë, përkon edhe me një mbishkrim në manastirin e Apolonisë. Kështu, mbi suvanë e një muri në kishën e Shën Mërisë ndodhet shkrimi në formë afresku që i përket të njëjtës kohë, vitit 1292. Ai i dedikohet një tjetër zyrtari bizantin të periudhës së Andronikut II.
‘’…. Shërbëtorja e perëndisë Kalia … dhe sebastokratori Joani në vitin 1292’’, shkruhet në mbishkrimin që sipas gjasave është i karakterit ktitorial (13). Një gjë e tillë vërteton edhe njeherë veprimtarinë ndërtuese dhe dhuruese të dinastisë Paleologe në kishat dhe manastiret e rajonit të Shqipërisë jug-perëndimore. Kështu, hartës së ndërtimeve prej tyre të objekteve kishtare përveç kishës së Shën Mërisë së Apolonisë, kishës së Shën Kollit në Perondi, kishës së Shën Triadhës në kalanë e Beratit, apo manastirit të Ardenicës, tashmë i shtohet edhe kisha e Fjetjes së Shën Mërisë në Sinjë. Në këtë mënyrë përvec vlerave shpirtërore ky objekt kulti përbën edhe një thesar të artit bizantin të rilindjes paeologe.
………………….
1-Andrea Llukani, Arti kishtar në Shqipëri, Botimet Trifon Xhagjika, Tiranë 2014, f. 276-290
2-Fjalori enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 957
3-Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 53
4-Fatmir Thaçi, të dhëna rreth pikturës murale në kishën “Fjetja e Shën Mërisë” në Sinjë, Monumentet, 2, Tiranë 1990, f. 159-160
5-iktk.gov.al/Zonat e mbrojtura – Monumentet – Qarku Berat
6-Fatmir Thaçi, të dhëna rreth pikturës murale në kishën “Fjetja e Shën Mërisë” në Sinjë, Monumentet, 2, Tiranë 1990, f. 159-160; Dhorka Dhamo, Të dhëna për datimin e afreskeve në Berat, Monumentet, 2, Tiranë 1990, f. 52
7-Dhorka Dhamo, Korçë, Berat. Gërmimet arkeologjike të vitit 1989, Iliria, 2, Tiranë 1989 f. 304-305; Dhorka Dhamo, Të dhëna për datimin e afreskeve në Berat, Monumentet, 2, Tiranë 1990, f. 52
8-Fatmir Thaçi, të dhëna rreth pikturës murale në kishën “Fjetja e Shën Mërisë” në Sinjë, Monumentet, 2, Tiranë 1990, f. 159-160; Dh. Dhamo, Të dhëna për datimin e afreskeve në Berat, Monumentet, 2, Tiranë 1990, f. 52
9-Po aty
10-Theofan Popa, Saktësime rreth datimit të kishës së manastirit të Apolonisë, Studime Historike, Tiranë 1967, f. 139
11-A. Aleksoudes, Dyu Semeiiomata ek Hierographon, Deltion tes Istories kai Ethnologikes Eitairias tes Ellados, 4, 189; A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, ‘’8 Nëntori”, Tiranë 1983, f. 99
12-Dhorka Dhamo, Të dhëna për datimin e afreskeve në Berat, Monumentet, 2, Tiranë 1990, f. 52
13-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Akademia e Shkencave, Tiranë.